Pjesa e I Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (3)

Neni 27
Kalendari i punimeve të Kuvendit
 
1. Për zbatimin e programit të punës së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit i propozon Konferencës së Kryetarëve kalendarin e punimeve të Kuvendit për një periudhë 3 - javore. Në mbledhje merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin. Projektkalendari i punimeve u jepet kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave të paktën 4 ditë para zhvillimit të mbledhjes.
2. Në kalendarin e punimeve për çdo çështje shënohet komisioni përgjegjës që do të shqyrtojë çështjen, komisionet e përhershme që mund të japin mendim për nene ose çështje të veçanta dhe emri i relatorit/relatorëve.
3. Kalendari i miratuar me mirëkuptim në Konferencën e Kryetarëve bëhet i detyrueshëm për zbatim pasi i njoftohet Kuvendit.
4. Kur në Konferencën e Kryetarëve nuk arrihet mirëkuptimi për kalendarin e punimeve, Kryetari i Kuvendit e harton vetë atë dhe ia paraqet për miratim Kuvendit në seancë plenare. Pas diskutimit për jo më shumë se 10 minuta për çdo grup parlamentar, kalendari përfundimtar miratohet në Kuvend. Këshilli i Ministrave, një kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të paraqesin me shkrim propozime për ndryshime në kalendarin e punimeve. Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura.
5. Kalendari i punimeve të Kuvendit përmban në mënyrë të detajuar kohën kur Kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione. Kalendari publikohet dhe u shpërndahet deputetëve, si dhe u vihet në dispozicion përfaqësuesve të medias. Në çdo rast, rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën 2 ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare.
 
Neni 28
Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve
 
1. Me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një të pestës së të gjithë numrit të deputetëve, Kuvendi mund të shqyrtojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar.
2. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 pika 2 të Kushtetutës, me përjashtim të shkronjës “dh”.
3. Kërkesa për procedurë të përshpejtuar të shqyrtimit të projektligjit paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit, i cili ia njofton Kuvendit në seancën plenare më të parë. Pas njoftimit të Kryetarit dëgjohet një folës pro dhe një folës kundër për jo më shumë se 10 minuta. Kryetari i Kuvendit i paraqet Kuvendit për votim projektvendimin përkatës, në të cilin përcaktohet data e shqyrtimit të projektligjit në komisionin përgjegjës, afati brenda të cilit mund të propozohen amendamente dhe data e shqyrtimit në seancë plenare. Konferenca e Kryetarëve mund të përcaktojë kohën e debatit në seancë plenare, duke respektuar rregullin e parashikuar në nenin 48 pika 3 të kësaj Rregulloreje.
4. Afati, brenda të cilit duhet të shqyrtohet çështja në komision dhe në seancë plenare, nuk mund të jetë më pak se një javë nga data e paraqitjes së kërkesës nga Kryetari i Kuvendit në seancë plenare.
5. Kuvendi nuk mund të shqyrtojë më shumë se tri projektligje me procedurë të përshpejtuar për programin 12-javor të punës së Kuvendit dhe një projektligj për programin 3-javor të punës së tij.
 
Neni 29
Programi i punës dhe kalendari i punimeve të komisioneve të përhershme
 
 
1. Çdo komision i përhershëm përcakton programin e punës dhe kalendarin e punimeve të tij. Ata hartohen duke mbajtur parasysh programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe në mënyrë që raporti i komisionit për shqyrtimin e projektligjit t’i paraqitet Kuvendit jo më vonë se 3 ditë para zhvillimit të seancës plenare.
2. Kryetari i komisionit, në këshillim me zëvendëskryetarin dhe sekretarin e komisionit, nisur nga rëndësia e çështjes që do të shqyrtohet, cakton një ose më shumë relatorë për çështjen dhe ia bën të ditur komisionit. Në rast kundërshtimi, komisioni vendos për caktimin e relatorit/relatorëve me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.
 
Neni 30
Njoftimi i rendit të ditës dhe i mbledhjes pasardhëse
 
1. Në fillim të çdo seance plenare drejtuesi i saj bën të njohur rendin e ditës, në përputhje me kalendarin e punimeve.
2. Drejtuesi i seancës plenare ose kryetari i komisionit, para se të mbyllë përkatësisht seancën ose mbledhjen, njofton orën e fillimit të seancës plenare ose të mbledhjes së ardhshme.
 
Neni 31
Ndryshimi i rendit të ditës
 
1. Kuvendi ose komisionet nuk mund të diskutojnë dhe të vendosin për çështje që nuk janë në rendin e ditës.
2. Për të diskutuar ose vendosur në seancë plenare për çështje që nuk janë në rendin e ditës, Kuvendi merr vendim me jo më pak se tre të pestat e deputetëve të pranishëm. Propozimet për vendosje të çështjeve të tjera në rend të ditës duhet të paraqiten me shkrim nga të paktën 10 deputetë, nga një kryetar grupi parlamentar ose nga Këshilli i Ministrave vetëm para fillimit të seancës, para fillimit të diskutimit të një pike të rendit të ditës ose kur është pezulluar diskutimi. Në rastet kur kërkesën nuk e bën grupi parlamentar, kërkesa paraqitet nga një deputet dhe grupi mbështetës i deputetëve ngrihet në këmbë.
3. Kuvendi mund të vendosë në çdo kohë që komisionet e përhershme të kenë në rendin e tyre të ditës një ose më shumë çështje, në përputhje me programin e punës dhe me kalendarin e punimeve të Kuvendit.

KREU VI
ZHVILLIMI I MBLEDHJEVE TË KOMISIONEVE
TË PËRHERSHME
 
Neni 32
Mbledhjet e komisioneve
 
1. Komisionet e përhershme mblidhen si në kohën kur Kuvendi është i mbledhur në sesion, ashtu edhe jashtë tij.
2. Mbledhjet e komisionit të përhershëm thirren nga kryetari i tij. Ato mund të thirren edhe me kërkesën e jo më pak se një të katërtës së anëtarëve të komisionit ose me kërkesën e Kryetarit të Kuvendit, duke përcaktuar në kërkesë dhe çështjet që do të diskutohen në mbledhje.
3. Komisionet e përhershme nuk mund të mblidhen gjatë kohës kur Kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare, përveçse me miratimin e Kryetarit të Kuvendit. Për të siguruar numrin e kërkuar për votim, drejtuesi i seancës plenare ka të drejtë në çdo kohë të anulojë ose të ndërpresë mbledhjen e komisionit.
4. Në mbledhjet e komisioneve mund të marrin pjesë pa të drejtë vote edhe deputetë që nuk janë anëtarë të tij, anëtarët e Këshillit të Ministrave, si dhe persona të tjerë të ftuar nga komisioni.
 
Neni 33
Organizimi i punës
 
1. Kryetari i komisionit, në këshillim me zëvendëskryetarin dhe sekretarin e komisionit, i propozon për miratim komisionit programin e punës dhe kalendarin e punimeve të tij. Kryetari i komisionit përgatit rendin e ditës, organizon punën për zhvillimin e mbledhjeve të komisionit dhe kryeson mbledhjet e tij; përfaqëson komisionin në marrëdhënie me organet e tjera të Kuvendit dhe jashtë tij; nënshkruan dhe paraqet në seancë plenare, së bashku me relatorin, raportin e shqyrtimit të çështjes në komision; vë në dukje pjesëmarrjen në komision; hedh në votë dhe shpall rezultatin e votimit, si dhe ndjek korrespondencën e komisionit. Me pëlqimin e kryesisë së komisionit ose kur kjo kërkohet nga shumica e anëtarëve të komisionit, kryetari thërret për raportim ose informim para komisionit drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe publike.
2. Kryetari i komisionit informon komisionin për çdo veprimtari që kryen në emër të tij.

Neni 34
Kuorumi dhe vendimmarrja në komision
 
 
1. Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit.
2. Komisioni merr vendim me votim të hapur për programin e punës dhe kalendarin e punimeve të tij, për miratimin e raportit që do t’i paraqitet seancës plenare, për projektrezoluta ose projektdeklarata që i paraqiten Kuvendit për miratim, si dhe për çështje të tjera që lidhen me funksionimin e komisionit. Vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit.
3. Mendimi i anëtarëve që kanë mbetur në pakicë, në çdo rast shënohet në procesverbalin e përmbledhur të mbledhjes së komisionit dhe i bashkëngjitet mendimit të shumicës së komisionit.
 
Neni 35
Publiciteti i mbledhjeve
 
 
1. Mbledhjet e komisionit, si rregull, bëhen të hapura. Mbledhja quhet e hapur kur media, grupet e interesit ose vizitorët janë të lejuar ta ndjekin atë.
2. Komisioni, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij, mund të vendosë që mbledhjet e komisionit ose pjesë të tyre të bëhen të mbyllura.
 
Neni 36
Seancat dëgjimore publike
 
 
1. Komisioni mund të organizojë seanca dëgjimore publike me anëtarë të Këshillit të Ministrave, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore ose publike, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të grupeve të interesit, si dhe grupime të tjera të interesuara. Komisioni është i detyruar të realizojë seancën dëgjimore, sipas përcaktimeve të bëra në këtë nen, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim.
2. Në përgatitjen e seancës dëgjimore publike, kryetari, në bashkëpunim me zëvendëskryetarin dhe sekretarin e komisionit, i paraqet të ftuarve çështjet për të cilat kërkohet informacion.

Neni 37
Mbledhjet e përbashkëta të komisioneve
 
 
1. Komisionet, kur përcaktohet në programin e punës së Kuvendit ose kur e shohin të nevojshme, mund të bëjnë mbledhje të përbashkëta. Mbledhjen e përbashkët e kryeson njëri nga kryetarët e komisionit që zgjidhet me marrëveshje ndërmjet tyre dhe, kur kjo nuk arrihet, mbledhjen e kryeson kryetari i atij komisioni që ka më tepër lidhje me çështjen në shqyrtim, i caktuar nga Kryetari i Kuvendit.
2. Në mbledhjet e përbashkëta të komisioneve zbatohen rregullat e parashikuara në nenet 34, 35 dhe 36 të kësaj Rregulloreje dhe vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm.
3. Mbledhjet e përbashkëta të komisioneve dalin me një raport të vetëm. Kur qëndrimet e komisioneve janë të ndryshme, ato paraqiten veçmas në raportin përfundimtar të mbledhjes.
 
Neni 38
Shqyrtimi i çështjeve
 
1. Brenda 2 ditëve nga përcaktimi në seancë plenare i programit të punës dhe i kalendarit të punimeve të Kuvendit, komisioni mblidhet për miratimin e programit të punës dhe kalendarit të punimeve të tij. Programi i punës dhe kalendari i punimeve të komisionit duhet të garantojnë zbatimin në kohë të çështjeve që janë parashikuar për shqyrtim në seancë plenare.
2. Në komisionin përgjegjës për shqyrtimin e çështjes caktohet relatori/relatorët e çështjes, në përputhje me nenin 29 pika 2 të kësaj Rregulloreje. Relatorët caktohen në mbledhjen ku miratohet programi i punës së komisionit dhe për çdo çështje që është në program. Mendimi i relatorit/relatorëve për çështjen duhet të jepet me shkrim dhe të paktën 3 ditë përpara datës së caktuar për të shqyrtuar çështjen në komision. Për hartimin e raportit relatori/relatorët mund të kërkojnë të ndihmohen nga specialistë të Këshillit të Ministrave të lidhur me çështjen, nga shërbimi juridik në Kuvend, si dhe nga ekspertë të tjerë.
3. Komisioni përgjegjës fillimisht kryen diskutimin në parim të projektligjit ose të çështjes. Relatori paraqet vlerësimin e përgjithshëm mbi projektligjin ose çështjen që diskutohet dhe, nëse e sheh të arsyeshme, i propozon komisionit të kërkojë mendimin e Këshillit për Legjislacionin, sipas nenit 14 të kësaj Rregulloreje. Kryetari i komisionit, pas dëgjimit të relatorit, fton anëtarët e komisionit për pyetje drejtuar nismëtarëve të projektligjit dhe relatorit dhe, pas kësaj, deklaron të hapur diskutimin në parim për projektligjin. Diskutimi në parim bëhet gjithmonë në prani të përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave. Në përfundim të diskutimit në parim, komisioni vendos për miratimin në parim ose mosmiratimin e projektligjit.
4. Çdo deputet ka të drejtë të dëgjohet në mbledhjen e komisionit përgjegjës për mendimin e tij në lidhje me projektligjin që shqyrton komisioni.
5. Në rast se komisioni përgjegjës miraton në parim projektligjin, ai fillon shqyrtimin dhe votimin nen për nen të tij dhe për çështjet që propozohen për t’i kërkuar mendim Këshillit për Legjislacionin ose komisioneve të tjera, vendos me votim nëse duhet t’u dërgohen ose të mos u dërgohen. Shqyrtimi i këtyre pikave kryhet pasi është marrë mendimi i Këshillit për Legjislacionin ose i komisionit të përhershëm.
6. Kur komisioni përgjegjës vendos mosmiratimin në parim të projektligjit, ose kur mendimi i Këshillit për Legjislacionin është për mosmiratimin në parim të tij, çështja vendoset për diskutim në seancë plenare. Kur Kuvendi në seancë plenare vendos miratimin në parim të projektligjit, komisioni përgjegjës fillon shqyrtimin nen për nen të tij në mbledhjen më të parë.
 
Neni 39
Procesverbalet në mbledhjet e komisioneve
 
 
1. Në mbledhjet e komisioneve mbahet procesverbal i përmbledhur.
2. Në procesverbalin e përmbledhur shënohet data e zhvillimit të mbledhjes, çështja që shqyrtohet, pjesëmarrja e deputetëve dhe e të ftuarve, përmbledhja e diskutimeve të bëra, qëndrimet e deputetëve dhe rezultati i votimit. Procesverbali i përmbledhur paraqitet në mbledhjen më të parë pasardhëse të komisionit. Në rast se në mbledhjen e komisionit nuk ka vërejtje për procesverbalin e mbledhjes paraardhëse, procesverbali quhet i pranuar dhe nëse kërkohet votim, ai zhvillohet me ngritjen e dorës. Për proceverbalin fjala u jepet vetëm atyre anëtarëve të komisionit që kërkojnë të propozojnë korrigjim ose të sqarojnë mendimin që kanë shprehur.
3. Në rast se çështja është me interes të veçantë, me vendim të komisionit, mbledhja regjistrohet e plotë dhe bëhet publike.
4. Në çdo rast procesverbalet e përmbledhura të mbledhjes së komisioneve, me përjashtim të atyre që përmbajnë informacion të klasifikuar sekret shtetëror, bëhen publike dhe u shpërndahen përfaqësuesve të medias ose personave të tjerë.
5. Procesverbali i përmbledhur i mbledhjes së komisionit është dokument parlamentar dhe depozitohet në Arkivin e Dokumentacionit Parlamentar.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama