Provokon ambasada ruse con Partizanin ne Beograd

Provokon ambasada ruse, çon Partizanin në Beograd

Pajisja me viza e dy lojtarëve kosovarë të Partizanit, Ibrahimi dhe Ramadani, ka marrë një trajektore të pritur gjatë ditës së djeshme. Nëse të enjten u fol për një përmirësim klime dhe një bashkëpunim frytdhënës mes klubit dhe ambasadës ruse në Tiranë, dje të kuqtë e kryeqytetit kanë marrë një goditje të rëndë nga Ambasada e Rusisë.

ramadani ibrahimi

Punonjësit e ambasadës i kanë pranuar të enjten edhe dokumentat e dy lojtarëve kosovarë, por dje Partizani ka marrë një përgjigje "fyese" nga kjo përfaqësi. Burime pranë klubit kanë bërë me dije për gazetën se përfaqësia ruse ka lajmëruar kryeqytetasit se është e pamundur që Ramadani dhe Ibrahimi të pajisen me vizë në Tiranë.

Sipas tyre, mundësia e vetme që këta lojtarë të pajisen me vizë hyrëse në Rusi është që dy lojtarët kosovarë të shkojnë në Beograd dhe të aplikojnë për vizë tek ambasada ruse në Serbi. Dihet që Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe qytetarët me pasaportë kosovare e kanë të pamundur të hyjnë në territorin rus.

berisha ibrahimi

Por ajo që e rëndon më shumë situatën është konteksti i përgjigjes së dhënë nga autoritete ruse në Tiranë, të cilët i quajnë kosovarët si pjesë e shtetit serb. Pra, duket qartë provokimi i tyre, pasi e çojnë Partizanin në Serbi që të marrë vizat e dy futbollistëve nga Kosova, Ylber Ramadani dhe Labinot Ibrahimi. Të dy lojtarët kanë qenë titullarë në ndeshjet që Partizani ka zhvilluar këtë verë në Kupat e Europës. Mungesa e tyre konsiderohet e rëndë- sishme për trajnerin Adolfo Sormani.

Zgjidhja

Pas marrjes së kësaj përgjigjeje të ambasadës ruse për lojtarët kosovarë, zyrtarët e klubit kryeqytetas kanë vënë në dijeni UEFA-n, që është organizatorja e aktivitetit, e cila ditë më parë i bëri apel Federatës Ruse të Futbollit që t'i japë zgjidhje problemit. Përpos përgjigjes që do të marrë nga UEFA, në këtë rast Partizani ka nevojë edhe për ndihmën e qeverisë shqiptare, e cila me mekanizmat e saj mund të bëjë të mundur udhëtimin e dy kosovarëve me ekipin në transfertën e Krasnodorit.

ramadani partizani

Qeveria jonë mund të ndërmjetësojë me qeverinë ruse për pajisjen me viza të dy lojtarëve ose me një procedurë urgjente Ibrahimi dhe Ramadani mund të pajisen me pasaporta shqiptare. Fati i keq i Partizanit është se kjo është periudhë pushimi për institucionet tona.

ILIR CARA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama