Perse Anglia nuk e ndihmoi Ahmet Zogun ta risillte ne pushtet

Perse Anglia nuk e ndihmoi Ahmet Zogun ta risillte ne pushtet
Sa here qe dikush zhytet ne historine e Ahmet Zogut zbulon diçka te re. Te mistershme e te paperseritshme. Te rendesishme dhe historike njekohesisht. Keshtu beri shkrimtarja franceze Zhozefine Dedet nje dekade me pare teksa na dhuroi nje liber me jeten e ketij mbreti simpatik e te çuditshem sipas saj. Udhetoi deri ne Johanesburgun e larget dhe atje si nje gazetare investigative grumbulloi aq fakte e copeza historie qe na la pa mend edhe ne shqiptareve qe e kishim mbret per nja 15 vjet, por qe nuk ia dinim historine. Por duket se misteri dhe te fshehtat e kane ndjekur kemba-kembes kete njeri.

Neil Rees, nje historian i apasionuar pas Ballkanit, duket se ka shenuar bingo. Ka hulumtuar prej vitesh ne arkiva dhe gjetur aq rrefime e deshmi sa te na sjelle nje pjese jo pak te rendesishme te Ahmet Zogut. Dhe, eshte gati te nxjerre nje liber per kete. Jeta e Zogut ne keshtjellen Buckinghamshire, nje zone rurale prane Londres. Aktiviteti i tij, jeta private, bashkeshortja Geraldine e deri tek 8 badigarde. E pra, i pari i mbreterise me te vogel ne Evrope jetoi per gjashte vjet ne mbreterine me te madhe ne Evrope. Te gjitha keto Ris na i sjell duke na shtuar kersherine e nje periudhe kaq te larget, por te rendesishme. Ne nje interviste ekskluzive per gazeten "Tirana Observer", Ris na zbulon nje pjese te librit te tij duke e shoqeruar edhe me disa foto ekskluzive. Kontaktet e Zogut me personalitet ne Londer dhe perse Anglia nuk e ndihmoi ta risillte ne pushtet. Po edhe pjese jetesore te asaj qe u quajt ekzili i pare nje monarkut shqiptar.

Ju keni ne plan te shkruani nje liber per periudhen e qendrimit te mbretit te shqiptareve, Ahmet Zogu, ne Angli. Pse e konsideroni te rendesishme qe nje anglez te shkruaje nje liber per nje mbret shqiptar?

Mua gjithnje me ka interesuar historia. Interesi im ne Ballkan i ka rrenjet ne nje vizite ne Republiken Jugosllave te Maqedonise ne vitin 1988. Ne Maqedoni per here te pare kam takuar shqiptare etnike, por ne ate kohe ata nuk lejoheshin qe te shkelnin ne Shqiperi. I ndjeri president i Maqedonise, Boris Trajkovski, ka qene nje miku im i mire dhe zakonisht takoheshim sa here qe ai vinte ne Londer. Shkak qe une te interesohesha te mesoja se mbreti i Shqiperise kishte jetuar aty prane ku une jetoj ne Angli, ishte interesi qe kisha per Ballkanin, ndaj vendosa te bej disa investigime per kete gje.Fillimisht une planifikoja te shkruaja nje liber historik-lokal rreth Mbretit Zog, çka mund te perkufizohet si nje liber per njerezit e zones sime ne Angli, duke qene se Mbreti Zog ishte nje karakter shume interesant ne ate lokalitet. Shkollat ne Angli supozohet qe te kene ne planin mesimor historine e zones se tyre dhe njerezit e rinj qe jetojne ne ate zone jane te interesuar te mesojne se nje mbret ka jetuar aty. Megjithate, duke takuar dhe biseduar me shqiptare te ketij komuniteti ketu ne Angli, une tashme kam mesuar se ata jane shume te interesuar per te mesuar rreth ekzilit te Mbretit Zog ne Angli. Dhe, ne fakt shume pak shqiptare qe jetojne ne Angli e dine se ku ka jetuar ai saktesisht. Edhe nje sternip i Mbretit Zog qe kam takuar, i cili jeton diku ketu afer, nuk dinte shume gjera rreth ketij fakti.

Ne fakt, ne Shqiperi pak dihet se çfare ka bere Mbreti Zog ne Angli gjate periudhes se qendrimit te tij ne Angli. Ju keni ne plan te sillni nepermjet librit tuaj vetem aktivitetin e tij politik e diplomatik apo dhe fakte nga jeta e tij e perditshme e intime?

Edhe ne Angli nuk ka shume informacion per periudhen e azilit te Mbretit Zog, pavaresisht se permendet shkurtimisht ne disa libra. Keto kohe une kam intervistuar disa njerez ne fshatin ku ai jetonte dhe kam mbledhur disa histori. Jane disa njerez te vjeter ne kete zone, te cilet i mbajne mend shqiptaret, ne nivel social. Per momentin, une nuk di shume rreth aktivitetit te tij politik dhe diplomatik te asaj kohe, duke qene se une jam interesuar me teper per jeten sociale te mbretit dhe oborrtareve te tij dhe efektet qe kjo jete sociale ka pasur tek banoret lokale. Une do te permend edhe nje pjese te aktivitetit te tij politik dhe diplomatik, por qellimi im nuk eshte te shkruaj nje liber politik. Une jam i interesuar per te dhena historike te atyre ç'kane ndodhur, keshtu qe ajo qe do shkruaj varet dhe nga faktet e reja qe do te mesoj.

Ne aspektin historik, akoma ka mbetur pa pergjigje pyetja se, pse Anglia nuk e ndihmoi Mbretin Zog qe te kthehej ne pushtet pas perfundimit te luftes?

Problemi eshte se nuk ka nje pergjigje te drejtperdrejte per kete dhe kjo çeshtje duhet te shihet ne nje kontekst te paralelizuar me ate te lidereve te tjere te merguar ne Britani.1. Mua me duket se Mbreti Zog ishte ne nje pozicion shume ndryshe nga ai lidereve te vendeve te tjera qe kerkuan azil ne Angli. Nga gjithe kerkimet lokale qe kam bere une, e di se prane Mbretit Zog jetonin edhe Mbreteresha Vilhemina e Holandes, Gjeneral Sikroski i Polonise, Presidenti Benes i Çekosllovakise dhe Sharl de Gol i Frances se Lire. Por te gjithe keta udheheqes kishin formuar ushtri te tera ne mergim, keshtu qe ata konsideroheshin si kontribuues pozitive ne arritjet e luftes, ndaj dhe kishin ne dore me shume force diplomatike. Ne Angli ne ate kohe ishin 200 mije polake dhe rreth 20 mije çekosllovake, ndersa per sa u perket shqiptareve, numri i tyre kufizohej ne anetaret Oborrit Mbreteror, tete badigardet e Mbretit dhe shqiptaret e Anetaresise Diplomatike ne Londer, keshtu qe numri i tyre arrinte maksimumi ne 40.

Mbreti Zog ishte nje mbeshtetes i madh i Çurçillit, por ai nuk mund te kontribuonte ne njerez si pilote per Betejen e Britanise apo per njerez qe sterviteshin si parashutiste te maskuar ashtu siç mund te kontribuonin udheheqesit e vendeve te tjera.

2. Duhet sjelle ne kujtese fakti se, Mbreti Zog nuk ishte i vetmi qe s'u kthye ne pushtet pas luftes. Britania i deklaroi lufte Gjermanise kur pushtoi Polonine, ne menyre qe te çlironte kete vend, por ne fakt udheheqesit e polakeve ne Londer nuk u kthyen kurre ne vendin e tyre, sepse komunistet e mbeshtetur nga sovjetiket kishin marre tashme pushtetin ne fund te luftes. Pothuajse asnje nga polaket ne Angli s'u kthye ne Poloni dhe familjet e tyre jetojne akoma e kesaj dite ne Angli.

Gjithashtu edhe Mbreti Pjetri II i Jugosllavise e humbi fronin, pasi udheheqjen e vendit e mori ne dore Josip Broz (Tito) dhe partizanet, duke kerkuar azil ne SHBA, ku dhe vdiq. Keshtu qe Mbreti Zog nuk ishte i vetmi qe nuk rimori pushtetin pas luftes dhe ai gjithashtu nuk ishte i vetmi mbret qe humbi fronin. Ne realitet, qeveria britanike do te kishte preferuar rikthimin e udheheqesve te Polonise, Jugosllavise dhe Polonise te para luftes, por pas disfates se nazisteve shume pak njerez ne Britani kishin deshire te hynin ne nje lufte tjeter dhe keshtu qeveria britanike njohu regjimet e reja de-facto komuniste.

3. Ne realitet qeveria britanike do te kishte preferuar me mire Mbretin Zog sesa Enver Hoxhen. Gjate luftes Anglia e mbeshteti rezistencen pro-zogiste dhe pas luftes Anglia u perpoq te permbyste pushtetin e Hoxhes. Megjithate ne sherbimet sekrete britanike bente pjese nje agjent i dyfishte pro-sovjetik i quajtur Kim Filbi, i cili i informonte komunistet perpara çdo misioni te tille, ndaj ato te gjitha deshtonin.

Sipas kerkimeve tuaja mbi kete figure, cilet jane personalitetet e larta angleze qe jane takuar me Mbretin Zog gjate qendrimit te tij ne Angli?

Une sapo e kam filluar kerkimin per kete ndaj dhe s'mund t'i pergjigjem plotesisht kesaj pyetjeje. Une di qe presidenti Benes i Çekosllovakise i bente shpeshhere vizita Mbretit Zog ne Buckinghamshire. Mbreti Zog gjithashtu i shkruante Uinston Çurçillit, por une s'besoj te jene takuar ndonjehere.

Cili eshte, sipas jush, fakti me i forte dhe me i interesant qe keni zbuluar rreth periudhes gjate se ciles Mbreti Zog qendronte ne Angli?
Shume shqiptare ne Angli besojne se Mbreti Zog ka jetuar gjate gjithe periudhes se luftes ne Londer. Kur u them atyre se per pese vjet ai ka jetuar ne Parmoor House, ne nje komunitet te vogel rural ne Buckinghamshire ne Angli, shume prej tyre habiten. Shtepia ku ai ka jetuar eshte akoma e pandryshuar. Une kam fotografi te Mbretit Zog qe jane bere ne shtepine ku ai ka jetuar dhe mund te identifikoj me saktesi se ku jane bere keto foto, duke qene se shtepia duket ekzaktesisht e njejta dhe nje pjese e mobilieve qe Mbreti Zog ka perdorur jane akoma aty. Madje dhe librat qe gjenden ne rafte, aty jane te njejtet libra qe ishin kur Zogu jetonte aty.

Sipas te dhenave, Mbreti Zog perdorte ne Londer nje automobil tip "Mercedes Benz", i cili ishte dhurate nga Adolf Hitleri, nje makine e cila mendohet se u shkaterrua gjate bombardimeve te gjermaneve. Ju keni njohuri se cili mund te jete fati i vertete i kesaj makine?

Po, Mbreti Zog ka marre nje makine "Mercedes Benz" kabriole nga Hitleri, si dhurate me rastin e marteses se tij me Mbretereshen Geraldine, ne vitin 1938, por une nuk besoj se ajo u shkaterrua nga bombardimet gjermane. Ai e ka perdorur ate makinen ne Londer. Kur ai u zhvendos ne Buckinghamshire, ky automobil ishte nje prej atyre qe Mbreti Zog perdorte dhe njerezit e zones e mbajne mend ate. Me sa kam kuptuar une, ai ia ka dhene ate nipit te tij, Princ Tatit. Princ Tati ia shiti ate nje banori te zones, i cili e shiti serish. Une po mundohem te zbuloj se çfare ndodhi me makinen, por kam besim se ajo i ka mbijetuar luftes.

Ne artikullin e publikuar nga "Bucks Free Press" ju permendni faktin se, disa prej badigardeve te Mbretit Zog mund te jene martuar dhe te kene krijuar familje ne Frieth (lokalitet afer vendit ku jetonte Mbreti Zog). A keni informacione konkrete ne lidhje me pasojat e ketyre bashkimeve?

Aktualisht kjo nuk eshte çfare thote artikulli, por une s'kam dashur te them kete. Asnje prej njerezve te mbretit nuk u martua me vajzat e zones apo krijoi familje ne Frieth, por shume prej tyre kane njohur vajza kur ishin Londer, ata madje mund te kene njohur vajza nga High Wycombe dhe Henley-on-Thames gjate kohes qe jetonin ne Frieth. Gjithe badigardet qe jetonin me Mbretin Zog vajten ne Egjipt me te ne vitin 1946. Shume prej tyre kishin familje ne Shqiperi. Ne vitin 1952 ata shkuan ne France me Mbretin Zog, kur ai u largua nga Egjipti. Kur Mbreti Zog vdiq ne vitin 1961, badigardet u vendosen ne France apo Angli. Une isha i interesuar te dija nese ndonje prej tyre u kthye ne Angli per t'u vendosur aty ku kishin qene me perpara. Une di qe nje prej tyre ka jetuar dhe vdekur ne veri te Anglise per shembull, por mua do te me pelqente te dija se çfare ka ndodhur me te tjeret.

A i dini arsyet pse Mbreti Zog la Angline per te shkuar ne Egjipt?

Fillimisht Mbreti Zog mori me qira "Parmoor House" nga familja angleze Cripps. Ai e mori ate me qira per pese vjet dhe ne fund te qerase, ne vitin 1946 familja shpresonte ta shiste shtepine. Sipas artikujve te gazetave ne ate kohe, Mbreti Zog kishte marre ne konsiderate faktin per te blere nje shtepi ne Londer, por ne ate kohe Britania e Madhe e kishte njohur Republiken e re komuniste te Shqiperise, ndaj Zogu vendosi se kishte nevoje per nje baze te re me lidere me mbeshtetes ndaj deshires se tij per t'u kthyer ne Shqiperi. Mbreti Faruk i Egjiptit ishte mik i tij dhe i perkiste nje dinastie me origjine shqiptare. Egjipti ishte gjithashtu me afer Shqiperise gjeografikisht dhe Zogu shpresonte te merrte ndihme nga familjet mbreterore myslimane. Keshtu qe ne ate kohe Egjipti ishte nje zgjedhje me se e arsyeshme. Fatkeqesisht kur Mbreti Faruk u permbys nga froni prej Nasser-it dhe ne vitin 1952 Mbretit Zog iu desh te nderronte serish vend.

Badigardet e Mbretit Zog ne Angli, te regjistruar ne hotelin “Ritz” ne Londer

1. Mr Zenel Shehi
Lindi me 1906 ne Shqiperi
I martuar ne Shqiperi
Ne vitin 1946 ne moshen 40 vjeçare shkoi me Mbretin Zog ne Egjipt

2.Halil Sufa
Lindi me 1902 ne Mat
I martuar me Bakijen ne Shqiperi
Ne vitin 1946 shkoi me Mbretin Zog ne Egjipt ne rangun e kapitenit

3.Muharrem Gjoka
Lindi me 25 gusht 1900 ne Mat
I martuar me Hajrien
Ne vitin 1946 shkoi ne Egjipit
Ne vitin 1961 u kthye ne Angli ku dhe nderroi jete ne vitin 1985

4. Ali Cupi
Ne vitin 1946 ne moshen 44 shkoi ne Egjipit me Mbretin Zot

5.Bajram Neli
Lindi me 1916 ne Mat
Shkoi me Mbretin Zog ne Egjipt

6.Qazim Prendi
Ne vitin 1946 ne moshen 29 vjeçare shkoi me Mbretin Zog ne Egjipit

7.Mr Halil Drice
Lindi me 15 dhjetor 1917 ne Mat
Ne vitin 1946 nuk shkoi ne Egjipt (Nuk dihet nese qendroi ne Angli)


Mr Jusuf Begeja
Lindi me 1912 ne Tirane
Ne vitin 1946 nuk shkoi ne Egjipt (Nuk dihet nese qendroi ne Angli)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama