Perfytyrimi i qyteteve te se ardhmes sjell ne Tirane arkitektet me fame boterore

Perfytyrimi i qyteteve te se ardhmes sjell ne Tirane arkitektet me fame boterore

Përfytyrimi i qyteteve të së ardhmes ka qenë fokusi i “Javëve të Arkitekturës” në Tiranë, që kanë nisur më 15 shtator dhe do të zhvillohen deri më 12 tetor, me pjesëmarrjen e arkitektëve të njohur kombëtarë dhe ndërkombëtarë, organizuar nga Universiteti Polis. “Tirana Architecture Week” është një aktivitet që zhvillohet vit pas viti duke u ndërthurur me “Tirana Design Week”, ku si qëllim është rritja e interesit të qytetarëve, studentëve edhe profesionistëve në fushat e arkitekturës, planifikimit, dizajnit, mjedisit dhe inxhinierisë në sfidat të cilat po ndërmarrin qytetet tona. Gjatë këtyre javëve lektorë shqiptarë dhe të huaj kanë ilustruar zgjidhje dhe ide novative për të prekur çështje të rëndësisë urbane. Një nga leksionet më interesante ishte ajo e shkencëtarit dhe inovatorit amerikan, John Allen, mbi paradigmat e reja të ekologjisë globale inxhinierike.

 

Allen njihet ndryshe dhe si veterani i dizajnit ekologjik, krijuesi i projektit unik “Biosphere 2” mbi ekologjinë dhe qëndrueshmërinë. Ai  ndau me ekspertë të fushës, profesionistë akademikë e studentë eksperiencën nga eksperimenti ‘Biosphere 2’, si dhe një shfaqje premierë të filmit dokumentar me të njëjtin emër. Ky leksion u zhvillua si pjesë e konferencës së ‘Javëve të Arkitekturës në Tiranë 2014’ , ku krahas John Allen pati dhe pjesëmarrje të gjerë të personaliteteve dhe ekspertëve me përvojë ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, planifikimit, mjedisit dhe dizajnit për të krijuar një debat të gjerë në rrethin e profesionistëve, ekspertëve edhe komunitetit studentor. Leksioni i z. Allen u pasua nga një leksion i drejtorit të Programit PhD, Prof. Antonino Sagio, autor i kolanës më të madhe me mbi 40 publikime rreth arkitekturës bashkëkohore në epokën e revolucionit IT. Arkitekti italian jep mësim mbi Arkitekturën dhe Dizajnin Urban në Fakultetin e Arkitekturës “La Sapienza” në Romë.

 

Themeloi në vitin 1998 serinë ndërkombëtare të “Revolucioni IT në Arkitekturë / Revolucioni në Arkitekturë”, që ka kontribuar në përhapjen e marrëdhënieve ndërmjet teknologjisë së informacionit dhe të projektimit arkitektonik. Ndërkohë në këtë konferencë leksionin e parë e mbajti arkitekti me famë botërore, z. Peter Eisenman, me titull “Disiplina e Arkitekturës” . “Javët e Arkitekturës në Tiranë” organizohen për të promovuar shkëmbimin e njohurive mes profesionistësh në nivel kombëtar e ndërkombëtar, për të rritur interesin e publikut në arkitekturë, art e dizajn, si disiplina të lidhura me zhvillimin bashkëkohor të qyteteve, por edhe për të rritur shkallën e ndërveprimit të profesionistëve dhe njerëzve me qytetin, si dhe pjesëmarrjes në procese vendimmarrëse dhe zhvillimi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama