Pengmarrja e Flamur Pislit Sokol Kociu Ju rrefej rolin e Artan Didit

Pengmarrja e Flamur Pislit, Sokol Kociu: Ju rrefej rolin e Artan Didit

Flamur Pisli, 24-vjeçari matjan që u ekzekutua nga snajperi i policisë shqiptare, plot 15 vite më parë, rivjen sërish në qendër të vëmendjes së opinionit publik. Në fakt, ngjarja që mbart mister të madh, jo për faktin se kush qëlloi, por kush dha urdhrin e atij ekzekutimi barbar, ku bashkë me Pislin vritet edhe një peng, rivjen jo si mundësi rihetimi, por si një akuzë e drejtpërdrejtë për kryepolicin e vendit, Artan Didi. Atëherë, drejtori aktual i Policisë së Shtetit, gjendej në krye të forcave speciale dhe u tha që gjendej edhe në krye te operacionit për të bërë të mundur lirimin e pengjeve nga një autobus me 8 persona; 5 meshkuj e 3 femra, që kishin udhëtuar në atë mjet të marrë peng që nga Greqia. Në fakt, u pretendua se ngjarja u hetua, por asnjëherë nuk u mor vesh se kush e qëlloi pengun Jorgos Kurluris, teksa zbriste nga autobusi. Ditën e djeshme, një video e publikuar nga ish-ministri i brendshëm, Flamur Noka, ka futur në rreth një person, që merr anën e autobusit dhe qëllon burrin që po zbriste shkallët. Noka pretendon se ai person është pikërisht ish-kreu i operacionit të lirimit dhe shpëtimit të pengjeve të emigrantit 24 vjeçar shqiptar, i cili ishte ndjekur deri në kufirin tonë jo vetëm nga policia greke, por edhe nga mediet greke.

Në videon e shfaqur dje shihet qartë që pengmarrësi shqiptar neutralizohet brenda në autobus, ndërsa shtetasi grek vritet teksa zbriste autobusin. Referuar të dhënave të pakta të asaj kohe, u bë e ditur se në atë operacion nuk mori pjesë vetëm Artan Didi me skuadrën e tij, por sipas të dhënave, gjatë hetimeve asnjëherë nuk u vu gishti mbi asnjë person për vrasjen e shtetasit grek. Madje, përgjatë hetimeve të asaj kohe, emri i Didit, nuk u përfol në asnjë procesverbal që më vonë u depozituan në dosje, dosje që u arkivua në prokurorinë e Elbasanit. Kur ngjarja nisi të zbardhej nga mediet greke, pasi pengjet e mbetura gjallë nisën të rrëfenin rrugëtimin-peng me shqiptarin, historia e Flamur Pislit shërbeu edhe për film, ndërsa bashkia Klos dhe komuna Bradashesh, me vendim unifikues të këshillave të tyre, të riut matjan i dhanë titullin ‘Qytetar Nderi’. Për të kuptuar më mirë se çfarë ka ndodhur në atë ngjarje të rëndë dhe enigmatike, kontaktuam ish-funksionarin e hetimit, Sokol Koçiun, i cili, edhe pse nuk ka asistuar në hetimet e asaj ngjarjeje, di ta rikujtojë me detaje.

Rrëfimi i Sokol Koçiut Z. Koçiu, në komisionin hetimor të policisë është publikuar një video nga   vrasja e Flamur Pislit. Opozita akuzon Artan Didin. Çfarë mbani mend nga ajo ngjarje?

Tani si fillim, ajo ka qenë një ngjarje e rëndë dhe një fatkeqësi e madhe për familjet e të dy palëve. Unë, me sa kujtoj, pasi nuk jam marrë direkt me atë ngjarje, por sigurisht që kemi folur dhe biseduar shumë në atë kohë për të, nuk mbaj mend në asnjë hetim të jetë provuar se kush është personi që ka qëlluar mbi pengun. Di që i ndjeri, Flamur Pisli, u vra me snajper dhe është ekzekutuar në mjet, pra në autobus. Ndërsa për viktimën e dytë, kini parasysh kohën kur ka ndodhur ngjarja, terrin e madh informativ të atij momenti, por me sa mbaj mend unë, edhe më vonë, emri i Artan Didit për asnjë moment nuk është hetuar, apo dyshuar. Flas nga ana procedurale, jo me muhabete kafenesh. Ata që kanë prova mund ta provojnë, por, për atë kohë, me sa mbaj mend, emri i tij asnjëherë nuk është hetuar.

Vërtet u hetua ajo ngjarje?

 Po, është hetuar. Sigurisht që do hetohej sepse, përveç se u vra pengmarrësi, u vra edhe një person tjetër. Ai ishte grek dhe hetimi është bërë i dyanshëm. Madje edhe operacioni i asaj ngjarjeje është bërë në koordinim mes dy policive, pasi në mjet ishin të gjithë shtetas grekë, edhe pse më pas rezultoi që i ndjeri nuk kishte për qëllim të ekzekutonte askënd, por thjesht të mbërrinte me atë mjet deri në fshatin e tij.

Mbani mend rolin e Didit në ngjarje?

Di që Didi asokohe ka qenë në krye të Forcave Speciale dhe si i tillë ka qenë në krye të forcave që drejtonte që janë vënë në punë për lirimin e pengjeve. Në fakt, në atë ngjarje nuk ka marrë pjesë e vetme RENEA, por ka patur edhe polici të tjera. Sigurisht që ndiqej autobusi që në momentin që ka kaluar pikën doganore dhe se gjithçka ka qenë e monitoruar si operacion. Në zonën ku ka ndodhur edhe vrasja, pra pasi autobusi i marrë peng e  ka kaluar Elbasanin dhe është nisur në drejtim të Tiranës, kanë qenë në operacion edhe forcat e policisë së Elbasanit. Në lidhje me rolin e Didit në atë operacion, përveç se ka qenë në krye të grupit të vet, nuk di të them, por ama di të them për punën që kemi bërë me atë person. Absolutisht e kujtoj si një prej njerëzve më profesionist me të cilin më ka rastisur të punoj.

Z. Koçiu, meqë ju thoni se kjo ngjarje është hetuar. U vërtetua ndonjëherë se kush qëlloi mbi pasagjerin?

Jo, asnjëherë në të vërtetë nuk u mor vesh. Kuptohet që hetimi bëhet mbi bazën e procesverbaleve. Me sa më kujtohet, asnjëherë nuk u qartësua se nga u qëllua pengmarrësi dhe nga ku pengu, por di diçka; asokohe u fol për distancë dhe drejtim të njëjtë. Të paktën këto kanë qenë konkluzionet e ekspertëve mjeko-ligjor dhe të këqyrjes së vendit të ngjarjes. Pra plagët që të dy viktimat ia kanë patuar nga i njëjti drejtim dhe sipas asaj që më kujtohet tani, di që u fol shumë se edhe predhat kishin ardhur nga e njëjta distancë. U fol shumë në atë kohë, por ngjarjen e hetoi prokuroria e Elbasanit dhe më pas nuk e di se si kanë vijuar hetimet.

Po Greqia kishte ndonjë pretendim mbi vrasjen e shtetasit të vet?

 Nuk di mbi pretendimet e grekëve, por di që hetimet janë bërë në bashkëpunim dhe ka etur edhe korrespondencë me autoritetet greke. Gjithashtu edhe ata hetuan për pjesën e tyre. Në fakt, mbaj mend atëherë, që pati edhe debate të ashpra në radhët e policisë, për shkak të informacioneve të shumta që shoqëronin pengmarrjen e shqiptarit. Informacionet kini parasysh që lidheshin me faktin se nga vinin urdhrat, sepse u tha se u krijuar një kaos i madh nga qendra.

Thatë se Didi është një prej njerëzve më profesionist që keni punuar me të, ç`doni të thoni me këtë fakt?

 Nuk dua ta mbroj, por nëse do më thoshte dikush që e ka bërë Tani me të cilin unë kam punuar nuk mund ta besoj. Kam patur disa operacione me të dhe në mënyrë kategorike, është rast unik në radhët e Policisë së Shtetit që me atë njeri kurrë nuk dështuam. Ai nuk nisej në operacion nëse nuk arrinte të detajonte gjithçka që i duhej për operacionin, aq sa shpesh herë na nervozonte me vonesat duke bërë shkresa, duke u kujdesur për veshjet, pajisjet, mënyrën e operimit e gjithçka tjetër. Di dhe mbaj mend që në operacionet me Tanin, asnjëherë nuk kemi dështuar. Ndryshonte shumë puna me drejtues të tjerë.

 Misteri i vrasjes dhe historia e Flamur Pislit

Gjithçka që nisi si një hakmarrje ndaj racizmit dhe keqtrajtimit të shqiptarëve në Greqi, përfundoi në afërsi të Krrabës. Ngjarja që është përjetësuar në një film me regjisor grek dhe aktorë shqiptarë dhe grekë, ende nuk është zbardhur, ndërsa opozita që për 8 vite me radhë ishte pozitë, asnjëherë nuk u kthye tek ajo ngjarje për të marrë vesh se jo vetëm kush dha urdhër për të vrarë pengmarrësin, por edhe pse asnjëherë familja e viktimës nuk e mësuan të vërtetën për vrasjen e djalit të tyre. I ati i Flamur Pislit, Nuredin Pisli, ditën e djeshme, në një dalje publike, ka kërcënuar kryepolicin e vendit, duke e akuzuar për vrasjen e të birit. 74- vjeçari, në fakt ka udhëtuar shumë në drejtim të Tiranës dhe institucioneve përgjegjëse të shtetit për të mësuar të vërtetën mbi vrasjen e Flamurit, ka dërguar me dhjetëra herë letra funksionarëve të lartë që të paktën të kishte në dorë dosjen e të birit, por ai asnjëherë nuk u prit nga asnjë prej tyre t`i shpjegonte detajet e asaj ngjarjeje, duke e njehësuar djalin e tij me një kriminel.

 Pisli është pritur vetëm pak kohë pas vrasjes së djalit të tij nga ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Spartak Poçi, i cili i ka bërë të ditur matjanit se djali i tij ishte i rrezikshëm dhe ndaj është vrarë. Përgjatë gjithë historisë së paspengmarrjes së bujshme, gjithnjë u fol se në fakt Pisli u qëllua pasi qëlloi mbi një nga pengjet, por rrëfimet e pjesës tjetër të pengjeve, treguan se në të vërtetë, përgjatë gjithë rrugës, Flamuri iu kishte bërë me dije bashkëudhëtarëve të tij se do ta çonte mjetin deri në shtëpinë e tij dhe ata do të ishin mysafirët e tij. 24-vjeçari, u tha se në Selanik liroi 7 prej pasagjerëve të autobusit, pasi ata ishin pleq dhe të mitur, ndërkohë që komunikoi me mediet vendase dhe me policinë greke derisa mbërriti në tokën shqiptare. Në fakt, sot e asaj dite, asnjëherë nuk u fol se çfarë negociatash arritën të bënin krerët e policisë sonë me të riun matjan, i cili kishte ikur në Greqi që i mitur për të nxjerrë bukën e gojës. Ekzekutimi i tij u bë me snajper me 29 prill të vitit 1999. 

Ngjarja e ’99-ës, PD-PS përplasen për Didin

 Opozita vë nën akuzë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Deputetët demokratë, anëtarë të komisionit hetimor për lëvizjet në uniformat blu kanë transmetuar dje një video ku tregohet ngjarja e vitin 1999, kur pas pengmarrjes së një autobusi ka mbetur i vrarë pengmarrësi, por dhe një nga pengjet. Sipas pretendimeve të kryetarit të komisionit hetimor, Arben Ristani është vetë kryepolici Didi ai që ka qëlluar ndaj Jorgos Kurluris, një nga pasagjerët e autobusit të marrë peng. Por socialisti Taulant Balla i ka kundërshtuar këto pretendime me argumentin se ngjarja tregon për një punonjës të shkëlqyer të policisë që ka vënë jetën në rrezik.

Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës u bë me deklarata mediatike pasi dështoi mbledhja e komisionit hetimor ku pritej të miratohej raporti përfundimtar i hetimit. Akuzat Komisioni hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit nuk mund të zhvillonte dje mbledhjen e fundit ku pritej të miratohej raporti përfundimtar. Pa nisur ende mbledhja kreu i komisionit, Arben Ristani deklaroi se do të bëheshin fillimisht publike të dhëna të reja të cilat do të jenë pjesë e raporti përfundimtar të opozitës. Por nënkryetari i komisionit Taulant Balla kundërshtoi këtë gjë duke theksuar se në rend dite ishte miratimi i raportit përfundimtar. Mungesa e konsensusit bëri që mazhoranca të linte mbledhjen. Ne pamundësi të zhvillimit të mbledhjes Ristani vijoi komunikimin duke informuar mbi një video nëpërmjet të cilës opozita akuzon kreun e Policisë së Shtetit, Artan Didi se ka qëlluar për vdekje një qytetar grek gjatë operacionit policor të vitit 199 ndaj Flamur Pislit, shqiptarit që mori peng një autobus me pasagjerë nga Greqia drejt Shqipërisë. Sipas tij pamjet e videos hedhin dyshime se është vetë kryepolici Didi ai që ka qëlluar ndaj Jorgos Kurluris, një nga pasagjerët e autobusit të marrë peng. “Didi dyshohet se është i përfshirë në një veprim që për ne është kriminal pasi ekzekuton një njeri të pafajshëm gjatë një operacioni policor”, - deklaroi Ristani duke e ka quajtur vdekjen e pengut “ekzekutim pa gjyq të një djali të ri të pafajshëm”.

Ristani u shpreh se video në fjalë është siguruar nga Greqia. Ndërsa deputeti Flamur Noka ka përshkruar dhe pamjet e transmetuara në video, duke pohuar se opozita dyshon që personi që qëllon me armë është kryepolici Didi. Ristani pohoi më tej se të gjitha këto të dhëna të reja do të jenë pjesë e raportit përfundimtar për hetimin e lëvizjeve në Policinë e Shtetit ndërsa videoja do ti përcillet prokurorisë për hetime të mëtejshme. Pas këtyre akuzave ka reaguar për mediat socialisti Taulant Balla. “Është qesharake pretendimi për një video e cila sigurisht, që jo vetëm nuk ul dhe nuk flet keq për punën e punonjësit të shtetit shqiptar Artan Didi, përkundrazi është një provë më shumë për një punonjës të shkëlqyer të Policisë së Shtetit, që ka vënë jetën në rrezik në përpjekjet me element kriminal dhe i ftoj deputetët e PD-së që ta përdorin përsëri në kundërshtim me rregulloren por nuk prish pune, sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe të transmetojnë edhe një video tjetër ku Didi i cili është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në përpjekje edhe me element kriminal të grupeve terroriste si Al- Kaeda, këtu në Tiranë për të cilën është dekoruar nga Presidenti i Republikës, për punën e shkëlqyer”, - deklaroi ai. Ndërkohë, që modeli vjetër i Policisë së Shtetit, sipas Ballës, “ai para 23 qershorit ishte modeli i Kuliçit me shokë, që në vend se të bënin punën e detyrën e policisë së shtetit në shërbim të interesave e qytetarëve shqiptarë, harxhonin ditën në zyrat e policisë së shtetit me elementët kriminalë dhe me trafiqet, kryesisht me atë të naftës “Virgin”, të cilën Kuliçi me shokë e ka ditur mirë”. S.Topi     


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama