Pr/buxheti 2016- Ministria e Brendshme rritje me 6 te fondeve

TIRANË, 24 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Shifrat e projektbuxhetit 2016 për Ministrinë e Brendshme parashikojnë një rritje me 6 për qind krahasuar me një vit më parë.

Gjatë një seance dëgjimore në komisionin e Ligjeve, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, tha se fondet e akorduara nga qeveria për këtë dikaster, gjatë vitit në vijim, kapin shifrën e 19.9 miliardë lekëve, ose 6 për qind me shume krahasuar me një vit më parë.
Këto fonde, sipas programit buxhetor, tha ai, janë parashikuar të shpërndahen për Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës, emergjencat civile, Inspektoriatin e mbrojtjes së territorit, gjendjen civile, etj.
Fushat ku do të zbatohet buxheti i ri është lufta kundër paligjshmërisë, informalitetit, kriminalitetit, ndërsa në fokus është forcimi i Policisë së Shtetit.
Ministri i Brendshëm tha se gjatë vitit të ardhshëm do të shtohen fondet për sigurinë publike, ndërsa rritje do të pësojnë dhe investimet për gjendjen civile, infrastrukturën logjistike për policinë etj.
Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, shprehu shqetësim për emergjencat civile, fondet e të cilave, tha ai, duhet të shihen me prioritet. Nga ana e tij, ministri Tahiri theksoi se pr/buxheti parashikon rritje me 25 për qind në këtë drejtim, por nënvizoi, ai edhe sikur me 250 për qind të ishte rritja në buxhet, kjo nuk do të mund të korrigjonte shfrytëzimin pa kriter dhe papërgjegjshmëri të territorit në këto 20 vjet, gjë që ka shtuar rrezikun e fatkeqësive dhe katastrofave natyrore ne vend. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama