Perrenjasi qyteti i varfer mbi pasuri

Përrenjasi, qyteti i varfër mbi pasuri
Mund të duket e rrallë që një qytet të "flejë" i varfër mbi pasuri, por Përrenjasi jeton në këtë mënyrë që prej 20 vjetësh, qëkurse minierat nën themelet e tij, u mbyllën si të ishin "kioska". I vendosur në fushën e Domosdovës, rreth 60 vjet më parë, do të ngrihej ashtu në mënyrë artificiale për hir të minierave të nxjerrjes dhe të përpunimit të hekur-nikelit dhe të kromit. Sot, 10 mijë banorët e tij, përpiqen të mbijetojnë dhe herë-herë ndihen keq, kur kujtojnë me nostalgji kohët e dikurshme të zhvillimit industrial dhe të mirëqenies që sigurohej nga puna nën tokë.

Themelimi i qytetit

Mbi gjashtë dekada më parë u vendosën banorët që do të popullonin qytetin, bashkë me gjeologët rusë e çekë. Nën frymën e aksionit vullnetar, 10 pallatet dykatëshe do të mbusheshin me afro njëmijë banorë, nga ku 150 punëtorët e specialistët e parë do të nisnin punën në minierë. Hartat ruse dhe çeke kishin shënuar me të kuqe vatrat e grumbullimit të mineralit. Për afro 5 vjet nuk ishte nevoja të gërmohej nën tokë, pasi minerali qëndronte mbi kodra e shpate malesh rreth qytetit. Sot flokëthinjurit minatorë flasin me nostalgji për atë kohë që nuk ishin më shumë se 20-30 vjeç dhe nisën punën në miniera. Mbajnë mend rusët e çekët, por më të freskëta kanë kujtimet me kinezët që u ndanë rreth viteve ‘78-‘79 kur marrëdhëniet me Kinën pësuan fatin e rusëve në vitin 1960.

Braktisja

Sot nuk ka më minatorë. Minierat janë mbyllur. Galeritë e tyre qëndrojnë të heshtura e të betonuara. Në galeritë rreth 300 metra të thella, arteriet e tyre zgjaten horizontalisht pa mbarim me dhjetëra e dhjetëra kilometra nën tokë, të përforcuara me beton. Gjatë 30 viteve që kanë qenë në funksionim, mësohet se janë nxjerrë mbi 150 milionë metër kub hekur-nikel që pjesërisht eksportohej, dhe një pjesë tjetër dërgohej për përpunim në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Sipas statistikave, në këtë qytet kanë punuar rreth 2 mijë minatorë, teknikë dhe inxhinierëve të minierës së hekur-nikelit në Përrenjas dhe të kromit në Katjel, pesë kilometra përballë qytetit. Kjo e fundit ende vegjeton duke shpresuar në premtimet e Kryeministrit Berisha në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare për rihapjen e minierave të Përrenjasit.

Papunësia

Sot qyteti jeton në agoninë e papunësisë totale. Shifra i kalon të 35% të fuqisë së aftë për punë. Buxheti i shtetit për investime ka ardhur disa herë më pak se dy vjet më parë. Rreth 400 familje nga 1700 që numëron ky qytet, marrin një ndihmë ekonomike që shkon nga 1500-3000 lekë. Në sektorin privat janë të punësuar vetëm 200 vetë. Qyteti mbijeton me të ardhurat që vijnë nga emigracionin "ilegal". Ish-shkolla e mesme gjeologjike tashmë ka 600 gjimnazistë, ndërsa qyteti nuk ka më nevojë për minatorë, sepse janë të mbyllura minierat. Sipas specialistëve, mineral ka edhe për 50 vjet, po të shfrytëzohet me kapacitetet e dikurshme. Dikush dhe përpiqet të kapë ndonjë galeri mineralesh për të hapur aktivitet privat, por më tepër hanë kohë e para dokumentet, sesa përgatitjet për këtë lloj aktiviteti nën tokë. Sidoqoftë, Përrenjasi mbetet i varfër përballë diellit, por shumë i pasur atje ku nuk hyn dielli. Minierat "flenë" e mbi gjumin e tyre drobitet varfëria e këtyre banorëve.

Besim Dybeli : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama