Prania e Gejxh dhe Irinejt e helmuan ceremonine e kthyen ne nje akt provokativ ndaj kombit

'Prania e Gejxh dhe Irinejt e helmuan ceremonine, e kthyen ne nje akt provokativ ndaj kombit'

Xhufi: Himara, qender e Laberise, absurditet te kufizohet me shtate fshatra

 

Profesor Xhufi, këto ditë u zhvillua ceremonia e Kishës Ortodokse. Kjo  ngjarje u shoqërua me prezencën e drejtuesve më të lartë të kishave ortodokse. Kjo ngjarje, a kishte efektin e përbashkimit?

Në fakt, në ceremoninë e shenjtërimit të kishës katedrale në Tiranë mungonin krerët e Kishës Ortodokse të Bullgarisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Këto dy të fundit nuk e kanë fituar ende Autoqefalinë dhe mbi to vazhdon të pretendojë të ushtrojë juridiksionin e vet kryepeshkopi i kishës serbe. Në këtë pretendim absurd që mbështetet vetëm në situatën e kapërcyer të Serbisë së Stefan Dushanit e të Milosheviçit, ky ka edhe përkrahjen e Patrikanës dhe të kishës greke, madje dhe të kreut të kishës shqiptare, i cili asnjëherë nuk është shprehur për të drejtën e këtyre dy vendeve e dy popujve për të pasur kishën e tyre autoqefale. Gjithsesi, përurimi i katedrales ishte një moment feste e bashkimi për besimtarët ortodoksë. Nuk mund ta them këtë për kishën ortodokse, në tërësinë e saj, përderisa nga ajo ceremoni ishin përjashtuar krerët e disa kishave ortodokse, që unë sa i përmenda, dhe përderisa rolin e protagonistit e rrëmbeu, me ndihmën e dukshme të mikpritësit Janullatos, kreu famëkeq i kishës serbe, kryepeshkopi Irinej. Deklaratat dhe vetë prania e tij, ashtu si dhe prania diabolike e famëkeqit Nikolas Gejxh dhe e shqytarit të tij, Vasil Bollano, e helmoi atmosferën dhe e ktheu atë ceremoni fetare në një akt provokativ ndaj kombit, ndaj popullit, ndaj shtetit dhe ndaj vetë qeverisë shqiptare, që ndodhej aty me kuç e me maç, a thua se bëhej fjalë për ceremoninë e pranimit të Shqipërisë në BE. Siç u pa, kjo ceremoni prodhoi më shumë përçarje e debate se bashkim. Dhe sigurisht faji bie mbi organizatorin, kreun e KOASH-it, z. Janullatos, i cili duhej t’ua kishte kursyer syve të shqiptarëve paraqitjen e Nikolas Gejxh dhe të luftëtarëve të tjerë të “çështjes vorio-epirote”, dhe mbi të gjitha, duhet të kishte disiplinuar në sjelljet e në fjalët e tij jerarkun luftarak të kishës serbe.

Në media bëri bujë prezenca e patriarkut serb dhe për më tepër deklarata e tij për Kosovën. Si i komentoni ju këto qëndrime të tij? Cili është gjykimi juaj mbi reagimin e politikanëve dhe Kryeministrit mbi këto provokime të klerikut serb? A duhet të ishte ftuar ai në këtë eveniment?

Të them të drejtën, e kam të vështirë të bëj dallim midis kryepeshkopit grek Irinej dhe kryepeshkopit tonë Janullatos. Të dy janë faqet e së njëjtës medalje, të dy përfaqësojnë një shfaqje krepuskolare të nacionalizmit më të mykur ballkanik, të dy janë aktivistë të palodhur politikë më shumë se ç’janë përcjellës të fjalës e të vullnetit të Perëndisë mbi tokë. Është e vërtetë, që aty ku Irinej i ka dhënë fort gojës, Fortlumturia e tij ka preferuar të heshtë. Kështu ka ndodhur, kur kreu i Kishës Autoqefale Shqiptare ka heshtur për masakrat e përbindshme serbe në Bosnjë, e më tej edhe në Kosovë, të bekuara nga si vëllau i tij i kishës serbe. Por gjithkush di ta interpretojë si duhet këtë heshtje. Në fund të fundit, a nuk ishte i dërguari i z. Janullatos, mitropoliti i Beratit, Ignati, një tjetër shtetas grek, që në 2010-n, me rastin e fronëzimit të kryepeshkopit Irinej, deklaronte nga Patrikana e Pejës se “Kosova është Jerusalemi i Serbisë” dhe se “ortodoksët e Shqipërisë ishin pranë popullit serb gjatë bombardimeve të NATO-s”? Në konsideratë të sjelljeve të tilla, më duket e tepërt edhe të pretendoje nga z. Janullatos, mikpritës i takimit, që “t’i hiqte vërejtjen” Irinej për deklaratat e papërshtatshme të tij. Më shumë do të kisha pritur një vetëpërmbajtje të serbit, duke u nisur nga mosha e respektuar dhe nga vendi, që gjithashtu duhej respektuar nga ana e tij. Për sa i përket pjesëmarrjes masive të pushtetarëve shqiptarë, kjo vërtet m’u duk e ekzagjeruar. Jemi mësuar t’i shohim këta të dynden edhe në pritjet më të rëndomta që organizojnë ambasadorë dhe, madje, funksionarë të dorës së dytë të ambasadave të huaja, dhe në këtë kuptim nuk ka vend për t’u skandalizuar. Por problemi është se Shqipëria nuk është një shtet teokratik, por është një shtet rreptësisht laik, dhe laiciteti i shtetit tregohet edhe nëpërmjet sjelljeve protokollare të pushtetarëve të tij. Mos o Zot të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi atë ditë: do kishim mbetur pa President, pa Parlament, pa Qeveri dhe pa Opozitë! Sigurisht ishte një ditë feste e gëzimi për të gjithë, edhe për pushtetarët. Por, dreqi ta hajë, dikush prej tyre duhej të sakrifikohej dhe të punonte atë ditë.

Mesha e shenjtërimit, a mund të thuhet se i dha një “pavarësi” Kishës Autoqefale Shqiptare? Ndërsa përherë mbetet problem mosmbajtja e meshës në gjuhën shqipe?

Ceremonia në fjalë nuk më duket se konfirmoi Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Përkundrazi, konfirmoi kapjen e saj prej kishës nacionaliste greke. Në shërbesat fetare të asaj dite u vazhdua të flitej në gjuhën greke dhe vetë entourage që z. Janullatos u kujdes të paraqiste në publik, me Irinejn, Nikolas Gage, Bollanon, Dulen e grekomanë të tjerë, duhet t’i ketë bërë të gjithë shqiptarët të ndihen keq, të mos ndihen në shtëpinë e tyre. I vetmi ngushëllim atë ditë ishte ajo gruaja e vetmuar, që rrinte përpara kishës me portretin e Nolit dhe që u kujtonte të gjithë festuesve se Autoqefalia ishte gjetkë.

Profesor, kohët e fundit, në vend po diskutohet ndarja territoriale. Si e shihni skemën e re për reduktimin e bashkive? Ka një debat në lidhje me Himarën. Qeveria e ka krijuar si njësi me vete, por zërat e PBDNJ dhe Omonias, si Bollano, duan që Himara të mos jetë me Lukovën e Vranishtën? Si i shihni këto deklarata, a mund të krijojë rrezik ndarja e Himarës më vete, duke bërë që të rrisë orekset nacionaliste të fqinjëve?

Himara e ka merituar gjithnjë, për historinë e saj, të jetë një njësi administrative më vete. Por do të ishte një absurditet të pretendohej që kjo njësi të kufizohej në vetëm 7 fshatra, siç pretendojnë zëra të diskredituar e të paguar nacionalistë. Këtu nuk flitet thjesht për aspektin demografik, por edhe për atë ekonomik, turistik e historik. Deri në shek. XVII, Himara ka qenë qendër e trevës së Labërisë me 53 fshatra. Si e tillë, hyri në analet e historisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Marrëdhëniet e saj me fshatrat e hinterlandit të Labërisë kanë qenë jetike në aspektin njerëzor, ekonomik e ushtarak. Pothuaj të gjitha familjet e Himarës i kanë rrënjët dhe degëzimet e tyre në atë krah. Të pretendosh sot krijimin e një njësie administrative mbi baza fetare dhe, të ëndërrosh që mbi këtë bazë të ndërtohet nesër një identitet i rremë kombëtar i himarjotëve, kjo thjesht është të duash rrënimin e Himarës. Për gati 25 vjet, njerëz si Bollano, Dule e Gejxh e kanë mbajtur Himarën në gjendje paralize e atrofizimi, duke kërkuar ta ndajnë, ta izolojnë dhe ta armiqësojnë me fshatrat fqinje. Himara është sot i vetmi vend në Shqipëri, ku çështja e pronës ka mbetur e ngurtësuar, ku pronat nuk u janë kthyer të zotëve. Dikush trembet se po të ndodhë kjo, Himara do të hapet e do të integrohet në mjedisin e vet natyror. Dikush ka plane të tjera për të. Por, himarjotët, më shumë se kushdo, e shohin se sa dëm i kanë sjellë atyre ndërhyrje si ato që bartin e përcjellin individët e mësipërm. Himara ka nevojë të rilindë dhe që të ndodhë kjo, duhet të ndahet nga hijet e së shkuarës, siç filloi të bëjë në 2011, kur hodhi tej dyshen Dule-Bollano.

 

Himara

“Të pretendosh sot krijimin e një njësie administrative mbi baza fetare dhe, të ëndërrosh që mbi këtë bazë të ndërtohet nesër një identitet i rremë kombëtar i himarjotëve, kjo thjesht është të duash rrënimin e Himarës”

 

Njësia

“Të pretendosh sot krijimin e një njësie administrative mbi baza fetare dhe, të ëndërrosh që mbi këtë bazë të ndërtohet nesër një identitet i rremë kombëtar i himarjotëve, kjo thjesht është të duash rrënimin e Himarës”

 

Provokimi

Deklaratat dhe vetë prania e tij, ashtu si dhe prania diabolike e famëkeqit Nikolas Gejxh dhe e shqytarit të tij, Vasil Bollano, e helmoi atmosferën dhe e ktheu atë ceremoni fetare në një akt provokativ ndaj kombit, ndaj popullit, ndaj shtetit dhe ndaj vetë qeverisë shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama