Celet ekspozita Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton

Celet ekspozita 'Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton'

Është hapur sot ekspozita “Banesat e Parafabrikuara – Histori me Beton”

E pranishme në çeljen e kësaj ekspozite ishte edhe ministrja Gjermeni e cila  shprehu vlerësime për  punën e stafit te Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit në kuadër të dixhitalizimit të dokumentave të arkivuar.

“Këto institucione nëpërmjet ofrimit të ekspertizës teknike na kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin pa kursim një kontribut të vyer në mbledhjen dhe ruajtjen e dokumentave të projektimit dhe ndërtimit. Nëpërmjet organizimit  të aktiviteteve të përbashkëta siç është dhe kjo ekspozitë, jemi munduar që t’ju sjellim një pjesë të pashkruar të historisë së arkitekturës Shqiptare dhe një reflektim mbi jetën, zhvillimin social dhe kulturor të kryeqytetit pas viteve ’70′, u shpreh Gjermeni

Ministrja theksoi se “Në këtë 1 vit e gjysmë si Ministre e Zhvillimit Urban më vjen mirë të ndaj me ju përkushtimin e treguar dhe punën kolosale që stafi i Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit ka bërë në kuadër të dixhitalizimit të dokumentave të arkivuar.

 Kemi hedhur hapat e parë në dixhitalizimin e 30% të kësaj pasurie kombëtare, një proces ky i vazhdueshëm, për të arritur në shërbimin online të dokumentacionit teknik arkivor.”

Qëllimi i ekspozitës është njohja me një nga modelet e zgjidhjes së problemit të strehimit në fundin e viteve 70’ në Shqipëri. Banesat me Pllaka të Parapërgatitura, ose siç njihen ndryshe Parafabrikatet u eksperimentuan si tipologji banimi mbështetur mbi eksperiencat e Bllokut Lindor.

Në Shqipëri ato u realizuan me teknologji kineze dhe njohën një zhvillim mjaft intensiv deri në fillimin e viteve 90’. Synimi ishte racionalizimi i kostove, materialeve dhe kohës së ndërtimit nëpërmjet procesit të industrializimit të prodhimit të elementëve ndërtimore. Për këtë arsye, në Tiranë u ndërtua uzina e 2000 apartamenteve në vit e cila mundësoi ndërtimin e komplekseve të banimit në mbarë vendin nëpërmjet parapërgatitjes së pllakave të mëdha prej betoni që transportoheshin e më pas montoheshin në kantier. Në Tiranë përllogaritet që rreth 6% e popullsisë sot jeton në këto ndërtesa.

Vizitori do të ketë mundësi të përjetojë një udhëtim në kohë duke u njohur sa me arkitekturën aq edhe me aspektet social-kulturore që lidhen me të. Një histori që shkon përtej pllakave të betonit rrëfehet në tone gri duke synuar hapjen e një debati mbi të ardhmen e stokut të banesave në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama