Premiera e Salemme kur Jashte bie debore

Premiera e Salemme, kur   Jashtë bie dëborë

Një dekadë më vonë, me emra të rinj, konceptim të ri, rikthehet për të fituar kohët e së panjohurës. Komedia tragjike, “Jashtë bie dëborë” një nga kryeveprat e Vincenzo Salemme, të cilin e shkroi në 1995, këtë të shtunë shfaqet si premierë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar. Regjisori Hervin Çuli, i cili e ka shumë për zemër këtë vepër, kësaj here mendon ta sjellë më të plotë si vepër, me një konceptim regjisorial të shfaqjes, ku përveç aktrimit, të luhet me plastikën, gjestikualcionet, lodrimin. “Unë kam rënë në kontakt me veprën para dhjetë vjetësh, e kam lexuar në një nga botimet italiane të teatrit kontemporan. Vincenzo Salemme duhet të ketë qenë 35 vjeç atë kohë dhe kishte bërë bujë të madhe si autor, aq më tepër me këtë vepër, e cila mbetet kryevepra e tij. Atë kohë e kam përkthyer vetë atë, e cila pastaj u vu në skenë nga PUBLIMEDIA, me regji të Gëzim Kames, ku interpretoja edhe unë. Meqenëse atë kohë vepra nuk pati jetë të gjatë në skenën shqiptare, vendosa ta sjell sërish”, shprehet Çuli për gazetën. Vepra e Salemmes, “Jashtë bie dëborë”, sipas tij është një vepër që ka një treg shumë të mirë. “Eshtë një nga komeditë brilante, që bëjnë pjesë në ato vepra që kur hyn t’i shikosh, pasi del ndjen një shije që nuk shlyhet. Pavarësisht se “Jashtë bie dëborë” është komedi tragjike, që përfundon me një krim, mund të them se në thelbin e vet është komedi situate”, shton Çuli. Vepra e Salemmes bën fjalë për bashkëjetesën e sforcuar të tre vëllezërve Enzo, Cico dhe Stefano. Personazhi kryesor i kësaj vepre, Çiço, që interpretohet nga Hervin Çuli, është një i rritur, por që jeton me mendjen e një fëmije. Eshtë i sëmurë mendor, i djallëzuar, që jeton gjithë kohës nën kujdesin e familjes së tij, e përveç kësaj është një vëzhgues i hollë i gjithçkaje që e rrethon dhe një zgjidhës i përkryer i situatave të vështira. Në këtë shfaqje, premiera e së cilës do të shfaqet të shtunën mbrëma, në 12 maj, përveç Çulit, (i cili ndonëse nuk e ka të udhës të punojë si regjisor dhe aktor njëkohësisht, por i detyruar nga mungesa e financimit për të mos pasur shumë lukse) interpreton edhe aktori Roland Trebicka në rolin e Enzos. Enzo, një i ri muzikant, vëllai i Çiços, i paaftë, i cili e ka braktisur shtëpinë herët, kur kthehet vërteton se e ka kuptuar vonë, pasi duhet të ishte kthyer më parë. Ndërsa Stefano, vëllai tjetër, (Fatos Sela) është i mirë dhe i urtë. Eshtë “agjent shërbimesh biznesi”. Eshtë i dënuar brenda mureve të shtëpisë me titullin kujdestar i një truri 20 për qind funksionues. Peng i një dashurie 0 900... por pjesë e kësaj vepre është dhe noteri, interpretuar në këtë vepër nga Suela Konjari, e cila kësaj here ka marrë përsipër të realizojë edhe kostumet e kësaj shfaqjeje, që ndërtohet në Napoli të Italisë. Vepra në tërësi është një kronikë napolitane, e jetës së përbashkët me të gjitha zakonet dhe temperamentin e tyre. “Do të jetë në të vërtetë një premierë”, thotë Çuli, teksa shton se rivënia në skenë e “Jashtë bie borë” lidhet me dëshirën për të sjellë një dimension të ri të saj, për të kuptuar së fundmi mesazhin, se të qeshësh me dhimbjen e të tjerëve është e lehtë për t’u bërë, por të vendosësh veten në vendin e atyre, me dhimbjen e të cilëve ti po qesh, është një ëndërr horror. Ndërsa Oskar Uilde do të thoshte se gjëja më e tmerrshme nuk është t’i copëtosh zemrat, por e kundërta, t’i shndërrosh ato në gurë.

 

“Jashtë bie dëborë”


Gjinia: Komedi tragjike
Regjisori: Hervin Çuli
Autori: Vincenzo Salemme
Interpretojnë: Roland Trebicka, Hervin Çuli, Fatos Sela, Suela Konjari
Kostumografia: Suela Konjari
Skenograf: Mario Malaj
As/regjisor: Ervin Kotori
Përktheu: Hervin Çuli
Post-produksion: Indrit Domi
Premiera: 12 maj

Anila Mema - Gazeta Panorama


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama