Qindra shqiptarë protestuan dje para përfaqësisë diplomatike të Maqedonisë në Munih, të Gjermanisë.
Me moton “Stop terrorit maqedonas ndaj shqiptarëve autoktonë”, diaspora ka shprehur revoltë ndaj sjelljes së pushtetit aktual në Maqedoni ndaj shqiptarëve.
Organizatorët e protestës theksuan se, kjo protestë ishte në përkrahje të shqiptarëve të Kumanovës, ku me këtë kundërshtohet terrori i ushtruar nga ana e policisë maqedonase në ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë më 9 dhe 10 maj gjatë aksionit policor, pjesë kjo e banuar me shqiptarë.
Protesta është përkrahur nga shumë shoqata atdhetarë, si dhe degët e disa partive shqiptare në Gjermani, Zvicër dhe shtetet përreth.
Organizatorët e protestës i drejtuan një letër për reagim institucioneve gjermane për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Maqedoni dhe nevojën për avancimin e pozitës së tyre.