Profesioni i ri i shqiptarit... Mitingash!

Profesioni i ri i shqiptarit... Mitingash!
Nëse do të shikosh aktivitetin e përvitshëm të Dëshmitarëve të Jehovait, zhvilluar në stadiumin ‘Selman Stërmasi’, do të habitesh nga pjesëmarrja e njerëzve. Njësoj ndodh me aktivitetet e PS, PD, AK dhe kështu me radhë. Edhe pse Shqipëria është drejt zgripit të varfërisë, njerëzit duken se të vetmin argëtim kanë mitingun. Dy intelektualë të shkencave sociale zbulojnë fenomenin...
 
Është e habitshme por njëkohësisht edhe një fakt i njohur dhe i pranuar tashmë. Nuk ka grumbullim partish, organizimesh fetare, që ti nuk shikon me dhjetëra, qindra dhe shpesh mijëra veta, mbledhur me urdhër, por edhe me vetëdije. Kulmi arriti pak muaj më parë, kur mitingjeve të PS-së, i përgjigjej me të njëjtin numër, madje edhe me më shumë njerëz, PD-ja me militantët  e saj. Edhe pse vendi sot është në zgrip të varfërisë, pak centimetra nga recesioni, të cilin nuk e fsheh më dot as dhe guvernatori i Bankës, shqiptarët mësyjnë e mësyjnë mitingjet. “Nuk ka nevojë të provohet se në shoqërinë tonë ekziston vetëm një mendim kalkulativ që ka në bazë prirjen e përfitimit me çdo kusht”, thotë sociologu i njohur Gjergj Sinani.

Për hir të vërtetës, kjo është e njohur, por frika më e madhe, sot, është se mitingjet veç grupeve shoqërore, që kanë shumë mungesa intelektuale u janë bashkuar në masë edhe individë, apo grupime me parametra intelektualë. Arsyeja dihet:Pjesëmarrja konvertohet në kredite për karrierë dhe mbijetesë të lehte. Nëse do të bëjë një miting PD-ja e sotme, do të kesh si publik veç militantëve të zakonshëm dhe pa fund njerëz të administratës publike, shtuar me ata që aspirojnë për punë. Të njëjtën akuzë merrte PS-ja e një viti më parë për punonjësit e bashkisë, që u duhej të shkonin në mitingjet e z.Rama.

Në tubimet e zonjës Topalli, janë referuar shpesh deri raste të marrjes së fëmijëve të shkollave dhe rastet nuk mbyllen këtu. Apogjeu arrin me mitingjet e kryeministrit Berisha, që edhe kur bën inaugurime publike në sfond ka militantët trupshëndoshë të PD-së, që festojnë veprat publike me flamurin dhe me sloganet e PD-së. Dhe, habia sërish nuk mbaron këtu. Të njëjtit njerëz, kryesisht nga provinca, Dëshmitarët e Jehovait i mbledhin në një tubim vjetor nga i gjithë vend në Tiranë.

Vallë a ka shqetësim tjetër homo albanicus? Vallë i kanë aq në terezi punët? Jose Ortega y Gasset, filozofi i njohur spanjoll, mbase jep një përgjigje kur shpjegon se : “Turmat arrijnë të shtypin nën vete çdo gjë që është e ndryshme, çdo gjë që nuk është e mrekullueshme, e përveçme, e kualifikuar dhe e zgjedhur. Cilido që nuk është si çdokush, që nuk mendon si çdokush, ndjen me vete rrezikun e të qenit i eliminuar, edhe pse është sigurisht e qartë që ky ‘çdokush’ nuk është ‘çdokushi’”.

 Po pse ndodh e gjitha kjo? Përgjigja është më se e qartë. Përmes imazheve të gënjeshtërta, që shiten si demokratike, liderët e sotëm shqiptarë të gjithë krahëve kanë nevojë për numrat që të sundojnë. Dhe, sundimi, bëhet me mirëkuptimin e një mase të madhe amorfe, që mendon gjithnjë e më pak dhe dëshiron gjithnjë e më shumë të përfitojë privilegje që nuk i meriton.

“Kështu, në jetën intelektuale, që në thelbin e vet kërkon dhe presupozon kualifikim, çdokush mund të vëzhgojë triumfin përparues të pseudo-intelektualëve të pakualifikuar, të pakualifikueshëm, madje në sajë të vetë strukturës së tyre mendore, të skualifikueshme”, vëren Gasset. S’ke çfarë të shtosh më shumë. Në këtë argument mund të gjesh dhe arsyen sepse shoqëria shqiptare dhe pas 100 viteve të ekzistencës së shtetit ka mbetur ende në nivele infantile dinjiteti. Të hapësh dokumentet historike do gjesh edhe fytyrën e vërtetë të morisë së figurave tona të glorifikuara, që kanë bërë pazare nga më të turpshmet, bashkë me turmën e tyre, që ka qenë gjithmonë e etur për të ndjekur rrugën e lehtë, atë që e turpëron një popull me dinjitet.

“Në këto kushte pjesëmarrja në mitingje është shndërruar në një kryeprofesion: për të ruajtur vendin e punës ose për të zënë punë pas rrotacionit të partive politike, për të përparuar në karrierën politike ose për të mbrojtur bizneset private, për të përmirësuar jetën dhe, më së shpeshti, për të mbijetuar. Papunësia masive dhe paqëndrueshmëria politike përforcojnë gatishmërinë e shumë shqiptarëve për të marrë pjesë në shumicën e mitingjeve, pavarësisht nga orientimi i tyre politik, fetar, sportiv, artistik etj. Kësisoj pjesëmarrja në mitingje shqiptarëve u është imponuar si epidemi me viruse kryesore ato të politikës” sqaron modestisht sociologu i njohur Zyhdi Dervishi.
 
Epidemi e një “profesioni” të ri
Sociologu Zyhdi Dervishi shpjegon pjesëmarrjen në mitingje si epidemi të një “profesioni” krejt të ri që po lind

Në kundërshtim me traditën historike afatgjate, pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët që banojnë brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin pjesë në shumë mitingje të llojllojshme. Gati pjesëmarrja në mitingje është shndërruar në një profesion jo vetëm për të rriturit e të moshuarit, por edhe për të rinjtë e fëmijët. Sidomos përgjatë viteve 1945-1965 me shumë mitingje masive priteshin e përcilleshin drejtuesit kryesorë të shteteve ish-socialiste. Përgjatë rrugës së shkurtër nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit deri në Tiranë delegacionet e rëndësishme të partive dhe shteteve komuniste nderoheshin me disa mitingje të organizuar në aeroport, në Fushë-Prezë, në Vorë, te Ura e Limuthit, në Tiranë dhe në çdo qytet apo fshat kur ata dërgoheshin për vizitë. Nga ‘temperatura’ e entuziazmit të dirigjuar politikisht të këtyre mitingjeve përcaktohej në një shkallë të madhe masa dhe llojshmëria e ndihmave dhe e kredive që shtetet e tjera socialiste totalitare jepnin për Republikën Popullore të Shqipërisë, si vendi më i vogël i ish-kampit socialist të atyre viteve,

Pas shpërbërjes së regjimit socialist totalitar çdo parti ose partizë (deri tani janë regjistruar rreth 140 parti, duke u bërë kështu Republika e Shqipërisë vendi me numrin më të madh të partive për frymë të popullsisë) rilevohet në skenën politike ose demonstron forcën nëpërmjet mitingjeve. Në këto kushte pjesëmarrja në mitingje është shndërruar në një kryeprofesion: për të ruajtur vendin e punës ose për të zënë punë pas rrotacionit të partive politike, për të përparuar në karrierën politike ose për të mbrojtur bizneset private, për të përmirësuar jetën dhe, më së shpeshti, për të mbijetuar. Papunësia masive dhe paqëndrueshmëria politike përforcojnë gatishmërinë e shumë shqiptarëve për të marrë pjesë në shumicën e mitingjeve, pavarësisht nga orientimi i tyre politik, fetar, sportiv, artistik etj. Kësisoj pjesëmarrja në mitingje shqiptarëve u është imponuar si epidemi me viruse kryesore ato të politikës.

2. Shqiptarët: me instinktin e fisnikut

Sikurse popujt e tjerë të Ballkanit, edhe shqiptarët dallohen për individualitet të theksuar. Në kulturën tradicionale shqiptare ka shumë norma kanunore që rilevojnë qartë veçoritë e individualitetit të çdo shqiptari. Popuj të tillë janë larg frymës së turmës. Këtë e kanë vënë në dukje edhe njohësit më të kualifikuar shqiptarë dhe jo shqiptarë të modelimit psikokulturor të popullit shqiptar si Edith Durham, Faik Konica etj. Konica ka argumentuar se shqiptarët asnjëherë nuk i janë nënshtruar mendësive e veprimeve të verbra të turmave, se shqiptarët i kanë mbetur besnikë instinktit prej fisniku për të mos keqtrajtuar në asnjë rrethanë kundërshtarët, sidomos kur ato janë të mundur ose janë në situatë të vështirë.
 
Në Shoqërinë tonë ka vetëm mendim kalkulativ
Studiuesi i njohur Gjergj Sinani shpjegon në mënyrë të përmbledhur këtë fenomen

"Ne vitin 1957, Haideger na la një parashikim qe, mesa duket, po realizohet me se miri në shoqërinë tonë. Ai theksoi se rreziku më i madh për njeriun modern dhe që e godet në substancën më intime të tij, është prirja e njeriut për të ikur para mendimit, dhe kur them para mendimit, thekson, ai ka parasysh mendimin meditativ dhe jo atë kalkulativ. Nuk ka nevojë të provohet se në shoqërinë tonë ekziston vetëm një mendim kalkulativ që ka në bazë prirjen e përfitimit me çdo kusht. Kjo do të thotë se qytetari i shoqërisë demokratike duhet të mendojë nga koka e vet dhe jo përmes kokës së të tjerëve. Një dozë e madhe skepticizmi është e domosdoshme në demokraci, me qëllim që qytetarët të mos bien viktima të mashtrimit nga "sharlatanët politike' siç shprehej dikur Tokëvili kur trajtoi problemin e demokracisë.

Ishte një kohë kur individi edhe pse jetonte në kushte të mjerueshme, ai ndihej krenar në mbledhjen e partisë, apo për pallatin e kulturës, apo pse drejtohej nga udhëheqësi më i madh në botë. Këtë situatë Vilhen Rajhu e mishëroi në këto fjalë të famshme: "Njeruc, edhe pse je i zhytur deri në fyt në baltë, nxjerr pak nga pak kokën për të bërtitur 'Rroftë!'".
Koha jonë nuk ka nevojë për britma të tilla si "Rroftë!", apo "Poshtë!". Koha jonë ka nevojë për qytetarë që mendojnë, xhelozë për lirinë dhe që kanë respekt për vetveten."
         

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama