Prezantohet Korabi i sezonit te ri objektivi eshte mbijetesa

Prezantohet Korabi i sezonit të ri, objektivi është mbijetesa

Afrimi i shumë futbollistëve të spikatur gjatë javës së fundit ka bërë që te Korabi të pritet me optimizëm faza e mirëfilltë përgatitore që nis më 1 gusht në Peshkopi. Sot, para kamerave janë shfaqur trajneri Mërgjyshi, drejtori i klubit Mziu, si dhe mbrojtësi Sheta, një prej lojtarëve më me eksperiencë në kontingjentin e skuadrës dibrane, të cilët kanë prezantuar edhe ekipin e ri.

korabi sheta mergjyshi

Në prezantimin e skuadrës, trajneri Mërgjyshi e cilësoi një kënaqësi ofertën që iu bë nga Korabi, i cili ka lënë pas telashet e javëve të kaluara dhe është në rrugën e duhur për të përgatitur seriozisht sezonin e ri.

"Unë e prita me kënaqësi ftesën e donatorëve për të marrë drejtimin e Korabit pasi është një ekip që ka objektiva serioz dhe është një ambient që e kam përjetuar edhe si sportist në vitet 80. Shpresoj të jemi dinjitozë dhe të bëjmë një kampionat të mirë. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe kam besim se do të vazhdojmë të jemi pjesë e Superiores dhe në vazhdim", theksoi ai.

korabi mergjyshi

Dibranët do t'i besojnë grupit të lojtarëve që afruan nga radhët e Laçit, mendim të cilin e ka konfirmuar edhe Arjan Sheta, i cili është i ndërgjegjshëm se në këtë sezon do të luftohet për mbijetesën dhe jo për trofe.

"Jemi një grup prej 6 vetësh që luajmë prej dy vitesh bashkë. Falënderoj stafin dhe trajnerin që na besuan dhe ne shpresojmë t'ua shpërblejmë këtë besim që na dhanë", theksoi ai.

mergjyshi korabi

Ndërkaq, edhe drejtuesi i klubit, Fehmi Mziu, konfirmoi objektivin e mbijetesës për këtë edicion në të cilin Korabi do të luajë ndeshjet në "Selman Stërmasi" për shkak të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. "Shpresojmë që edhe me ndihmën e tifozëve t'ia dalim. Më e rëndësishme është mbijetesa në këtë kategori sepse e dimë që Superiorja është e vështirë", tha Mziu.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama