Perfaqesite diplomatike po zbaviten me protestat antidroge te PD-se

Perfaqesite diplomatike po zbaviten me protestat antidroge te PD-se

Fajësimi i votuesve për humbjen e thellë të zgjedhjeve në 23 qershor është analiza më e keqe që mund t’i bëhet gjithë këtij procesi. Kështu komenton ish-deputeti demokrat, Gilman Bakalli analizën e selisë blu, e cila po zhvillohet njëherësh me zgjedhjet e drejtuesve të rinj në degët e PD-së në gjithë vendin dhe strukturave të saj. Sipas tij nuk mundet që fillimisht të fajësosh zgjedhësit se janë shitur tek Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe më pas t’u kërkosh atyre të të mbështesin kur do të protestosh kundër trafikut të drogës. “Pasi e ke fyer popullin, duke i thënë se të kanë blerë, nuk mund t’i drejtohesh, duke e ftuar për një protestë antidrogë. Të duket sikur Partia Demokratike po kërkon ta pastrojë moralisht popullin e blerë, duke i dhënë mundësinë të bëjë një betejë morale. Ndërkohë që paralelisht nëpër kanale të ndryshme televizive ka debate të herëpashershme mbi legalizimin e marijuanës”, - pohon ai.

Ish-deputeti shprehet kritik dhe ndaj kauzave dhe protestave opozitare që sipas tij, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkaktojnë një buzagaz popullor dhe tek përfaqësitë diplomatike. E ndërkohë ndryshe nga baza, sidomos ajo e Shkodrës që ishte më kritikja, Bakalli mbështet kufizimet e vendosura nga kryedemokrati LulzimBasha për të përjashtuar nga drejtimi i strukturave, ish-drejtues me më shumë se dy mandate, ish-deputetë apo dhe pushtetarë vendorë dhe duke afruar shumë emra të rinj. Sipas tij kjo “është mënyra më e mirë për ta ajrosur strukturën e mykur partiake të Shkodrës”.

Z. Bakalli gara e fundit elektorale e 23 qershorit jo vetëm e nxori Partinë Demokratike në opozitë, por i shkaktoi një humbje të thellë. Ndërkohë që 8 muaj pas zgjedhjeve demokratët, edhe pse e kanë nisur, ende nuk kanë bërë një analizë të plotë të humbjes. Si e konsideroni këtë situatë?

Në fakt nuk jam aspak dakord me mendimin e përgjithshëm se Partia Demokratike nuk ka bërë një analizë të plotë pas humbjes. E ka bërë analizëndhe po vazhdon ta bëjë. Problemi është se po e bën shumë keq. E bëri analizën dhe tha pak a shumë se zgjedhjet i bleu Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Indirekt fajësoi zgjedhësit shqiptarë pra. E vetmja mënyrë për të kuptuar nëse një analizë është bërë apo nuk është bërë, nëse një analizë ka qenë korrekte apo sa për të kaluar radhën, është aksioni politik. Nëse Partia Demokratike mendon se bëhet interesante për elektoratin e vet me këto aksione politike që po bën aktualisht, do të thotë se e ka bërë keq analizën e humbjes. Siç ndodh përherë me partitë shqiptare, të vetmit që dhanë shenja për një analizë të ftohtë e racionale për humbjen e zgjedhjeve ishin zërat e përjashtuar apo të margjinalizuar nga PD-ja. Po ashtu edhe brenda Partisë Demokratike, pati në muajt e parë pas humbjes një shkëndijë për një analizë korrekte që e dha i ndjeri z. Olldashi me anën e një fjalimi parlamentar pak ditë para aksidentit fatkeq.

Partia Demokratike duket sot më shumë e fokusuar tek reagimi opozitar, duke kritikuar e kundërshtuar jo me debate parlamentare por me protesta?

Mendoni se kjo është rruga e duhur opozitare? Sikur opozita ta përqendronte kritikën dhe kundërshtimin e saj në përmbajtje do ishte e mirëpritur, sepse shumë nga nismat e qeverisë ‘Rama’ ishin lehtësisht të kritikueshme dhe të kundërshtueshme. Unë i dëgjoj me shumë vëmendje disa zëra brenda Partisë Demokratike që flasin me argumente ligjore, por këta zëra fatkeqësisht sfumohen nga gjuha banale e brutale e krerëve të opozitës, të cilët në parlament, me kakofoninë e tyre, të krijojnë përshtypjen se u intereson pikërisht mjegullimi i kritikës së argumentuar.

Është koha për një protestë nën moton 'Rama ik' dhe për më tepër me argumentin e antitrafikut të drogës vetëm 8 muaj pasi kjo mazhorancë ka marrë mandatin?

Koha e duhur e çdo proteste nuk varet nga axhenda partiake. Pasi e ke fyer popullin, duke i thënë se të kanë blerë, nuk mund t’i drejtohesh duke e ftuar për një protestë antidrogë. Të duket sikur Partia Demokratike po kërkon ta pastrojë moralisht popullin e blerë, duke i dhënë mundësinë të bëjë një betejë morale. Ndërkohë që paralelisht nëpërkanale të ndryshme televizive ka debate të herëpashershme mbi legalizimin e marijuanës. Lufta antidrogë nuk bëhet nga populli, por nga strukturat e policisë, SHISH-i etj.

Cili mendoni se është ndikimi i protestës së mbajtur më 23 maj, e treta brenda pak kohësh, në kuadër të integrimit, në një kohë që qershor Shqipëria ka një tjetër sprove...

Protestat si ajo e pardjeshmja nuk kanë kurrfarë ndikimi, përveçse ngjallin një buzagaz popullor dhe tek shumica e përfaqësive diplomatike të akredituara në Shqipëri, të cilët me siguri zbaviten shumë me një parti si ajo Demokratike, e cila nxit njerëzit paradite në protesta antidrogë, ndërsa në darkë televizionet flasin për legalizimin e drogës.

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike janë lënë kryesisht në duart e koordinatorëve të rinj dhe vetëm Tirana ka emra koordinatorësh me kontribute prej vitesh në PD. Si e shikoni këtë zgjedhje të Bashës?

Nuk ka asgjë të keqe që të përfshihen njerëz të rinj në politikë. Fundja, të gjithë po kërkojmë qarkullim elitash politike dhe, nëse Basha e nxit këtë qarkullim elitash, është për t’u përshëndetur si veprim.

Udhëzimi për zgjedhjet e strukturave përjashton nga gara drejtues me më shumë se dy mandate, deputetët apo dhe pushtetarët lokale. Sipas jush cili ka qenë synimi i këtyre kufizimeve që baza sidomos në Shkodër, duket se nuk i ka mirëpritur?

Në fakt kjo është mënyra më e mirë për ta ajrosur strukturën e mykur partiake të Shkodrës. Këto struktura drejtuese janë dhjamosur fizikisht e mendërisht aq shumë nga pushteti disa vjeçar saqë, tamam si ata fëmijët obezë, nuk janë më në gjendje as të dalin të luajnë te rrugica e lagjes. Në fakt nuk janë më në gjendje as të japin këshilla si të luash, sepse as vetë nuk përbëjnë model frymëzimi për t’u ndjekur nga lojtarët e rinj. Drejtuesit e rinj të strukturave lokale të Partisë Demokratike, Shkodër nuk duhet të zgjedhin modelin e vazhdimësisë, por të një Fillimi të Ri, nëse duan ta rifitojnë besimin e shkodranëve dhe t’ia kthejnë Partisë Demokratike në Shkodër atë shkëlqimin e dikurshëm të viteve ‘90.

Si e vlerësoni grupin aktual parlamentar demokrat?

Gjykuar nga aksioni parlamentar, i gjithë grupi i Partisë Demokratike është tkurrur në një formacion dy rreshtash dhe po ndot gjithë ajrin e debateve parlamentare me një gjuhë të frikshme, kaq brutale e kaq të ndyrë…

Sa shpresë ka Partia Demokratike që të ringrihet nga humbja e thellë?

…saqë shuan çdo shpresë se Partia Demokratike do ringrihet politikisht shpejt!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama