Piktura shpirterore e Lek Tasit

Piktura shpirtërore e Lek Tasit

Personazhet e veprave duket sikur janë pa peshë dhe notojnë në ajër si kozmonautë surrealistë. Ata lëvizin lehtësisht dhe vetëm kur duan vetë i nënshtrohen gravitacionit tokësor.
Të gjithë janë të heshtur. Secili sheh punën e vet. Por në punët e tyre kanë ndërhyrë të tjerë që nuk i shohim.
Konfliktet janëtë padukshme.
Dhe kur bërtasin e ulërijnë nuk dëgjohet asnjë zë. Ulërimat nuk dëgjohen, si në hetuesi.
Çdo krim bëhet në heshtje. Janë krimet e bukura.
Dhe gjithë këtë procesion e shoqëron vetëm një violinçelë në sordine.
Skenat janë ëndrra reale, që tregojnë realitetin ëndërrimtar. Arti i tij është i vërtetë, se ai nuk di të gënjejë. Ka një defekt. Ka qenë dhe mbetet i ndershëm.
Dashurinë e tij për botën ai e ndan si naforë me personazhet që krijon. Surealizmi i tij ekspresiv është kaq i ëmbël, sa të bën të ëndërrosh me sy hapur dhe ta mbash gjithmonë nën gjuhë si një mente.

Sheshi qendror i Tiranës është si një shfaqje teatri, ku ndërrohen skenat njëra pas tjetërs dhe aktet e rinj kanë personazhe të tjerë.
Miti dhe absurdi janë kaq lehtësisht të zbërthyeshëm. Në 30 punimet është gjithë jeta e tij. Sa pak dhe sa shumë!
Lek Tasi është shembulli më klasik i unitetit të personit me veprën. Kjo vërtetësi është kaq e rrallë në artin tonë, sa të prek thellë.

Fytyrat e menduara të Lek Tasit

Qëndrojnë rreth një tavoline. Luajnë tavull, apo letrash. Kokat i mbështesin mbi duar dhe mendohen. Vetullat, sytë, buzët, madje edhe ngjyrat brenda korrnizës tregojnë mendim. Të tjerë shohin një shfaqje koncertale, apo baleti. Jemi në Tiranë. Aty ku mbajnë kollare edhe katundarët me qeleshe, madje edhe Skënderbeu mbi kalë. Shquhet kudo Banka e Shqipërisë, thua gjithçka rrotullohet rreth saj, rreth parasë. Mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve hapet ekspozita personale e piktorit Lekë Tasi. Piktori prezantohet me 30 punime të realizuara në vitet 1999-2007. "Trafik në Rrugën e Kavajës", "Kodra në mes të Tiranës", "Pashkë në Sheshin Skënderbej", "Kinema Rozafat" etj, janë disa nga tablotë e tij. Por, aty ndihen edhe përshtypjet dhe reflektimet nga udhëtime jashtë vendit si "Kafe-Jugu i Italisë". 29 punime janë në pikturë (vaj) dhe një vepër, "Tirana Mesjetare - Investitio Principis Tiranorum Progonii Scurae AD 1189" (2002), është vizatim. Lekë Tasi ka studiuar për violinçel, por lidhjet me pikturën i ka të hershme. Edhe pse është autodidakt është i njohur dhe i vlerësuar në rrethet e artistëve të artit pamor.Dimensionet e tij artistike prekin edhe letërsinë. Në 2004 ka botuar romanin "Korridori me vetratë" dhe është autor i një vepre, me temë internimin dhe personazhet historikë që lidhen me atë kohë, të titulluar "Gropa rrëzë kodrave", i cili pritet të dalë së shpejti.

 

Maks Velo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama