Plani i CIA-s per te eliminuar Enverin dhe mbrojtur Shehun

Plani i CIA-s për të eliminuar Enverin dhe mbrojtur Shehun
Rrëfimi i ambasadorit: Dokumenti në duart e Reis Maliles, Mehmeti do merrte azil politik dhe 3 milionë dollarë.

Ky sinjalizim mjaftoi për të zgjuar ministrinë. Nisën telegramet rreth kësaj çështjeje. Kërkesa, udhëzime, sugjerime, urdhra deri në detaje, se si duhet të shtija në dorë, mundësisht me vulë dhe me stemë, origjinalin.

Besnik ndaj çdo udhëzimi që merrja nga qendra, vura në lëvizje Farranin, i cili për disa javë u kthye në një ndërlidhës midis meje, nëpunësit të Ambasadës Amerikane, të cilit në fund i mësova vetëm emrin, që e kishte Mendes.

Një pasdite, Farrani, me qetësinë e tij të zakonshme, hyri në ambasadë. Sapo kaloi derën e oborrit, ma bëri me shenjë, duke më dhëne të kuptoja "këtu e kam".
E hapa dokumentin, kishte gjithsej tri faqe të shkruara në spanjisht.

Në të bëhej fjalë për lidhjet e Mehmet Shehut me CIA-n. Përshkruhej komploti për likuidimin e Enver Hoxhës dhe zotimi i tij për të ndryshuar kursin politik të Shqipërisë, duke i dhënë një drejtim të ngjashëm me atë të Jugosllavisë. Në dokument përshkruhej se si do të bëhej vrasja e Enver Hoxhës në tri mënyra: aksident automobilistik, përdorim medikamentesh, atentat me armë.

Në rast se do të dështonte aksioni, Mehmeti do të merrej në mbrojtje nga SHBA dhe do t'i jepej një pension prej 3 milionë dollarësh.

Pasi e lexova, me sy të etur nga kurioziteti dhe interesi, pa dyshim, shumë i gëzuar që e solla në ambasadë këtë dokument, falënderova Farranin dhe si për të qeshur i thashë:
- Sot do të pimë verë shqiptare.

I përgatita një paketë me pije karakteristike, shumica me shishe vere, e cila preferohej shumë nga vendasit. Pastaj së bashku shkuam për darkë në një lokal aty pranë. Të gjitha sa thamë në këtë shkrim i lamë në Përfaqësi. Në lokal isha unë dhe kryetari i Shoqatës së Miqësisë.

Dy miq të zakonshëm. Pasi u ktheva, kontrollova nëse informacioni ishte transmetuar i plotë informacioni. Rashë të flija. Gjumi atë natë ishte arratisur. Më shumë me shkonte mendja te ky lloj komploti, por edhe te besimi ynë fanatik në një udhëheqje, që e shikonim aq besnike dhe unike, në çështje të tilla themelore. Projektoja se si do të dorëzohej dokumenti në Atdhe. Shpresoja se mund të isha unë "korrieri" më i sigurt.

Dy ditë më vonë, një telegram i mbyllur kërkonte që unë të nisesha për në atdhe, duke marrë me vete edhe postën diplomatike. Pas disa udhëtimesh që kisha bërë, këtë radhe m'u duk se mbaja një material që kishte jo vetëm rëndësi, por edhe shumë rrezik.

Në Ministri arrita pa asnjë problem. Dokumentin ia dorëzova vetë shokut Reiz. Ai, pa e hapur, më tha:
- Tani ulu aty dhe përshkruaj hollësisht se si e sigurove këtë dokument.

- Veprova ashtu si më kërkoi Ministri. Përshkrova në detaje tërë ecurinë, deri në momentin kur e shtiva në dorë.

Me saktësi dhe vërtetësi kristiane, jo vetëm se këtë e kisha bindjen time, por çdo devijimi apo zbukurimi i trembesha për interpretime e qëndrime meskine të ndonjë kuadri, që kishte zënë vend në dikaster me miq dhe priste rastin si e si të më bënte keq.
Pasi e shkrova me shkrimin tim, ia dorëzova Ministrit. Ai e lexoi, u ngrit në këmbë dhe më shikoi drejt e në sy.

-Shumë mirë- tha.
Më shtrëngoi dorën fort, pastaj shtoi: - Prapë do të flasim.

Kështu mbaron historia e këtij dokumenti, i cili, me siguri, bashkë me korrespondencën ndodhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Do të më falë lexuesi se në të tilla raste, as që bëhej fjalë për të mbajtur ndonjë shënim si këto që radhitëm në faqet e këtij libri, prandaj edhe në riprodhimin e tyre, ajo që është e saktë, i referohet përmbajtjes, thelbit të problemit.

Pasi qëndrova disa ditë në vendin tim, u ktheva në detyrë. Aty, në fund të botës, nuk merrnim vesh asgjë se ç'bëhej në vend, pa le të mësoje për vlerësimin e këtij dokumenti.

Një a dy vjet më vonë, mora vesh se në një mbledhje të rëndësishme të Plenumit të KQ të PPSH, shoku Ramiz Alia kishte folur se "në një ambasadë kemi marrë një material interesant që hedh dritë për komplotin e Mehmet Shehut...". Vite më vonë, kjo çështje është trajtuar edhe në një gazetë të përditshme, duke ruajtur anonimatin.

Pa dyshim, pyetja që mund të bëjnë shumë lexues, ashtu siç e kam bërë unë dhe shumë kolegë të mi, është kjo: Përse pikërisht në Argjentinë të dërgohet një dokument i tillë?

Në radhë të parë, nuk dihet se në cilat vende është dërguar e ku, jo. Një gjë e tille dihet vetëm nga Qeveria Amerikane.

Por për t'i dhënë përgjigje pyetjes së mësipërme, që në atë kohë unë ia kërkova një gjë të tillë Mendes, ai i tha Farranit se kjo është bërë për arsye se Ambasadori Amerikan në Argjentinë ishte caktuar të vinte në Shqipëri, në rast se do të triumfonte plani i Mehmet Shehut për likuidimin e Enver Hoxhës.

Kishte kaluar më shumë se një vit, kur një grup nga ata që kontrollonin shifrën erdhi në Argjentinë. Ishin dy vetë. Të them të drejtën, ata vinin kot e nuk kishin se çfare të kontrollonin, të gjitha telegramet që bëheshin me shifër vinin në Tiranë.

Atje mbeteshin vetëm numrat, por meqenëse kjo punë i përkiste Ministrisë se Punëve të Brendshme, ishte vetëm ajo që mund ta ndryshonte. Nëpunësi hiqej nga ata që i "merrte vesh" të gjitha. Një pasdite, kur ndodheshim vetëm, duke shëtitur në një nga parqet e qytetit, më pyeti: - Sa pagove për atë shërbimin që të bëri ai amerikani?

M'u bë qejfi që bëri një pyetje të tillë. Më kishte ndodhur që duke kaluar nga Roma dhe Parisi, shpesh të dëgjoja se punonjësit e sigurimit në lidhje me kundërzbulimin jepnin shuma të mëdha për të marrë informacione e të dhena që i interesonin shtetit të asaj kohe. Kjo më linte të mendoja se shumë njerëzve do t'u lindte në kokë një pyetje e tillë.

E pashë drejt e në sy bashkëfolësin dhe, si për të vërtetuar se një gjë e tille ishte bërë pa dhënë asnjë grosh, bashkova dy gishtërinjtë duke formuar një zero. Pastaj shqiptova:

- Asnjë grosh.
Të nxirrje para nga banka në atë kohë ishte jo vetëm e vështire, por e pamundur. Çdo shpenzim duhej argumentuar me përgjegjësi. Neglizhencat dënoheshin.

PLANI I CIA-s PËR ELIMINIMIN E ENVERIT

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Buenos Aires - Argjentinë
Përkthimi i teletekstit nr. 321-40-60, nëntor 1975.

Objekti: Për t'u vendosur në bibliotekën e ambasadës.
Shumë sekret.
Vetëm për njohje të zotit Ambasador.

Çështja e Shqipërisë

Në shtatorin që porsa kaloi, në Nju Jork u zhvillua një mbledhje me një mik, po e quajmë "M 008, udhëheqës i Qeverisë Shqiptare. Me atë u arritën një sërë përfundimesh: M 008 u zotua të marrë pushtetin, të zëvendësojë plotësisht Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Agjenti ynë ka një pjesë të pushtetit. Propozon të veprojë kështu:

Të ftojë për darkë Hoxhën dhe t'i hedhë në pije helm me veprim të vonuar për të shkaktuar vdekjen e tij. Agjenti ynë na tha se kjo është e vetmja rrugë. Për më tepër, është e domosdoshme të bëhet, sepse Hoxha jeton duke pasur një dashuri të madhe nga masat, e njëjtë si ajo e Gandit.

Miku ynë e konsideron plotësisht të mundshme se do të zgjidhet për të vazhduar Hoxhën dhe me kohë, afërsisht një vit, do të fillojë të zëvendësojë vazhduesit e Hoxhës, duke vendosur në vend të tyre njerëzit e tij të besuar. Në rast se do të fitojë lëvizja, kemi diskutuar një program minimum, i cili vazhdon si më poshtë:

1. - Vendosjen e marrëdhënieve zyrtare me të gjitha vendet më të rëndësishme të Perëndimit: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konflikti i arit shqiptar do të zgjidhet nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës.

2. - Shqipëria do të bëhet anëtare e organizatës ndërkombëtare të ekonomisë, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe organizmave të tjera të krijuara për këtë qëllim.

3. - Të bëjë paqe me vendet fqinj (Jugosllavinë dhe Greqinë) për të zhdukur me të parën të gjitha kundërshtimet e ardhura nga lufta personale dhe ideologjike e Enver Hoxhës dhe grupit të tij dhe duke firmosur me të dytën një traktat të paqes, miqësisë dhe kooperimit që hap kufijtë e vendit.

4. - Qeveria do të jetë socialiste, nuk do të kthehet në regjimin e mëparshëm. Nuk do të njihen dëmshpërblimet e pronarëve të mëparshëm të tokave, por Shqipëria do të braktisë politikën e saj të izolimit ndërkombëtar.

5. - Qeveria e re do të zgjidhet brenda një kohe prej 3-5 vjetësh, duke pranuar rilindjen e të gjitha partive politike në formë të gjerë.
Nëqoftëse do të dështojë në tentativën e tij, do të zbulohet, agjenti ka kërkuar dhe për këtë është siguruar se do t'i jepet strehim politik në SHBA, në mungesë të këtij, në ndonjë vend mik. Për këtë ai ka kërkuar dhe është siguruar se do t'i jepen 3 milionë dollarë amerikanë.

Me këtë rast është zotuar se do të denoncojë të gjitha llojet e krimeve që u kryen në Shqipëri nga ana e Hoxhës dhe vazhduesve të tij.
Po japim një shpjegim për agjentin për ta pasur në kujtesë në të ardhmen:

Bëhet fjalë për një njeri shumë ambicioz, i tillë është edhe plani i tij. Ai vetëm na bashkohet me çështjen e bashkekzistencës me Perëndimin dhe fqinjët e tij. I kemi sugjeruar që deri sa të kryhen veprimet të jetë i bindur ndaj Hoxhës dhe vazhduesve të tij, në rast të kundërt mund të zbulohet plani.

Kjo do të ishte fatale për suksesin e tij. Të gjitha këto duhen mbajtur parasysh në funksion të suksesit të planit. Duhet të përgatitemi të kemi marrëdhënie diplomatike të plota. Tema është e një karakteri shumë sekret.

Nuk do t'u jepet ambasadave të tjera. Ambasadori i Buenos Airesit (për këtë do të njoftohemi prej vetë atij) do të jetë i caktuar ambasador në Tiranë në rast suksesi.
Buenos Aires 1960



Arben Rrozhani/Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama