Primo Shllaku Shqipja rrezikohet nga gjuhet e huaja jo nga gegnishtja

Primo Shllaku: Shqipja rrezikohet nga gjuhet e huaja, jo nga gegnishtja

Poeti Primo Shllaku, drejtues i Institutit për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe, në një intervistë me “Gazetën Shqiptare” ka kundërshtuar rezultatet e studimit të Prof. Dhurata Shehrit e Prof. Persida Asllanit mbi raportet e letërsisë me dialektet. Sipas studimit të Shehrit e Asllanit, “duke ndërmarrë një shqyrtim statistikor bibliografik, në parashtrimin e tyre, të artikuluar mes kronologjisë, gjuhës dhe dialektit, të dyja studiueset sollën një pamje përfundimtare të tërësisë së veprave letrare shqipe të botuara (duke shmangur ribotimet) nga zanafilla e tyre 1555 deri më 1972, e cila rezulton në raporte mesatare 70% vepra autoriale në toskërisht dhe 30% në gegnisht”. Shllaku i kundërshton ato me argumentet e veta.

Një studim i kohëve të fundit nxjerr në pah faktin se letërsia shqipe shkruhet më së shumti në gjuhën letrare. Instituti juaj çfarë të dhënash ka?

Dhurata Shehri dhe Persida Asllani, që mbanin edhe peshën organizative të konferencës, ndoshta për herë të parë kanë krye nji qasje letrare-gjuhësore ndaj dukurisë së gjuhës letrare. Kjo qasje i ban shum nder këtyne studiueseve, sepse e shfaq për herë të parë problemin në nji kuadër ma të plotë dhe ma shterrues. Deri tashti kemi pasë të bajmë me gjuhëtarë që e shofin gjuhën vetëm si instrument të thjeshtë komunikimi me rregulla të ngushta gramatikore, pa e lidhë atë aspak me letërsinë dhe traditën, me kapacitetet gjeografike të krijueshmënisë letrare, me mitrat historike të prodhimit letrar, me specifikat e optimalizmit shprehës dhe përshkrues e nji seri faktorësh që Kongresi i Drejtshkrimit as që i shtronte e as që mund t’i shtronte për shkak të nivelit mediokër të stafit organizativ si dhe klimës panagjiriste, në të cilën u zhvillue.

Në konferencë thuhet se letërsia shqipe filloi vetëm me nji 30% si letërsi gege përkundër 70% si letërsi në tosknisht. Edhe po të ishte kështu e vërteta, edhe po qe se na do ta kishim lejen që pjesët t’i quenim si nënndamje të barabarta, raporti i saktë i pasaktësisë së këtij konstatimi do të ishte 33,33% me 66.66%. Dhe për ta amnistue këtë përcaktim aritmetik nga mëkati i lajthitjes, duhet thanë se na e dimë se shqipja e gjysmës së parë të shek.XX njihte haptaz dhe zyrtarisht tri koiné: gegnishten, tosknishten dhe arbnishten e arbneshëve të Italisë. Nëse arbnishtja ka ngjashmëni me tosknishten në sistemet fonetike dhe sidomos në mbaresat, në leksik ajo asht krejt e ndryshme nga tosknishtja, çka na autorizon me pohue drejtpërsëdrejti se gegnishtja e tosknishtja janë ma afër njena-tjetrës ma shumë se tosknishtja me arbnishten e arbneshëve të Italisë. Pra përkundrejt paraqitjes së masipërme me përqindje, sugjerojmë që të preferohet paraqitja se letërsia e re shqipe filloi me arbnishten dhe, në Rilindje të plotë, kishim mrekullisht nji barazpeshim të tri koineve me nga 33.33%. Due t’i kujtoj ndërkaq organizueseve të asaj konference se Rilindja nuk ishte vetëm nji stinë e madhe zhvillimesh, por edhe nji kohë e vetdijshme persiatjesh të kujdesshme lidhë me ekuilibrat endokulturorë.

Dhe për ta mbyllë, kjo çeshtje do të ishte skjarue ma së miri sikur studiueset e masipërme të kishin sadopak parasysh një libër të Stefan Çapalikut me titull “Prijësi për sociologjinë dhe gjeografinë e letërsisë shqipe”.

Në vitin 1972 raportet në letërsinë shqipe, ishin 70% në toskërisht e 30% në gegnisht ndërsa pas këtij viti gegnishtja duket se u shua. Ju si e shihni?

Më duket se e shterruem rezervën tonë rreth këtyne raporteve. Diskutimin ta fokusojmë tek termi “u shua”, ose sikurse thonë disa “u tërhoq”. A u tërhoq gegnishtja? Mendojmë se gegnishtja u tërhoq, por duhet spjegue mirë se çfarë kuptojmë na me këtë fjalë. Ithtarët e Kongresit, ndër ta ai që ma shum se askush tjetër e “vringëllin” këtë fjalë, z. Emil Lafe i cakton këtë kuptim kësaj fjale: gegnishtja e humbi davanë historike, i shterroi hovi jetësor, u gjet përballë konkurrencës së fortë të tosknishtes dhe “e la lojën”. Iku, pra. Ky koncept marksist revolucionar nuk ujdis me logjikën e shestimit gjuhësor, edhe pse në thalb asht hegelian. Nji “gjuhë” nuk mund ta humbasë davanë e saj në një hark kohor 20-30 vjeçar, veç në qoftë se mbi atë të ushtrohet nji presion shtetnor me markë diktatoriale dhe totalitare. Pra vetëm kështu mendojmë na. Gjuha, përkatësisht gegnishtja, mund të largohet, por ky largim nuk asht i përhershëm. Ajo largohet për ta ruejtë veten. Ajo ruen frymën e letërsisë së saj ma të mirë dhe, në rastin ma të keq, pret nji kohë tjetër. Mos të harrojmë se gjuha shqipe ka kalue jo nji here nëpër shtrëngime historike dhe ADN-ja e saj e ka shum të gjallë kujtesën imunitare dhe stratagjemat e përballimit të aktualiteteve në favor të gjithëkohësisë. Tosknishtja asht ma deklamative, ma “shërbimtare”, historikisht ka marrë përsipër edhe funksione të dukshme jashtëletrare. Do të sjell nji shembull. Në kohën e diktaturës u shkruen poema të ndiera për komunizmin, partinë dhe diktatorin. Hymnizime personale dhe mitologjike me nji ndjeshmëni të habitshme, plot patos dhe ndjenjë, plot mirënjohje të thellë dhe të sinqertë, me nji stil të habitshëm pjesëmarrës në atë çka thuhej. Këto shkrime fatkeqe janë shembuj ndoshta unikalë në botë, ku dashuria dhe estetika e saj shkojnë drejt objektit të gabuem. E njajta gja nuk mund të thuhet p.sh, për panagjiriket e Llazar Siliqit që asokohe shkruente me entuziazëm në gegnisht. Poema e tij me refrenin e njoftun e monoton “a ka kala që s’marrin komunistët” tingllon sot edhe atëherë si teneqe. Ky asht shkaku që gegnishtja u tërhoq nga pjaca e letrave shqipe për t’iu kthye “ilegalitetit”.

Cilët janë shkrimtarët që shkruajnë sot në gegnisht? Pse janë “zëra të mbytur”?

Instituti ynë ndjek me shumë vëmendje zhvillimet letrare e gjuhësore në terren. Lidhur me vështrimet e ndryshme dhe të kundërta me zyrtaren, na kemi ngritë variantin tonë dhe kemi folë me fakte, kurse pala tjetër ka folë me hamendje dhe me prepotencë, pra ashtu sikurse do të donin ata që të ishte. E kemi deklarue në TV dhe publikisht sa here që na asht dhanë rasti se lista e shkrimtarëve gegnishtshkrues mbas Kongresit të 1972 sot i ka kalue të 200 emnat. Na kemi dosje rreth emnave, titujve dhe botimeve të kësaj “morie” gegnishtshkruesish mbas Kongresit. Sa i përket qenies “zëra të mbytur” kjo pyetje do të ishte mire t’u bahej atyne që nuk kanë sy me pa e jo ne që e kemi “fillue kangën” qysh në kohë të vështira e me rrezik. Mendoj se në kulturën shqiptare ende nuk ka ardhë pluralizmi. Mendimi politik dhe ekonomik asht shum ma përpara. Kjo ndoshta se në këto fusha interesohen dhe ndërkombëtarët. Kulturën do ta “nxjerrim na prej balte”. Edhe kjo intervistë e imja këtij qëllimi i shërben. Duhet të shtoj se letërsia gege e mbas Kongresit ka jo vetëm të gjithë mbështetjen e traditës, por asht pasunue me ndjeshmëni të bashkohësisë. Dalëngadalë tradita po kthehet e fuqishme, ashtu sikurse ndodh mbas nji krasitjeje të thellë.

Në këtë krizë për librin, sa vend mbetet për letërsinë e dialekteve dhe atë gege?

Kriza asht totale. Na do marrim pjesën tonë të vëmendjes, si dhe pjesën tonë të indiferencës. Letërsia e bukur nuk ka nevojë për “kumbar”, aq ma tepër që këta gjuhëtarët tanë të zyrtaritetit ngulin kambë se nuk ka ndryshime të mëdha mes dialekteve. Pastaj stilet “shpikin” edhe gjuhën. Ndryshimet janë të pritshme dhe të mirëseardhura.

A mbetet e vështirë për t’u lexuar, kuptuar, përthithur e mandej për t’u dashur letërsia gege në një kohë që edhe standardi për brezin e ri po cungohet?

Unë mendoj se letërsia në gegnisht asht nji letërsi me status historik kombtar. Ky status buron nga cilësia e saj dhe arritjet e saj në kohë normale. Diktatura nuk asht kohë normale, ajo asht aksident historik. Të paktën kështu përceptohet dhe mendohet ajo nga kandvështrimi i demokracisë. Humbja e vemendjes për letërsinë në përgjithësi nuk asht vetëm faj i TV dhe i teknologjisë. Politikat kulturore tek ne çalojnë sa i përket gjithëpërfshimjes gjuhësore dhe përparësive. Ka shum anglishte e frengjishte që e kërcënojnë shqipen e jo gegnishtja. Gegnishtja asht idioma e natyrshme e 70% të shqiptarëve. Këtë duhet ta kuptojnë Akademia dhe fakultetet. Por edhe Akademia, edhe fakultetet “ujitin” me fanatizëm pemët e mitologjisë të një stine që shkoi. Ata mbrojnë nji burokratishte që i ka shkëputë lidhjet e saj me gjuhën e gjallë të popullsisë dhe të historisë së shkrimit shqip. Në asnji rast nuk mund të ndodhte diçka ma e randë.

Si mund të promovohet nga shteti letërsia e dialekteve? A bashkëpunoni ju me drejtorinë e fjalës në Ministrinë e Kulturës?

Shteti ka ndryshue këto vitet e fundit politikën përjashtuese, por po ecën me ngadalësi dhe duket që nuk do që të çojë “qentë peshë”. Shqiptarët po i paguejnë haraç të dyfishtë gabimeve të tyne. Koha asht me ndryshue orientimet dhe jo t’i bahet kozmetikë gjuhës. Gjuha duhet të hapet dhe hapja fillon me përfilljen dhe regjistrimin e shkallës së vitalitetit të letërsisë gegnishte. Politikat e syve të mbyllun dhe të vazhdimit të mospërfilljes janë në dam të produktit shpirtnor kombtar. Disa mendime dhe ide kanë mbarue së bashku me sistemin dhe përfillja e tyne i gërsheton epokat me pasoja që shoqnohen me vonesa të tjera. Ministria e Kulturës organizoi në mesin e nandorit nji festival me poezinë gege edhe atje performuen 6 autorë gegë. Prandej m’u duk e painformueme edhe njena prej zonjave të konferencës, kur deklaronte se, në dijeninë e saj, përveç Zorbës nuk njihte autor tjetër që shkruente në gegnisht. Sa për saktësi due ta lajmoj zonjën, autore të këtij konstatimi, se Zorba i ka konvertue tekstet e tij nga gegnisht në tosknisht, me përjashtim të nja dy poemave, të cilat janë edhe maja e gjasë së tij.

Me drejtorinë për përmirësimin dhe rijetëzimin e gjuhës na bashkëpunojmë, por jemi për ritme të tjera dhe për përgjegjshmëni ma të madhe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama