Portali i pergenjeshtrimit te lajmeve shqeteson ekspertet ne Tirane

Portali i 'pergenjeshtrimit te lajmeve' shqeteson ekspertet ne Tirane

Qeveria shqiptare ka krijuar websiten e vet për të korrektuar ato ç’ka ajo i përshkruan si lajme false apo të pabaza, të publikuara nga portalet online të lajmeve apo të shpërndara nga Partia Demokratike në opozitë.

Lëvizja ka shkaktuar shqetësime mes analistëve të medias, të cilët besojnë se qeveria duhet të përqendrohet tek qeverisja transparente në përgjithësi dhe jo t’u përgjigjet në mënyrë selektive akuzave. Ata janë gjithashtu të shqetësuar se ky portal mund të kthehet në një mjet propagande.

Përveç kësaj, ekspertët besojnë se shtypi dhe televizonet duhet të lejohen të merren me punën e raportimit të lajmeve, duke siguruar llogaridhënien e qeverisë përballë publikut.

Portali në gjuhën shqipe-transparenca.al u lançua zyrtarisht të enjten e kaluar, përmes një video mesazhi të drejtorit të komunikimit të qeverisë, Endri Fuga.

Fuga e përshkroi portalin si një nismë “kundër shpifjes”, e cila do të rrisë transparencën dhe do t’i mundësojë qeverisë përgjigjen ndaj akuzave për korrupsionin në hallkat e veta.

“Kjo inisiativë erdhi për t’i dhënë përgjigje akuzave të vazhdueshme që vijnë nga Partia Demokratike, por gjithashtu ndaj disa portaleve, të cilat janë duke ofruar informacion fals apo të shtrembëruar për publikun,” tha Fuga.

Dy prej artikujve të parë, të emërtuar si “lajm i fundit” japin përgjigjen e qeverisë për akuza korrupsioni, të publikuara nga disa media dhe të denoncuara nga Partia Demokratike.

Një tjetër çështje në siten e ri të qeverisë adreson në emër të kryeministrit Edi Rama shqetësimet e ngritura nga Kisha Ortodokse e Shqipërisë. Artikuj të tjerë sigurojnë sipas qeverisë “fakte” në përgjigje të akuzave kundër një agjencie qeveritare.

Në një koment në Facebook, të postuar fill pas lançimit, Rama tha: “Ky portal vjen si nevojë për të komunikuar me publikun pa dorashkat e retorikës politike dhe pa ndërmjetësinë rëndom deformuese të të tretëve”.

Robert Rakipllari, kryeredaktor i gazetës Panorama i tha BIRN se qeveria ka të drejtë kur thotë se ka një rritje të portaleve të lajmeve shqiptare që nuk publikojnë informacion të besueshëm.

“Problemi vjen ngaqë disa prej këtyre portaleve nuk kanë staf të mjaftueshëm për të prodhuar informacion me cilësi të lartë profesionale. Shpesh, ata vetëm marrin dhe interpretojnë lajmet e prodhuara nga mediat serioze,” tha ai.

Megjithatë, ai beson se është roli i medias dhe jo i qeverisë t’i detyrojë ata që janë në pushtet të japin llogari, duke siguruar transparencën.

“Është e pakuptimtë që qeveria kërkon t’i bëjë transparencën vetvetes,” tha ai.

Pavarësisht nga kjo, Rakipllari mendon se lëvizja është lajm i mirë në një kuptim, pasi tregon që ekzekutivi ka filluar të reagojë rreth akuzave të ngritura nga media. Megjithatë, ai dëshiron të shohë qeverinë t’u japë përgjigje transparente dhe në kohë të gjitha mediave që publikojnë artikuj kritikë.

“Është e rëndësishme që reagimet e qeverisë të kthehen në një standard, dhe jo vetëm për raste selektive. Në të kundërt, portali mund të kthehet vetëm në një instrument propagande”, tha ai.

Lutfi Dervishi, një ekspert i medias dhe analist i tha BIRN se qeveria ka shumë hapa të tjerë për të ndërmarrë për të rritur transparencën.

“Për qeverinë, median, politikën e mbi të gjitha qytetarët do të ishte më e vlefshme nëse qeveria do të ndërtonte një website ku secili mund të shihte se ku përfundojnë paratë publike,” sugjeron ai.

Dervishi beson se nëse ekzekutivi do të bënte transparencë për paratë publike, do të nevojiteshin më pak përgënjeshtrime qeveritare.

Kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare ka lançuar website për të cilat thotë se do të rrisin transparencën dhe do të luftojnë korrupsionin.  Në shkurt, qeveria hapi portalin stopkorrupsionit.al, duke u mundësuar qytetarëve që të raportojnë në mënyrë anonime raste të dyshuara të mitmarrjes. Disa çështje u denoncuan më vonë në këtë site, por qeveria nuk ka dhënë ende statistika që tregojnë se sa prej këtyre ankesave morën zgjidhje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama