Provincat ilire

Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të shek. IV provincat ilire mbetën me perandorinë e Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore e provincave ilire nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se ato u bënë krahina periferike të perandorisë, çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë krahina të pasura me qendra të mëdha zejtare dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë, kriza e skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë. Edhe pse nuk arriti të ndalonte dyndjet e “barbarëve” në Ballkan, Perandoria Bizantine me burimet e saj ekonomike mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një shtet i madh edhe një mijë vjet të tjera. Kurse perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë para sulmeve të “barbarëve” dhe në vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të udhëhequr nga Odoakri.
Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara nga invazionet barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI patën një farë ngritjeje që u vu re në shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një degë e rëndësishme e ekonomisë. Karakteri i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë edhe më parë. Në disa vendime shtetërore që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë gjendja e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi i këtyre vendimeve ishte ndalimi i përpjekjeve të pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për t’u marrë fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë. Në pronat e mëdha bujqësore figura qendrore ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet për kolonë të lirë e kolonë të varur. Të parët, krahas tokës që merrnin nga pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre, kurse të fundit ishin të lidhur pas tokës; as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë, midis kolonëve nuk kishte më asnjë ndryshim çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.
Edhe në shekujt V-VI në provincat ilire nuk qenë zhdukur pronat e vogla tokësore; në viset malore vazhdonin të ruheshin edhe bashkësitë e lira fshatare. Si më parë, edhe tani shteti bizantin duke ruajtur pronat e vogla fshatare dhe duke ndaluar rrënimin e tyre, kërkonte të siguronte një prodhim sa më të madh drithërash, të mblidhte taksat dhe të rekrutonte ushtarë. Fshatarët ishin të detyruar të kryenin edhe angari të shumta në hapjen e rrugëve, në ndërtimin e urave e të kështjellave. Për t’u shkëputur nga vështirësitë ekonomike, ngarkesat e shumta me taksa, veprimet e padrejta e dhuna e nëpunësve të financave dhe për të mos u kthyer në kolonë, fshatarët kërkuan mbrojtjen e pronarëve të mëdhenj me ndikim që ishin të interesuar të kujdeseshin për ta (v. 468). Lindi kështu patronazhi latifondar, i cili u përhap mjaft saqë perandorët nxorën urdhra për ta ndaluar atë.
Rrënimi i fshatarësisë u bë më i theksuar, veçanërisht në fund të shek.V dhe në fillim të shek.VI, kur ajo u ngarkua me taksa edhe më të rënda. Fshatarët e provincave ilire qenë të detyruar t’u paguanin pronarëve të mëdhenj të tokave një taksë të re në të holla, ndërsa shtetit në ar. Të gjitha këto ndihmuan në ruajtjen në këto provinca të marrëdhënieve mall-para, por fshatarët qenë shtrënguar të shisnin në treg prodhimet e tyre ose të merrnin hua nga fajdexhinjtë. Duke mos qenë në gjendje për të paguar me kohë borxhet ata duhet t’u dorëzonin atyre gjithçka zotëronin dhe pastaj të kërkonin mjete jetese në qytetet ose të hynin në radhët e ushtrisë. Në këtë mënyrë, në ushtrinë e perandorisë së hershme bizantine hynë shumë ilirë.
Për provincat jugore ilire të asaj kohe ka qenë karakteristik zhvillimi i bujqësisë në qendërbanime të vogla, të fortifikuara, të cilat, sikurse tregojnë të dhënat e arkeologjisë, të shek. V-VI, ishin bërë qendra të rëndësishme ekonomike. Por në këta shekuj ekzistonte një ndryshim midis provincave jugore e veriore; këto të fundit i përballuan të parat goditjet e sulmeve të “barbarëve”. Në provincat jugore që nuk u prekën aq nga inkursionet e barbarëve dhe qenë krahina pa trupa të rregullta ushtarake, u ruajt në mënyrë më kompakte popullsia e vjetër fshatare e qytetare. Burimet e shkruara tregojnë se edhe në shek. V dardanët përbënin një popullsi të madhe e kompakte, kurse nga burimet mbishkrimore rezulton se në këtë provincë edhe në shek. VI vazhdonin të ruheshin emra vetjakë e emra fshatarësh ilirë.
Në provincat ilire edhe në shek. V e VI jeta qytetare vazhdoi pa ndërprerje, megjithëse numri i qyteteve ishte pakësuar edhe më shumë. Hierokli, në udhërrëfyesin e tij të shek. VI përmend në katër provincat jugore ilire, emrat e 27 qyteteve, disa prej të cilave ishin edhe qendra peshkopale. Sidoqoftë, me gjithë numrin e pakësuar të qyteteve dhe krizën e skllavopronarisë, në shek. VI, në Iliri kishte ende qytete relativisht të pasura ose qytete që kishin ruajtur rëndësinë e tyre. Në këtë kohë, pas shkatërrimeve të shekujve paraardhës, ka qenë karakteristike një rigjallërim i jetës në qytet dhe në fshat, dhe një qëndrueshmëri në raportet mall-para.
Që nga fundi i shek.V dhe gati gjatë gjithë shek. VI, kur ndodhi rilulëzimi i jetës qytetare, numri i monedhave u shtua në mënyrë të ndjeshme. Monedha të kësaj kohe, e sidomos monedhat e perandorit Justinian, të perandorit Justin qarkullonin gjerësisht; ato gjendeshin jo vetëm në qytetet, por edhe në qendërbanime të fortifikuara e të vogla e në zona të brendshme malore.
Në pjesën ballkanike të perandorisë së Bizantit një qytet i madh ka qenë Dyrrahu. Në Dyrrah vinin anije nga vende të ndryshme të Mesdheut, kurse rrugët tokësore që niseshin nga ky qytet nuk e kishin humbur rëndësinë e tyre. Këtu ndodheshin punishtet dhe arsenalet që furnizonin me armë e me mjete të tjera ushtrinë e flotën perandorake. Qyteti, dy herë i dëmtuar nga tërmetet dhe nga pushtimi i gotëve, ishte mëkëmbur dhe zbukuruar me mure të reja. Perandori bizantin Anastasi (v. 491-518) që ka qenë me origjinë nga ky qytet, e rrethoi Dyrrahun me një kurorë trefishe muresh mbrojtëse dhe ndërtoi aty një hipodrom të madh. Shkrimtari i shek. VI, Prokopi nga Gaza, e përshkruan Dyrrahun “si një qytet të madh që zgjatet nga toka në det, që ka me tepricë nga ato që mund të prodhojë toka e deti”.
Ndërtime me karakter fortifikues në provincat jugore ilire janë bërë edhe pas sundimit të Anastasit. Prokopi i Cezaresë, bashkëkohës i perandorit Justinian ka shkruar se ky i fundit, për të mbrojtur perandorinë e provincat e saj nga sulmet e mundshme të barbarëve, ndërtoi e rindërtoi një varg kështjellash. Vetëm në tri provincat ilire jugore sipas listës së hartuar nga autori i mësipërm, numri i qendërbanimeve të fortifikuara arrinte deri në 168. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se në shek. V-VI në Iliri janë ndërtuar një tok kështjellash, shumë prej të cilave nuk përfshihen në listën e atyre kështjellave, që sipas Prokopit të Cezaresë janë ndërtuar e rindërtuar nga perandori Justinian. Përveç qyteteve të rrethuara rishtas me mure, por shpeshherë të kufizuar në sipërfaqe të vogla, vërehen në këta dy shekuj përpjekje të vetë popullsisë për të fortifikuar qendërbanime të reja ose për t’u kthyer në kështjellat e vjetra. Sikurse është provuar nga të dhënat arkeologjike, në këta shekuj vihet re një rritje e rolit ekonomik të qytezave të reja të fortifikuara, sidomos në ato krahina ku ishte dobësuar autoriteti perandorak. Kjo bëri, sidomos në periudhën parafeudale, që të rigjallërohet popullsia vendëse dhe që krahinat e brendshme të fitojnë një rëndësi të veçantë, e cila do të shfaqet që nga shek. VII e më tej në vendosjen e feudalizmit si sistem ekonomik.
Në shek. VI u krijuan kushtet jo vetëm për ndërtime me karakter mbrojtës, por edhe për ndërtime të tjera me karakter monumental. Kësaj kohe i përkasin ndërtime të shumta të kultit të krishterë në qytetin e Bylisit, Butrintit si dhe në qendrat e tjera të vogla. Këto kanë qenë monumentet e fundit të shoqërisë antike.
Në shek. VI autoriteti perandorak ishte ende i fortë në krahinat bregdetare dhe në qytetet. Qytetet e provincave ilire nuk kishin më magistraturat municipale, as edhe vetadministrimin e vjetër. Ato kishin rënë në duart e funksionarëve perandorakë. Nga paria e vjetër sunduese kishte mbetur një pakicë e vogël e përbërë nga pronarët e mëdhenj të tokave. Funksionarët shtetërorë dhe të kishës i ruajtën të paprekura pozitat sunduese. Nga radhët e kësaj shtrese qenë zgjedhur edhe perandorët. I tillë ka qenë edhe Anastasi që vinte nga gjiri i aristokracisë senatoriale të Dyrrahut. Por edhe në këtë kohë ushtria vazhdonte të luante një rol të rëndësishëm në shtetin e Bizantit dhe prej asaj vazhduan si më parë, të dilnin perandorët. Ushtarakë ilirë, që kishin bërë karrierë në ushtrinë bizantine qenë edhe perandori Justin I (518-527) dhe ai Justinian (527-565). Sipas një burimi të shkruar bizantin perandori Justin, fshatar me origjinë nga Dardania, duke mos siguruar dot jetesën në vendlindjen e tij kishte shkuar në Konstantinopol dhe kishte hyrë në radhët e ushtrisë, ku arriti më pastaj deri në postin më të lartë shtetëror.
Me kohë, në qarqet sunduese të provincave ilire, si kudo në perandori, një rol të madh filloi të luante kisha e krishterë e përfaqësuar nga kleri i lartë, i cili për shërbimet kundrejt perandorisë merrte si dhuratë toka e pasuri të ndryshme. Në shek. VI kisha e krishterë ka pasur prona të saj në provincat e Bizantit prej nga nxirrte të ardhura të mëdha.
Shek. VI përbën përpjekjen e fundit të rigjallërimit të antikitetit në Ballkan. Në gjysmën e dytë të shek. VI dhe në gjysmën e parë të shek.VII do të rifillojnë invazione e dyndje të reja popujsh, të cilat do të sjellin ndryshime në përbërjen etnike të gadishullit dhe do të çojnë në rënien e plotë të sistemit antik të prodhimit. Në Perandorinë e Lindjes, në të cilën bënin pjesë edhe provincat ilire, ku skllavopronaria ka qenë më pak e zhvilluar, procesi i shthurjes së mënyrës antike të prodhimit dhe vendosja e feudalizmit u bë më me ngadalë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama