Plako tmajt e jotja Vepra udhetuese e Gent Hazizit ndalet ne teatrin Bylis

TIRANË, 24 Tetor / ATSH - Klajdi Musabelliu / - Aktori i njohur i skenës dhe ekranit në vend, komediani Gent Hazizi, pas suksesit të arritur në kryeqytet me "stand up comedy-në" e tij, apo e thënë ndryshe, monologun me titull "Plako t'majt e jotja", ka udhëtuar drejt qytetit të Fierit, për të vënë në skenën e teatrit "Bylis" shfaqjen më të fundit, shkruar nga Ard islami dhe vet aktori.

Vepra "Plako t'majt e jotja" që premierën e saj të suksesshme e pati në skenën e Teatrit Kombëtar në 19 tetor, ka udhëtuar drejt Fierit, ku "lufta e përditshme në familje, ku lekët që nuk dalin asnjëherë, gruaja që vetëm ankohet, kërkesat e panumërta të fëmijëve, dhe propaganda politike", do të shfaqen për publikun sot në mbrëmje.

Përpjekja e aktorit në interpretimin e kësaj pjese qëndron në përfshirjen e frazave jo thjesht komike, por nxitëse të reflektimit mbi fenomenin, dhe ajo ç'ka përjetohet çdo ditë vjen e veshur harmonishëm, nën petkun e komedisë dhe lojën brilante të aktorit Gent Hazizi, i cili do ta rikthejë në Teatrin Kombëtar shfaqjen e tij në 26 tetor.

Aktori që u bë i njohur në skenën e "Portokallisë", tashmë vjen në një zhanër artistik të pa lëvruar shumë në skenat shqiptare, ndërkohë që është shprehur edhe më parë se "stand up komedi" është alternativa artistike për të cilën ai ka punuar prej kohësh, dhe që do ta shfaqe veprën kudo ku ka një skenë në Shqipëri.

/k.m/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama