Prizren ne azilin e UCK-se

Prizren, ne azilin e UCK-se
Pakkush kujtohet tani për ta. Ndaj, veteranët e UÇK-së tashmë i kanë paketuar rrobat e luftës në dollape, kurse kujtimet e luftës i mbartin thjesht si ushqim për ëndrrat e tyre. Jeta e vështirë e përditshme, indiferentizmi, papunësia, skamja i ka tulatur krejt bijtë e luftës, që solli lirinë në Kosovë. Autoritetet politike kosovare kanë premtuar ndryshimin e statusit të tyre në këtë fillim janari, por deri më tashmë asgjë s’po bëhet. Medet, askush s’e kthen më kokën si më parë për njerëzit e lirisë...

I ngjan pak butaforisë së një teatri absurd. Një tryezë e madhe. Karrige bosh. Një stendë e harruar në një cep me fotot e dëshmorëve të Brigadës së 125-të të zonës së Pashtrikut. Në të gjithë ndërtesën e vjetër lodron e patrazuar një frymë e ftohtë, që vjen nga një derë e pambyllur. Prej saj hera-herës burra të ngrysur, të vuajtur, veshur keq, ndërrohen pa folur me njëri-tjetrin. Të gjithë vinë të kërkojnë diçka dhe nga aty dalin zakonisht me kokë ulur, sikur duan t’i ruhen derës së vogël, poshtë tabelës që shënon Qendra e Veteranëve të Luftës (OVL) për Prizrenin. Kemi mbërritur pak minuta më parë, disi vonë, sepse shoqëruesi ynë rastësor nuk e di ndërtesën, ashtu si edhe dy të rinj, pak më tutje që kemi pyetur. Duket sikur veteranët e UÇK-së, tashmë e kanë mbyllur edhe së gjalli misionin...

Në Prizren

Me ndalesat e zakonshme, katër orë udhëtimi me furgonet e linjës, janë të mjaftueshme të shkosh në Prizren prej Tiranës. Një emigrant i Zvicrës na merr pak përtej Doganës së Kosovës dhe na përcjell në ditët e fundit të dhjetorit 2010 drejt qytetit. Quhet Ismet dhe prej bajagi vitesh është në Zvicër. Shqipen e flet me aksentin e ngatërruar lokal dhe për t’u treguar më miqësor përdor shqipen standarde, që në gojën e tij rropatet keqazi. Paqësohemi. Flet po kaq keq me fjalët e përditshme edhe gjermanishten zvicerane me Jutta-n. Këtu biem të tre në pakt. Ka ndihur luftën dhe flet me nderim për djemtë e saj, por sikur ata të jenë nga ndonjë planet tjetër, gjithsesi. Pasi pyet dy-tre njerëz, na depoziton para një ndërtese, ku 35 minuta më vonë, neve ndërrohemi me dy burra të rinj të gjatë, që dalin me pezëm, duke i shpjeguar njëri-tjetrit me duar prej godinës së veteranëve në Prizren. Dikush na drejton tek një dhomë, ku një burrë i ngeshëm jep e merr me disa shkresa. Hylki Xhemaj, sekretari i OVL-së për Prizrenin ka përballë Gon Kryeziun, që nuk flet. Ky i fundit, me një kapuç të zi dhe me xhupin e gjelbër ushtarak, shikon ngultas. Heshtazi. Dikur sikur mbart një dramë, në gjithçka që e shikon. Nuk flet. Do pak të bisedojë. Ndërrojmë pak fjalë me Hylkiun dhe me djalin...Ndërkohë, ia behin Afrim Daka dhe e shoqja Baftia. Flasim pak, ndërsa për minuta të tërë zukat thjesht aparati fotografik. Qetësia prishet, kur veteranët gatiten të thonë diçka. Por është vështirë t’i qasesh. Askush nuk ankohet, por e para gjë që vëren është se të gjithë duken të brengosur dhe të varfër.

Goni pak më parë ka kërkuar një thes me miell, Afrimi me të shoqen një dokument. Duke ditur këtë gjendje, deri pak kohë më parë të rinjtë e Prizrenit bënin aktivitete kulturore dhe në fund mblidhnin ndihma për ta. Kryesisht për familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve. E pas ardhjes së PDK-së së Thaçit, veteranët e luftës së fundit të ish-Jugosllavisë arritën të marrin nga qeveria e tyre një mundësi që të trajtohen, por dhe të ngrenë lirisht përmendoret e tyre. Me kaq, e mbyllën. Një ditë dikush erdhi në zyrë dhe u tha: Mjaft. Më mirë të varfër sesa me lëmoshë. Vetëm se “kryeneçësia” doli e rëndë dhe burrave u duhet të vinë shpesh në zyrat e OVL-së për të kërkuar ndihmë. I vetmi moment, kur sytë e të gjithëve shkëlqejnë, është ai kur tregojnë sesi janë kyçur te UÇK-ja. E quajnë kyçur mobilizimin, sepse vërtetë ish-luftëtarët e UÇK-së tashmë u ka mbetur të flasin për bëmat. Heshtet shpejt. Ashtu si në dhomën tonë pllakos sërish heshtja. Ja ku janë si më parë: Të tulatur, të trisht, me pak shpresa dhe krejt të rrëgjuar.

Agroni

Agroni është i pari që do të na ndihë. E ysht pak Hylkiu, ndërsa ai me një shqipe shumë të kultivuar sqaron gjithë jetën e tij, sikur të bëjë rrëfimin e ndonjë filmi: “Kam shkollën fillore me keqardhje. Para luftës jam marrë me bujqësi dhe hoteleri në Prizren, por kam pas katandi të mirë. Si fëmijë kam pas jetë të mirë deri në moshën gjashtëvjeçare se kam pasur prindin gjallë. Në familje kemi qenë 4 vllazën dhe tre motër. Tash... Lufta e Kosovës s’është mburrje. Jam largu nga Kosova si shkak i ushtrisë dhe ika në Kroaci për të qenë në luftë me disa shokë. Nuk na murr mëndja me qëndru. Donim të bënim disa ushtrime para se të futeshim në luftë. S’doja të jetoja atje. E dija se do vija këtu një ditë. E kam pas një zakon dhe urrejtje se kam pas shtypje. Qysh në moshë të re kisha një përshtypje se do vinte dita kundër serbit”. Vazhdimi i tij është i thjeshtë. Pas një organizimi të fshehtë në fshatin e tij dhe përfshirjen në strukturat e UÇK-së i bashkëngjitet rezistencës dhe përfundon në Drenicë, ku fillon përgatitjet. Përfshihet në luftë deri në udhëheqje dhe lufton në afërsi të Prizrenit. Mbarimi i luftës e përcjell me uniformën e TMK-së, specializuar për çminime, por s’do të vazhdojë. E heqin. Arsyeja? Ngre supet. Babai i tetë fëmijëve, tani i duhet të mbijetojë me ndihmën e vëllezërve dhe një pensioni gati qesharak...Tregon. Nuk ankohet. Do të flasë.

Hylki Xhemaj

Nga përtej dhomës, Hylkiu 61-vjeçar e ndjek i qetë. Sekretari i organizatës së veteranëve të UÇK-së për Prizrenin, ndërhyn për të më shpjeguar gjendjen e sotme të tyre në Prizren. “Organizata jonë ka 1300 anëtarë që kanë luftuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, gravituar në dy brigada: ajo 125 dhe ajo 128. Ne kemi dhe luftëtarë që vinë me transferë nga e gjithë Kosova. Themi se familjarët e dëshmorëve dhe invalidëve u janë zgjidhur disi problemet po jo si e meritojnë dhe e duan. Familjet e dëshmorëve marrin 230 Euro dhe thuhet se nga 1 janari do u rriten 50%, kurse invalidët e marrin me përqindjen e invaliditetit. Në fakt veteranët janë vërtet në gjendje të mjerueshme Ata janë pasojë e një ligji të papërfunduar dhe sorollaten rrugëve dhe askush nuk kujdeset për ta. Shumica s’janë në marrëdhënie pune dhe madje në gjendje të vështirë dhe kërkojnë lëmoshë dhe ne nuk jemi në gjendje se nuk kemi mjete.

Vetë shoqata funksionon me kuotat 12 euro të anëtarësimit të njerëzve, ku gjysma shkon për pajisjen me karta dhe gjysma për gjërat e tjera…”. Pse kaq rëndë? - e pyes, ndërsa sytë e gjithë njerëzve të dhomës ngulen tek ai. “Problemi më i madh është se ata që kanë bërë luftën dhe sot nuk ankohen kaq”,-ma pret. Dikur Hylkiu ka qenë në Vri, ku ka formuar qendrën stërvitore të brigadës e 125. Ka arritur gradën major dhe beson shumë te partia e Thaçit. Në kohë lufte, babai i dy vajzave dhe pesë djemve, ka pasur njërin nga djemtë korrierin e tij, sepse “kujt mund t’i besosh më shumë sesa vetë gjakut tënd”, -më sqaron. Ish-arsimtari ka qenë oficer rezervist në Armatën Jugosllave, përderisa lufta e bëri të ishte armik me ish-kolegët e tij sllavë. Sot menaxhon punët e veteranëve, nga ku shikon gjendjen shumë të rëndë të tyre. Shumica, sipas tij, vuajnë për bukën e gojës, por janë aq krenarë sa të mos e përmendin kurrë...

Afrimi dhe Baftia

Pak metra më tutje, Prizreni bën jetën e tij i qetë. Qyteti më i begatë i Kosovës, ku artizanati, tregtia, profesionet, janë të larmishme, duket krejt i tulatur nga dimri. Qyteti i të gjithë shtresave, pothuaj i ka në radhët e të fundit për nga gjendja ekonomike, ish-luftëtarët. Afrimi dhe e shoqja Baftia sapo kanë marrë një dokument që u duhet dhe u duhet të rendin sërish. U kërkojmë pak minuta, ndërsa me kohë dhe një mundësi që tu shkojmë në shtëpi. Afrimi, ish azilant politik në Gjermani, prej një akuze, që i kanë bërë atëherë në Kosovë se merrej me shitje armësh dhe “me apelin e Vendlindja Thërret jam kyçur në Brigadën 138 ‘Agim Ramadani’ në Koshare. Që aty prej 17 marsit 1999 deri në përfundim kemi bërë një luftë të rreptë me agresorin.

Pas lufte, me formacionin kam zbritur në Junik të Deçanit, aty edhe ku jam demobilizuar”. Ka punuar pak kohë në njësitet e Sigurimeve Fizike, ndërsa pak nga pak i kanë rënë hallet e jetës. Ka gjetur shoqen e jetës, por kanë mbetur të dy pa punë. Nuk mundej të kthehej më në Gjermani, ndërsa nuk bëri atë që bënë disa duke zënë shtëpitë e serbëve. Tani në familjen me dy fëmijët ka një mundësi, teksa rri te xhaxhai i tij, ndërsa vetë “S’kam tokë, kurse si veteran s’kam asnjë pension se nuk kishte asnjë ligj. Tani që është miratuar nuk e dimë se çfarë shkruhet në atë status, ndaj jam i trishtuar…

Dhe, shumë më vjen keq për çdo luftëtar. Por opet jemi me besim dhe besoj shumë në Zot. Dhe kemi shumë që kanë humbur dorën këmbën dhe nuk dinë ku janë dhe vërtetë më vjen keq për çdo njeri që ka qenë në luftë”…Si reagon kur flasin keq për veteranët?-e pyes. Reagoj keq, ma pret. Baftia nuk flet, por ajo e ka nisur luftën që në fillim të viteve ’90, duke shpërndarë materiale subversive. E ardhur nga Dobrusha ajo ka qenë militante e njohur dhe me Afrimin është njohur në luftë.

E kanë adhuruar lirinë, atë që sot i ka lënë të trokasin derë më derë për një të drejtë më shumë apo për një punë “Për luftën unë isha shumë krenare dhe ëndrra ime mbetet bashkimi i trojeve shqiptare që shpresoj se një ditë do të vi, por ne që bëmë luftën, tani si veteranë s’kemi asnjë të drejtë. Jam në gjendje vërtetë të rëndë. Dhe tash 12 vjet që ka mbaruar lufta shumë më të vështirë. Nuk kemi tokë dhe jemi aq shumë të varfër saqë na ndihmojnë të afërmit. Jam e zhgënjyer, sepse shumë njerëz që s’kanë qenë në luftë janë pasuruar, kurse ne jo vetëm s’bëmë prokopi, por mos të them jemi dhe të përbuzur. Burri im ka qenë i sëmurë dhe asnjë mjek s’kujdesej sepse s’kishim para”. Baftia do të flasë shumë, por koha s’i pret. Pak ditë më vonë, na ka ftuar në shtëpi, ndërsa duke ikur më thotë se do të donte “thjesht një rrogë se jetojmë shumë keq”. Ndahemi. Janë krenarë në largim.

Komandanti i Koshares

Çifti nxiton, ndërsa kemi dalë nga mjediset, ku sapo mësyn një burrë me një kapuç dhe një nishan. Është një nga komandantët e Koshares, që tashmë ka funksionin e inspektorit të menaxhimit të emergjencave në qeverinë e Kosovës. Është e vështirë t’u qasesh, por më shumë t’i bindësh. Dhe, ai do të ikë!!! Për fat, Agroni vazhdon të rrijë me ne. Burri ka luftuar dhe drejtuar në Koshare dhe serbët e kanë nxjerrë dhe të vrarë. I përndjekur nga UDB-ja më ’93-shin ka qëndruar disa kohë në Tiranë dhe pastaj ka kërkuar azil në Gjermani, duke qëndruar deri më 98-n, kur ka ardhur për t’u kyçur në UÇK. Komandanti i kazermës së Cahanit ka punuar për përgatitjen e luftëtarëve në Kolsh, Kalimash, Babin me Aleks Andonin, Kudusi Lamen etj. Ka qenë në luftë si komandant në Dukagjin dhe komandat i parë i kazermës së Koshares. Është një nga protagonistët e përzënies së serbëve më 9 prill dhe më pas oficer i TMK-së. “Unë jam ai personi te insertat që më treguan si të vrarë serbët”, më thotë. Pse kaq të varfër?-i pyes. “Po sepse shumë prej tyre kanë vështirësi, por gjërat do rregullohen, sepse qeveria e re na ka premtuar”, më thotë. Në fakt është i lexueshëm, që e ka mirë me politikanët. Muhabetin e mbyllim thjesht: Ka qejf të flasë me komandantin serb, kundër të cilit ka luftuar...

Invalidët, Hamza

Kanë kaluar minutat, orët dhe duket se duhet të lëvizim. Agroni ka marrë përsipër të na shoqërojë. Dhe, stacioni tjetër është një tjetër ish-luftëtar invalid, që kryen detyrën e sekretarit të invalidëve. Hamzë Kryeziu, që ka të njëjtin mbiemër si Goni na pret me një patericë të madhe. Njësoj dhe ai nuk flet shumë. I ruhet pushtetit dhe kjo e bën Gonin, të reagojë: A ban me fol tamam! “Të flas për tani. Ka invalidë. Ka normal se nuk janë të kënaq. Por mund të jen vetëm të kënaq me pavarësinë, por me të tjerët janë si të anashkaluar”. Bëhet i drunjtë sërish. A ka pasur ndonjë përpjekje për të aderuar në shoqatat që kanë lidhje me invalidët e luftës, serbë, boshnjakë, apo kroatë, e pyes. “JO, më thotë. Vetëm serb jo. Me t’gjithë të tjerët. Kurrë me ta. Shumica e veteranëve janë të thjeshtë, por besoj se do rregullohet me ligjin, por kjo puna e veteranëve është pak problem se është fryrë numri shumë”. Është i stepur, por shumë dashamir. I druhet ndonjë rrengu në zyrën modeste, që ngjan si zyrë magazinieri. Ai vetë duket se nuk e mbush dot. Ndaj dy raftet e vjetra, një tavolinë e stërmadhe dhe zyra duken në gjendje katastrofë. Burri ka qenë një emër i njohur për Prizrenasit, ashtu si edhe Goni...Flasim pak nga pak më çlirët. Tani, është thjesht invalid dhe mundohet të menaxhojë jetën e tij...

Arlindi

Jeta e Hamzës, si e të gjithë të tjerëve, ka vetëm një kuptim: të rrisë fëmijët dhe ta lënë të qetë. Ndaj druhet e druhet. Pak qindra metra më tutje, në një zgëqe, qëndron Arlindi. Hamza na ka siguruar një lidhje me të dhe na përcjell atje me një veteran të luftës invalid, që në pamje të parë mund ta marrësh si sportist. Arlindi Karahoda, 37 vjeç, nuk shpreh asnjë shenjë emocioni kur na shikon. Flet shqipe të rëndë dhe duket se është nga ajo pjesë e prizrenasve, që ka si gjuhë më të përparuar turqishten. Ka mësuar vetë të punojë si teknik kompjuterash, ndërsa rri gjithë ditën i futur në një si zgëqe, mbase 1x2 metra.

Do lirohet pak nga pak nga pyetjet ndërsa emocionet e përfshijnë të gjithin. “Kur njëfarë kushti s’kemi. Kurrkush s’pyet si i ke senet? A ke bukë? Jam 60% invalid, ngaqë s’kam një këmbë. Jam me protezë dhe kam plagë dhe në këmbë tjetër. Kam qenë këtu në Vri dhe në Koshare. Atje dhe jam plagos, sepse kam qenë në Komandën e Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Para lufte merresha me shtypje etiketash. Pas lufte, dy vjet asgjë s’kam bërë. Kam nis me shtypjen dhe punova dy-tre muaj dhe kam paraqit probleme mjekësore. Pastaj, vetë e mësova dhe tani riparoj kompjutera”. E mendoje këtë indiferencë të shtetit ndaj jush?-e pyes. “S’më ka shku mëndja që kështu bëhet. Po më vjen keq posaçërisht sepse dhe ata që ishin të involvuar me okupatorin e kanë më të mirë gjendjen se ne. Jam i zhgënjyer, por ishalla bohet më mirë. Për 10 vjet, veç 80 euro kam marrë në muj. Dhe, diçka kam borxh në shtëpi rrymën prej banderës. Më vjen keq, se të tjerë kanë borxhe me mijëra euro dhe një invalid, si unë, me dy pleq i presin dritat. Kjo është poshtëri e KEK-ut. E dinin që edhe jam kon veteran i ushtris”…Ndodh dhe me të tjerët?-e pyes. “Ka dhe më të zhgënjy se unë”, ma pret.

Epilog

Kur ndahemi me Arlindin, koha po hapet pak, ndërsa i ftohti është i varur kudo. Agroni na fton në shtëpi, që e ka në një fshat tej Prizrenit. Sikleti dhe ajo vrenjtësia e tij e pandalshme ka qenë, ngaqë nuk ka me çfarë të paguaj taksinë. E qetësojmë. Kur bëhemi mes fëmijët e tij pak kohë më vonë, e gjitha darovitet nga fytyra e tij. Na flet hapur. “Mund të flas shumëçka. Dikur isha optimist. E di ku është gabim, më thotë. Më shumë ja kemi bërë njeri tjetrit për gjëra interesi. Na ka kushtu se ka pasur njerëz që janë rradhit në UÇK për interes dhe qëllim. Kanë shfrytëzu rastin dhe kanë parë përfitimet materiale. Unë dhe të tjerët s’kemi pasur kohë apo të tjerë që të merremi me këto, sepse unë duhet të bëja me TMK-në deminimin”. Si e shikon Kosovën dhe fatin tuaj?-e pyes. “E shoh një hap pas Kosovën. Faji është jetim gjithmonë, megjithëse fajtorët dihen mirë.

Nuk fajësoj askënd por as veten. Më është imponu me ardh deri këtu, ngaqë kam parë se ka pas njerëz të atillë që kanë dash të heqin njerëzit e luftës”. Trishtimi zë vend sërish, ndërsa fjalët optimiste të Hylviut më largohen pak nga pak. Ndihma për veteranët e Kosovës, tashmë ka mbetur në letër. Është vonë, ndërsa duhet të kthehemi. Goni na heq udhë. Lufta e këtyre djemve na ka bërë që të vimë brenda ditës në Shqipëri. Por kush do t’ia dijë vallë?! Neve, me Juttën, sapo kemi nisur rrugëtimin e parë, në një udhë të gjatë për të treguar historinë e tyre të vuajtur dhe të përbashkët me kolegët e tyre ‘armiq’, serbë, boshnjakë, maqedonë, kroatë, në të gjithë Ballkanin. Këtu mbyllet akti i parë i këtij teatri absurd. Është fund-dhjetori i vitit 2010.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama