Prapaskenat e filmave shqiptare ne realitetin e asaj kohe

Prapaskenat e filmave shqiptarë në realitetin e asaj kohe

Midis këtij brezi ku spikaste fuqishëm Ndriccim Xhepa, Xhevdet Ferri, Eva Alikaj, Luiza Xhuvani, Elvira Diamanti, Bujar Asqeriu, Rajmonda Bulku, emri i aktorit Kristaq Skramit filloi të shfaqej përkrah këtij brezi gjithë prushëzim. Aktorin Kristaq Skrami, spekatori shqiptar i viteve ’80 e sjell në kujtesën e tij si “bukuroshi i bukur”, ”adhuruesi i zemrave”, misteriozi. Kuptoja, shprehet aktori Skrami se sot s’do të kisha asgjë të përbashkët më, me kinematografinë dhe teatrin, që janë pjesë përbërëse të jetës time artistike. Ndoshta shkujdesur dhe me një të folur të qetësuar e të shpenguar shpjegon se fati erdhi andej nga mbrijnë zakonisht fatet tanë, prej qiellit, më erdhi një vështrim i bukur, ëmbëlsor, yllësor.

Kthesa e rëndësishme që zuri jetën time

I mbyllur në guaskën e vetmisë, thuhej për personazhin tim. Por në brendësi jeta nuk rrjedh kështu. Në ankthin e pritjeve të mia, i kthyer stazhier regjisori Nazmi Bonjaku më mori në teatër. Ccdo lulëzim vjen, kur vjen pranvera kjo si aksiomë është në kohë të hershme, për ne kishte mbërritur, futja në hullinë tonë të artit, shfaqja e parë, pikërisht dhe atë ditë, me duar që më dridheshin, më mbërriti shkresa për të shkuar ushtar diku ku gjendeshin repartet ushtarake, në marinë, në Sazan ose diku më larg, atje ku jetohej rutina ushtarake me grinë e kohës. Ndërhyri drejtoria e teatrit, por kryetari i degës ushtarake, i ngrysur, urdhëroi i prerë të shkojë ushtar, pastaj merrni kur keni teatër. Por ishte një rol dashuronjësi, që mund të prishej, sepse ushtria afronte qethjen e flokëve. Shkova tek dega ushtarake dhe aty fati kishte zënë pritë nën një shtresë të hollë mjegulle. Emri i thirrur, regjistrohej, hipte në makinat e mbuluara ushtarake për tu nisur drejt garnizoneve. Çuditërisht emri im nuk u thirr, kur të tjerët u nisën drejt marinës, Sazanit, Kepit të Gjuhëzës.

Dritëroi e shpëtoi “Rruga Budi 723” nga kritizerët

Personazhi im i parë në teatër, ka lënë gjurmë. Përveç mua dhe mendjes sime, e gjykoj se edhe aty fati ishte shkrimtari Dritëro Agolli, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve që e shpëtoi dramën, e teatrit të Vlorës, kur vuri në skenë. Se kishte gjetur tamam terrenin e përshtatshëm, romani “Rruga Budi 723” i Ruzhi Pulahas. Vlerësimi i opinionit ishte tepër i lartë. Pikërisht këtë libër inxhinieri Ferdinand Hysi e dramatizoi, cilësohet se është vepra e parë e tij në dramaturgji, ku teatri i qytetit detar me regji të N.Bonjakut e ngriti në skenë. Isha në rolin e Bujarit. Luanin aktorë si Adem Gjyzeli, Arqile Nasho. Në provën e ditës së fundit rastisi në këtë qytet edhe shkrimtari Dritëro Agolli i cili e priti mirë ftesën për të ndjekur një dramë të librit që kishte ngritur temperaturën e lexuesit. Kritizerët nga Komiteti i Partisë kishin mbushur disa blloqe me vërejtje dhe drama mund të bëhej e pashpresë për tu shfaqur pas atyre mendimeve. Diku filluan të shfaqen, nxorën letrat dhe filluan, këtë, atë, ajo kjo………..

Dritëroi i dëgjoi mirë dhe u tha: ”Ti lëmë këto blloqe, kjo është një shfaqje e bukur dhe mua më pëlqeu. Ndonjëri prej tyre ktheu kursin, po është shumë e bukur tha, ndërsa dikush ia ruajti vëth në vesh duke u ulur në prehrin e vetmisë. Me këtë dramë kemi rrugëtuar në disa qytete. Nuk ishte parë në Durrës që një teatër të qëndronte 10 ditë rresht me sallën plot. Disa oficerë nga qyteti ynë, që shërbenin në Porto Romano, nuk kishin gjetur bileta dhe na u afruan. Çfarë mund të bënim ne kur salla kishte numër të caktuar. I futëm nga dera që hynin aktorët duke i prezantuar si aktorë.

Filmi që nuk u shfaq kurrë”Para agimit”

Kohë për pjesëmarrjen time në kinematografi ja gjejë studentllëkut në kryeqytetin e vendit tim. Si student i dramës në vitet ‘80-’81. Dy regjisor, Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muça në idetë e tyre për realizmin e filmit, një dramatizim i librit “Para agimit” të Sh. Musaraj, ata gjurmonin për elementë të rinj,duke e njohur mullirin e kohës së ngecur në vend. Dritëzimi i tyre ishte freskimi nga realiteti siç bënin një numër regjisorësh nga kinematografia e botës. Ata erdhën në fakultet, mua më zgjodhën mes 2-3 vetave duke më komunikuar për të shkuar në kinostudio për kinoprovën e parë. Personazhi im lexohej Alert dhe duhej të isha partner me Elvira Diamantin. Më lanë skenarin në dorë, më shpjeguan, shko tek ajo dhoma atje, mëso çfarë të mësosh dhe bëhu gati!

Edhe E.Diamanti po lexonte. Filluam provën me aparate xhirimi. Prit përgjigje më thanë për tre ditë kur të shikojmë dublat. Xhiruam në Tiranë nëpër shtëpitë e vjetra tiranase. Në atë film luante Bujar Asqeriu me Antigoni Gace, Agim Qirjaqi, Elvira Diamanti, operator qe Saim Kokona. Ky film u shfaq vetëm 2 herë. Shiritat e tij ngecën, jo për shkak të cilësisë. 2 vëllezër të aktores Gaci, ishin arratisur jashtë vendit dhe filmi pësoi të njëjtin ndëshkim si familjarët, i burgosur në labirintet e kinostudios ose në zyrat e censurës së shtetit. Ky film nga fondi i kësaj kinostudio nuk është bërë më i gjallë edhe në vitet e ndryshimit. Me të dy regjisorët që e bënë filmin i kam pyetur, Mirë atëherë që u burgos, për rrethana dhe arsye që dihen, por tani përse nuk e dhatë?. Më kanë shprehur mendimin duke i grumbulluar të gjithë aktorët e atij filmi të pashfaqur që siç pohon aktori ishte një realizim shumë realistë për luftën dhe do të bëjnë promovimin e tij.

Mësova të kalëroj mbi kuajt për “Nëntorin e dytë”

Në vjeshtë kur gjethi fillon e bie do të shkonim në Divjakë për xhirime të “Nëntorit të dytë”. Kisha përfunduar studimet universitare, bëja 6 mujorin tek akademia. Por duke qenë se fati më kishte tollovitur disa herë, në kthinën e mendimeve të mia pata një parandjenjë se nuk do të më linin oficerët e atij garnizoni për të shkuar në Divjakë. Me mendjen e gdhirë tek xhirimet, ëndrra rastisi në vërtetësinë e saj, nuk pranuan, është dashur të ndërhynte Viktor Gjika që ishte regjisor i filmit deri tek Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, që ngriti telefonin për të lejuar aktorin për filmin e I.Qemalit. Do të xhironim kalimin e I. Qemalit nga Durrësi në Vlorë. Por aty më priste një peripeci. Duhej të kalëroja. Për herë të parë hipa në kalë. Ishte një instruktor Xhemal thirrej, që më mësoi me qetësi se si të mbaja frerin, këmbët si ti mbështesja tek pjesa e barkut të kalit. Filloi të më pëlqente kalërimi dhe 10 ditë që qëndruam në Divjakë, nuk bëja gjë tjetër përvese rrija përmbi kalë. Dikush më tha: ”po leri të qetë ata kuaj se i dërmove fare. Ata ishin kuaj të stërvitur mirë dhe ishin për këtë punë.

Si u deha tek ”Duaje emrin tënd”

Pogradeci është një qytet lirik. Me vjeshtën e pabesueshme, dimri zemërak me dëborë që shtrihej mbi liqen, me valëzimin e liqenit. Grupi i xhirimit flinte tek turizmi, në fillim na shikonin me habi punonjësit, por më vonë u miqësuan me ne. Nertila Koka, një vajzë gjimnaziste që sapo kishte filluar edhe rrugën e këngës ishte njëherë në rol me mua. Ajo më pyeste si ta bëjë këtë, kështu, apo ashtu ishte një çupëlinë me zërin tejet fëminor. Rajmonda Bulku, Ndriçim Xhepa ishin në rolin qendror të filmit. Dy vlonjat, që kishin marrë vesh se Kiçua ishte në xhirim në Pogradec erdhën me disa shishe verë. Me të dy miqtë e mi, pimë verë dhe biseduam deri në orën e xhirimit. Në muzg, kur silueta e hënës përmbi liqen nuk dukej më filluan xhirimet. Kur po interpretoja, regjisorët kuptuan diçka. Ndoshta lotët e kripur të syve të mi dhe lëvizjet, figura sepse figura ndryshe nga teatri është shprehëse, nuk po shfaqej. Dhanë urdhrin stop. Dëgjo më tha i pari, përse e bënë këtë skenë në këtë mënyrë. Dëgjo këtu, më foli tjetri përse lëkundesh pak. Duke qenë se nuk po ambientohesha dot, sepse një herë fliste njëri, një herë tjetri: ”shiko fola, le të mbaroj njëri për të kuptuar dhe të filloj tjetri të flasë për të marrë vesh më mirë…

Futu në pus më thanë te ”Pranvera s’erdhi vetëm”

Anisa Markajan kishte bërë skenarin. Ishim me xhirime në qytetin e kombinatit, në Elbasan. Duhej të futeshim nëpër furra të metalurgjikut, pavarësisht se në jetë mund të mos i kesh ëndërruar. Ishte një furrë e thellë, në formën e pusit. Duhet të futesh, më thanë, qëndrimi im vinte i dyzuar. Mos u fut fare u hodhën ca të tjerë. Piro Milkani erdhi afër: Si thua, do të futesh?. Po i fola.

Filmi i fundit i kinostudios në vitin ‘91”Jeta në duart e tjetrit”

Silueta e kinostudios në ’91 po shkonte drejt ngrirjes. ”Jeta në duart e tjetrit “mund të quhet: ”I fundit i mohikanëve” i kinostudios shqiptare. Regjia e Albert Xholit. Xhirime në Përmet dhe në Tiranë. Pas ngjarjeve të trishta që ndodhën tek ambasadat, xhronim tek 15 katëshi. Një skod kishte depërtuar përtej portave të ambasadës greke. Erdhi një grup i TVSH që na kërkonte me ngulm ti quanim ata që hynë brenda tradhtar. Ore u tha operatori B. Martiniani, na lini të punojmë.

Futeni komisarin brenda se s‘ka shfaqje

Kur fillonte zhegu i verës teatrin tonë e dërgonin nëpër fshatra për shfaqje. Në një fshat mbi bregut ndoshta në Pilur më ngjet, s’po mblidheshin fshatarët. Kryetari i këshillit u thoshte” ore mblidhuni se do të filloj shfaqja! Por ata ja kthenin: ”Fillojeni shfaqjen ju se do të mblidhemi ne. Me zor se ç’u mblodhën ca fshatarë ndërsa aktorët filluan. Fshatarët rrinin të ngrysur me dorën të vendosur tek mjekrra. Nuk kishte asnjë reagim, le më duartrokitje. Vetëm kryetari, sekretari dhe dy tre vetë besojë sekretarët e organizatave u shkrinë së qeshuri. Kur u ndamë na thumbuan ”hajdeni prapë mot!

“Baladë për komisarin’, ka qenë një krijim i poetit të mirënjohur Agim Shehu. Ishte sjellur kjo pjesë në teatrin tonë Vepra ishte e kuptueshme qartësisht dhe për kohën mbarte atë mesazh të njohur. I kushtohej një figure të luftës heroit Mustafa Matohiti. Autori e kishte gdhendur veprën mbi disa detaje jetësore. Ishte ndërtuar, por mund të ishte njëherë një realitet besoj, një personazh Labo Dalani, që nuk ishte me asnjë parti dhe as me luftën. Mustafai shkonte në çdo shtëpi me oratorin e tij i bënte për vete njerëzit, kështu fliste pjesa letrare. Tek Labo Dalani ndodhi e kundërta. Ai ua tereziti që në fillim, po kishin ardhur për ta tërhequr me luftën të rrinin jashtë. Mustafai shtroi gunën dhe fjeti jashtë tek sokaku i portës. Afër sabahut, sipas pjesës fshatari Labo, shtyu portën, doli për të shkuar tek bagëtitë, por për çudi pranë derës pa të mbështjellë me shark komisarin. Ç’bënë këtu komisar i tha, futu brenda. Forma që kishte gjetur Mustafai ishte e zgjuar si zgjidhje.

Në provat kryesore nga Komiteti i Partisë mbërritën kritizerët dhe instruktorët që posaçërisht merreshin me këtë punë. Pas shfaqjes u ndalua, që të jepej në publik. Ku është problemi pyetëm? Komisari, tha instruktori i partisë, duhet futur të flejë brenda jo të rrijë tek dera. Mirë o shoku instruktor, po kështu është e shkruar pjesa e shkrimtarit Agim Shehu. S’ka shfaqje tha ose futeni komisarin brenda, o shfaqje s’ka. Mirëpo po të futej komisari brenda s’kishte thelb e gjithë pjesa, kjo ishte bukuria e saj. Pritëm disa ditë. E morëm në telefon. Çdo të bëhet me shfaqjen, pyetën. E keni futur komisarin brenda, tha zëri në krahun tjetër. Jo i tha regjisori, ajo përbënë edhe fabulën e pjesës. Epo s’ka shfaqje. Kështu u mbyll një punë prej tre muajsh, me një oqean vuajtjesh në shpirt. Komisari nuk u fut brenda, ndërsa u shkrumbëzua gjithë puna dhe mundimi prej 100 ditësh i një grupi aktorësh.

Sa është shkruar për teatrin Petro Marko, për 15 ditë në Itali, nuk ishte shkruar për 5 vjet për shqiptarët

Aktori K.Skrami është sot drejtor i teatrit “Petro Marko” të këtij qyteti detar. Ai shprehet se ky teatër ka vendosur ura lidhje me disa teatro të shtetit italian. Me teatrin ”Kismet” të Barit. Pyeta regjisorin Karlo Bruni, çdo të thotë për ju fjala kismet? Mbarësi mu përgjegj ai. Me teatrin “Korea” në Leçe. Me akademin e artit në Romë dhe teatrin “Stbilo delle marche” të Ankonës. Ky i fundit fillimisht zbarkoi në qytetin tonë me “Shërbëtorin e dy zotërinjëve” të Karlo Gordon. Në muajin maj u ftuam ne në qytetin verior të Italisë. Kishim në repertor 2 pjesë të Luigji Pirandelos. Aty pamë teatrin muze që pas 50 vjetësh nga koha e bombardimeve të aleatëve, por rikonstruktohej. Për çudinë tonë të madhe, trupa vendase e Ankonës, po vendoste një pjesë të Luigji Pirandelos, me protagonisten Klauda Kardinalen. Tabloidi “Messagjerro” shkroi’ Mbërriti një dhuratë nga teatri i Vlorës, për teatrin muze të Ankonës”. Drejtoresha e producionit Franceska Moreti, që krijoi urën e lidhjes tonë Shqipëri-Itali me realizimin e dramës “Korrupsion në pallatin e drejtësisë” është shprehur duke na dhuruar 15 artikuj për teatrin “Petro Marko” të qytetit tonë, që kishin zënë vend ndër tabloidët më të mëdhenj italian dhe vendas. Franceska entuziaste na u shpreh: ”Shiko, se çfarë force ka arti, sa është shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët nëpërmjet shkrimeve për teatrin tuaj këtu për 15 ditë, nuk është shkruar 5 vjetë me radhë në shtypin italian. Aktorët e kësaj trupe Kristaq Skrami, Astrit Mamaj, Arben Tartari, Vasil Godo, Eli Veizi, Artan Islami, Roland Minga, Besnik Aliaj, Monika Lubonja. Në Ankona ne kemi një urë të ngrehur. Skrami, tregon fashikujt e gazetave, që nga Mesaxhero dhe më tej vendaset dhe të krahinave e provincave kanë thënë për artin shqiptar që ndriçon kaq shumë dhe me kaq bukuri i panjohur deri atëherë në Marke, ndryshe nga sa ishin prezantuar bashkëqytetarët tanë në këtë shtet.


Kristaq Skrami : Gazeta Metropol

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama