Perpjekja per te fshehur arin

Perpjekja, per te fshehur arin
…Edhe Qeveria shqiptare i përjetoi me një ankth të veçantë seancat orale të Gjykatës. Ajo jetonte gjithnjë me frikën se ardhja e ekipit të ekspertëve nga Gjykata për të vëzhguar në Sarandë mund të çonte në zbulimin e minave të tjera që kishin mbetur pa u pastruar jo vetëm aty, por edhe në vende të tjera. Tirana për afro dy vjet kishte këmbëngulur në fillim në Beograd e pastaj në Moskë për të marrë masa për heqjen e minave jugosllave. Më 2 dhjetor 1948, Molotovi shqetësimin shqiptar ia raportoi Stalinit: “Shqiptarët tremben se Gjykata Ndërkombëtare do të marrë vendim për ekspertizë në vend. Atëherë do të zbulohen minat e vendosura dikur nga jugosllavët (103 copë). Shqiptarët kërkojnë këshilla, nëse duhet urgjentisht të fillojnë pastrimin”. Udhëheqja më e lartë sovjetike e mbështeti kërkesën e qeverisë shqiptare dhe ministri sovjetik i Mbrojtjes u porosit që në mënyrë urgjente dhe sekrete të dërgonte ekipin e ekspertëve për të ndihmuar në pastrimin e minave të mbetura.

Kur ekipi i ekspertëve të Gjykatës Ndërkombëtare erdhi në Sarandë në fund të janarit 1949 dhe bëri edhe udhëtime vëzhguese në bregdetin e Sarandës nuk konstatoi mina. Në fakt, misioni i tij nuk e kishte si objekt kërkimin e minave, por as edhe nuk i kishte mjetet për ta kryer një veprim të tillë.

Ekipi i ekspertëve që erdhi në Sarandë nuk la ndonjë mbresë pozitive në sytë e qeverisë shqiptare. Shumë shpejt, më 10 shkurt, K. Ylli nga Parisi e konfirmoi këtë përshtypje, kur njoftoi në Tiranë se konkluzionet e ekspertëve për Sarandën ishin mjaft negative. Ky ishte edhe komunikimi i fundit i K. Yllit si agjent i qeverisë shqiptare në Gjykatën e Hagës. Ai u zëvendësua nga Behar Shtylla, i cili sapo ishte emëruar edhe Ministër i Shqipërisë në Paris.

Qeveria shqiptare, pasi u njoh me tendencën negative që po merrte gjykimi i çështjes, filloi të mendojë, por edhe të veprojë për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej. Vëmendja u përqendrua në transferimin e arit monetar shqiptar që Komisioni Trepalësh (SHBA, Britani e Madhe, Francë) kishte vendosur t’ia kthente Shqipërisë e që ndodhej i depozituar përkohësisht në një bankë të Londrës. Qeveria shqiptare edhe për këtë rast kërkoi këshilla nga Moska dhe udhëzoi Legatën atje që të konsultohej me autoritetet kompetente sovjetike, sepse “dyshohet që qeveria angleze mund të vendosë sekuestro-konservative mbi arin shqiptar të depozituar në Londër derisa të përfundojë Gjyqi i Hagës ose mbas përfundimit të tij në rast se Gjykata e dënon Shqipërinë”.

Në 14 shkurt 1949 Molotovi përsëri i drejtohet Stalinit. Këshilla që erdhi nga Moska ishte që qeveria shqiptare të nënshkruante menjëherë deklaratën ose aktin e renoncimit, e cila i mohonte asaj të drejtën për të pretenduar pjesën tjetër të arit monetar shqiptar nga Gjermania ose nga Komisioni Trepalësh i Arit Monetar.

Këto ishin përçapjet kryesore në prapaskenë të të dyja qeverive, shqiptare e britanike në pritje të raportit përfundimtar të ekspertëve të Gjykatës Ndërkombëtare për misionin e tyre të vëzhgimit në Shibenik e Sarandë.

Raporti i ekspertëve iu dërgua përmes agjentëve qeverive shqiptare e britanike, të cilat duhej të kthenin vërejtjet e tyre brenda një jave. Qeveria shqiptare nuk i pranoi konkluzionet e ekspertëve për vëzhgimet e tyre në Sarandë, ndërsa qeveria britanike në përgjigjen e saj i mbështeti ato. Britanikët riafirmuan konkluzionin e ekspertëve se në pikën Denta ka patur postë vrojtimi, se vendosja e minave nuk mund të bëhej pa dijeninë dhe bashkëpunimin e Shqipërisë, se sjellja e autoriteteve shqiptare gjatë shqyrtimit në vend të fakteve nga ekspertët ishte jo bashkëpunuese.

Pasi mori edhe vërejtjet e të dyja palëve për raportin e ekspertëve, Gjykata i “mbylli” dyert për seancat publike dhe nisi diskutimin paraprak të dy pikave të Kompromisit të 25 marsit 1948. Ndonëse anëtarët e Gjykatës betoheshin për të ruajtur fshehtësinë e debateve e prezupozohej një sekret i plotë për çfarë diskutohej si dhe për opinionin e gjyqtarëve, rrjedhja e informacionit bëhej në forma të ndryshme dhe vetë anëtarët e Gjykatës në mënyrë “konfidenciale” jepnin të dhëna për atë çfarë po ndodhte brenda sallave të mbyllura të saj. Më 21 shkurt, Gjykata përfundoi diskutimin paraprak të pikës së parë të Kompromisit.

Dhjetë gjykatës u shprehën se Shqipëria nuk mund të mos dinte mbi vendndodhjen e minave dhe e cilësuan mosveprimin e saj si të qëllimshëm. Gjykatësit brazilianë e polakë mbrojtën mendimin e neglizhencës së Shqipërisë në ruajtjen e ujërave të saj territoriale, ndërsa gjykatësit sovjetikë, jugosllavë e çekosllovakë u deklaruan se kishte mungesë provash për të mbështetur kërkesën britanike. Më 23 shkurt filloi diskutimi paraprak për pikën e dytë të Kompromisit, ku pothuajse në mënyrë unanime gjykatësit ishin të mendimit se Britania e Madhe me veprimet e saj në 12-13 nëntor 1946 kishte shkelur sovranitetin e Shqipërisë.

Pas këtyre diskutimeve plenare, Gjykata krijoi një komitet redaktues për të formuluar projekt-vendimin e saj, të cilin do t’ua shpërndante të gjithë gjykatësve, që nga ana e tyre do të bënin vërejtjet e tyre me shkrim. Komiteti do t’i studionte këto vërejtje dhe do t’i jepte formën përfundimtare Vendimit të Gjykatës. E gjithë kjo procedurë u zhvillua gjatë muajit mars.

Qeveria shqiptare ishte e pafuqishme të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Avokatët e kishin kryer punën e tyre me shumë përkushtim e profesionalizëm të lartë për të mbrojtur edhe atë çfarë ishte e pamundur të bëhej. Shpresa e vetme për të ndihmuar e për të marrë një informacion nga brenda Gjykatës ishte gjykatësi sovjetik Krillov. Më 18 mars 1949, Behar Shtylla me cilësinë e tij si Agjent i Qeverisë shqiptare bëri udhëtimin e tij të parë në Hagë, takoi Kryetarin e Sekretarin e Përgjithshëm të Gjykatës, si dhe mjaft gjykatës të tjerë. Por, siç shkruan në kujtimet e tij “Kronika diplomatike” ende të pabotuara “të gjithë ishin shumë të sjellshëm, ishin të gatshëm të diskutonin për çështje të përgjithshme kulturore e historike, për Shqipërinë e vendet e tyre, por ata i largoheshin me takt bisedës për çështjen e Kanalit të Korfuzit”.
Shtylla u takua me Krillovin në zyrat e Ambasadës sovjetike në Hagë, me të cilin bëri një bisedë konkrete e konfidenciale.

 Përmbajtjen e kësaj bisede ai e dërgoi me radiogram në Tiranë më 21 mars dhe ditën tjetër më të zgjeruar me letër. Gjykatësi sovjetik i tha diplomatit shqiptar se vendimi i Gjykatës ende nuk kishte marrë formë të prerë dhe se Komiteti i redaktimit do të jepte variantin përfundimtar brenda dy-tri ditëve të ardhshme. Krillovi informoi se shumica e gjykatësve mbështesnin Britaninë në akuzën e saj kundër Shqipërisë, në pikën e parë të Kompromisit dhe se ndër gabimet kryesore që ishin bërë ishin letra e 17 majit 1946 e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dërguar trupit diplomatik në Tiranë, si dhe letra e 2 korrikut 1947. Ekspertizën e Gjykatës në Sarandë ai e quajti “fatkeqe”, sepse ajo dha opinionin se nga postet e rojeve bregdetare shqiptare mund të shihej vendosja e minave.

Gjykatësi sovjetik premtoi të punonte për të ndryshuar togfjalëshin “Shqipëria ka ditur vendosjen e minave” që ishte vendosur në projektvendim, duke e zëvendësuar me togfjalëshin “Shqipëria duhej ta kishte ditur”. Sipas Krillovit, në variantin e parë akuza ishte e rëndë, përbënte faj, krim kundër njerëzimit, ndërsa në variantin e dytë kuptohej si neglizhencë, e cila mund t’u atribuohej rojeve bregdetare dhe jo qeverisë. Në këtë rast qeveria shqiptare do t’i paguante dëmshpërblime Britanisë për dëmet në njerëz e në anije.

Në çështjen e dëmshpërblimeve Krillovi kishte një pikëpamje të veçantë. Gjykata, - i tha ai Behar Shtyllës, - ka të drejtë ta caktojë vetë edhe sasinë e dëmeve, por duhen bërë përpjekje që kjo çështje të mbetet për t’u vendosur nga të dyja palët në bisedime direkte. Ai tërhoqi vëmendjen e Agjentit te Qeverisë shqiptare për vendosmërinë që tregonin britanikët për të marrë dëmshpërblimet dhe paralajmëroi se ata do të mundoheshin të mbanin arin shqiptar të depozituar në një nga bankat e Londrës ndaj edhe sugjeroi tërheqjen e tij.

Informacioni që dërgoi Behar Shtylla nuk u prit mirë në Tiranë. Shenjat se Gjyqi nuk do të fitohej ishin dhënë që më parë, por shpresohej që dënimi të përcaktohej me terma të buta dhe që nuk e bënin Shqipërinë fajtore për një krim ndërkombëtar. Enver Hoxha u njoftua në Moskë, ku ndodhej për vizitën e tij të dytë zyrtare në Bashkimin Sovjetik për përmbajtjen e informacionit.

Ai e diskutoi përsëri me Stalinin e bashkëpunëtorët e tij e tij çështjet e Incidentit, vendimin e pritshëm të Gjykatës dhe atë të arit monetar. Për vizitën që Enver Hoxha bëri në Moskë në mars-prill 1949, e veçanërisht për takimin që pati me Stalinin, në arkiv ekziston një informacion i bërë nga shënimet që janë mbajtur nga Spiro Koleka, që e shoqëronte dhe nga Mihal Prifti, ministri shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Në këtë informacion nuk përmendet që Hoxha t’i ketë folur për Incidentin ose për Gjyqin e Hagës Stalinit, por i ka folur për rrezikun që e kërcënonte Shqipërinë nga Greqia.

 Këto shënime janë riprodhuar në librin “Me Stalinin. Kujtime”, me përjashtim të një këshille që shefi i Kremlinit ia përsëriti disa herë liderit shqiptar: “Po qe se qeveria shqiptare nuk do të bëjë një politikë provokuese, punët do të shkojnë mirë”. Stalini u referohej qëndrimeve të qeverisë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë e për luftën civile që zhvillohej atje. Përsëri, referuar takimit tjetër me Stalinin, në nëntor 1949, Hoxha vetë pohon se ai e pyeti për Incidentin e Kanalit të Korfuzit, kërkoi të dinte si ngjau dhe në fund e cilësoi si provokacion. Por Hoxha nuk rrëfen asgjë më shumë për këtë çështje. Edhe në procesverbalin zyrtar sovjetik për takimin Hoxha-Stalin të marsit 1949, që është edhe i botuar nuk përmendet as Incidenti, por as edhe Gjykata e Hagës.

* Pjesa është marrë me shkurtime
nga kapitulli “Prapa dhe jashtë
dyerve të Gjykatës”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama