Prishtina bujare

Prishtina bujare
PriFilmFest nuk lë pa çmim asnjë nga prodhimet shqipfolëse. Një shenjë solidariteti? "Hyjnesha e Artë" për bosnjaken Jasmila Zbanic. Të trija bashkëprodhimet shqiptare që merrnin pjesë në edicionin II të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë janë vlerësuar me çmime. Mbrëmja e ceremonisë e mbajtur në sallën e Sheshit 21 ku u mbyllën tetë ditë konkurrim, prezantim, njohje dhe së fundi vlerësim, ka ngritur mbi krye një shtrëngim duarsh të kinemasë ku flitet shqip, të asaj të prodhuar në Kosovë, në Shqipëri po edhe ndërmjet kufijve tanë etnikë dhe Gjermanisë.

Shenjë solidariteti është edhe çmimi i madh, i "Hyjnesha e Artë" që shkoi drejt Bosnje-Hercegovinës? Këtë mbetet ta thonë ata që duke ndjekur nga afër festivalet ku konkurrojnë kryesisht prodhimet nga Rajoni, gjejnë arsye të flasin për kinemanë jo në termat gjeografikë dhe politikë, por të kinemasë vetë.

Jasmila Zbanic, konkurroi mes 11 realizimeve me filmin "Na putu" (Në rrugë). Fituesja e Ariut të Artë në Berlinalen e vitit 2006, rrëfen marrëdhënien e një çifti të ri që jeton në Sarajevën e sotme. Prej debutimit në filmin e gjatë, "Grbavica" që i dha njohje ndërkombëtare, tek ky film i fundit, ndodh një zhvendosje e personazheve të Zabnic-it, të paktën aq sa të mos mbahen peng i të kaluarës dhe luftës. Filmi ka konkurruar në Berlinale 2010.

Zbanic ishte e ftuar në PriFilmFest, por mungoi natën e çmime. Trofeun e tërhoqi aktori protagonist dhe bashkëproducenti bosnjak i këtij filmi, Leon Lucev.

Juria e festivalit e përbërë nga producentja Eva Orner, kineasti gjerman Andreas Maxstrohl, regjisorët shqiptarë Gjergj Xhuvani dhe Agim Sopi dhe kineasti italian Fausto Paravidino, e vlerësoi më të mirin e realizimeve që vinin nga Irani, Kroacia, Franca, Turqia, Bullgaria, Rumania, Shqipëria. Bëhet vlerësim reciprok po tyë kujtojmë se një film nga Kosova, "Kukumi" i regjisorit Isa Qosja, u vlerësua në Festivalin e Filmit në Sarajevë në vitin 2005 me Çmimin e Jurisë.

Duke u kthyer te filmat shqiptarë, "Gomarët e kufirit" i regjisorit Jeton Ahmetaj, prodhim i Qendrës Kombëtare Kinematografike të Kosovës, që u shfaq premierë botërore në PriFilmFest u vlerësua me Çmimin e Publikut.

Çmimi Special i Jurisë, një tjetër "Hyjneshë e Artë" shkoi për "Der Albaner" (Shqiptari) në regji të Johannes Naber, bashkëprodhim shqiptaro-gjerman.

"Hyjnesha e Artë" për Regjinë më të Mirë iu dha regjisorit Nader T. Homayoun për filmin "Tehroun", bashkëprodhim iraniano-francez.
Për nder të veprës së Bekim Fehmiut, PriFilmFest jep Çmimin Aktori më i Mirë, çmim që mbështet nga Ministria e Kulturës së Kosovës. Trofe të artë merr aktori nga Shqipëria Nik Xhelilaj për interpretimin në "Shqiptari". I dyti çmim për Xhelilajn pas Festivalit të Filmit në Moskë.

Ndërsa Aktorja më e Mirë, edhe ky quhet "Çmimi Bekim Fehmiu", shpallet artistja kroate Zrinka Cvitesic për interpretimin në filmin "Na putu" (Në rrugë).

"Gjallë" i Artan Minarollit u vlerësua me një çmim mirënjohjeje, i njëjti çmim si për prodhimin rumun "Kur dua të fishkëllej, fishkëllej" me regji të Florin Serban-it i pranishëm në ceremoninë finale.

Media dha çmimin e saj për "Lufta mbaroi" të regjisorit Mitko Panov, bashkëprodhim maqedonas-zviceran.

Drejtorja e PriFilmFest, Vjosa Berisha e ka quajtur të suksesshëm edicionin e dytë, dhe për këtë u është mirënjohëse miqve dhe mbështetësve të festivalit që edhe për moto kishte "Miqësia vazhdon".

Në këtë edicion u prezantua një kategori të re, filmi me metrazh të mesëm, 30 deri në 60 minuta, në 35mm, 16mm dhe dixhital. Seksioni i Retrospektivës iu kushtua regjisorit italian Gianni Amelio. E re ishte PriFilm Forum që mendohet të informojë kompanitë evropiane të filmit me prodhimet në proces nga Rajoni.

Në njërën nga netët festivalit ishte i ftuar aktori italian Franco Nero i cili prezantoi në Prishtinë premierën e filmit të tij të ri "Angelus Hiroshimae".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama