Pavaresia e Shqiperise dhe kontributi i Austro-Hungarise

Pavaresia e Shqiperise dhe kontributi i Austro-Hungarise
Kur Ismail Qemali, i cili u bë më pas i pari Kryeministër i Shqipërisë, valëviti flamurin nga ballkoni i shtëpisë ku u mblodh Kuvendi i Vlorës më 28 Nëntor 1912 dhe shpalli pavarësinë e vendit, ai e kreu këtë akt mbas një udhëtimi të gjatë dhe mbasi kishte siguruar mbështetjen nga Austro-Hungaria.

Austria dhe fqinjët e saj në juglindje

Austria ka pasur një traditë të gjatë në vendosjen e lidhjeve politike e miqësore me rajonin e Ballkanit, si dhe një të kaluar plot ngjarje të rëndësishme me Perandorinë Otomane. Duket se kërkime të thella shkencore lidhur me fqinjët e saj në juglindje, herët a vonë, do të bëheshin të pashmangshme. Në shekullin e 18-të perandoresha Maria Tereza e vlerësoi rëndësinë që kishte Lindja e Mesme përsa i përket marrëdhënieve tregtare dhe politikës së jashtme, prandaj themeloi në Vjenë “Akademinë Orientale”, e cila u bë institucioni kryesor europian në këtë fushë.

Veçanërisht gjatë shekullit të 19-të, çështjet e Ballkanit u kthyen në një detyrë të përditshme për diplomatët dhe burrat e shtetit të asaj kohe, aq më tepër për arsye se Perandoria e Habsburgëve ishte shtrirë thellë në juglindje. Më tej, zbulojmë arsye krejt specifike përse njohja e vendeve të Ballkanit kishte rëndësi shumë të madhe për Austrinë dhe përkatësisht për Austro-Hungarinë (d.m.th. monarkinë e dyfishtë Austro-Hungareze gjatë periudhës 1867-1918).

Gjatë shekujve, Perandoria Otomane dhe Austria kanë pasur konfrontime të forta me njëra-tjetrën, madje, si pasojë e tyre, Vjena u rrethua dy herë, konfrontime këto që sollën nënshkrimin e disa marrëveshjeve në shekujt 18-të dhe 19-të, të cilat i jepnin Austrisë të drejtën të ushtronte patronazh kulturor ndaj banorëve katolikë në territoret Otomane. Nga fundi i shekullit 19-të këto marrëveshje shiheshin si një mundësi për të ndërhyrë në rajonet në juglindje të Monarkisë dhe, po ashtu, të pengonin vendosjen e fuqive të huaja në bregun lindor të detit Adriatik.

Është krejt e qartë që angazhimi i mëvonshëm i Austro-Hungarisë kërkonte një ekspertizë të gjerë, ndaj është vështirë të mendosh se ka pasur ndonjë shtet tjetër në Europë që ta njihte Ballkanin, e sidomos Shqipërinë, më thellë sesa Austro-Hungaria. Në shekullin 19-të gjejmë shumë emra që duhen përmendur për atë kontribut që dha secili prej tyre e që siguroi mbështetjen që Austro-Hungaria i dha Shqipërisë dhe më vonë shpalljes së saj si shtet i pavarur.

Emra të shquar në ndërtimin e Shtetit Shqiptar

Zakonisht, emri i parë që duhet përmendur është Johan Georg fon Haan (Johann Georg von Hahn; 1811-1869). Ky diplomat austriak konsiderohet si themeluesi i studimeve për Shqipërinë. Gjatë qëndrimit të tij në Janinë, ai u njoh me vendin, mblodhi informacion dhe filloi të mësonte gjuhën.

Teodor Ipen (Teodor Ippen; 1861-1935) ishte një tjetër studiues e diplomat austriak që zhvilloi një veprimtari të dendur në Shqipëri. Ai kishte studiuar në Akademinë Orientale dhe shërbeu për disa vjet në Konsullatën e Austro-Hungarisë në Shkodër, ku u caktua Konsull i Përgjithshëm më 1900. Më pas shërbeu në Londër, ku edhe ishte pjesëtar i Konferencës së Ambasadorëve. Ipen është autor i disa monografive mbi historinë e hershme dhe etnografinë e Shqipërisë së Veriut, me fokus të veçantë te periudha e Mesjetës. Më 1912, Ipen skicoi një hartë etnografike të trevave shqiptare nën Perandorinë Otomane. Këtë hartë do ta përdorte më vonë delegacioni austro-hungarez në Konferencën e Ambasadorëve lidhur me vendimin për çështjen e pavarësisë së Shqipërisë. Falë saktësisë që i karakterizon, shumë nga veprat e tij historike, etnografike dhe arkeologjike, e ruajnë rëndësinë e tyre edhe sot e kësaj dite.

Alfred Rapaport Riter fon Arbengau (Alfred Rappaport Ritter von Arbengau; 1868-1946), i cili ndoqi Akademinë Orientale në Vjenë dhe mori kështu arsimin e nevojshëm për të shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme, është konsideruar si njëri nga njohësit më të mirë të Lindjes e sidomos të Shqipërisë. Në Mars 1893, ai u caktua në Shkodër, ku në Tetor të vitit 1895 u emërua zëvendëskonsull, duke pasur si titullar z. Teodor Ipen. Këtu filloi të mësonte gjuhën shqipe dhe u bë një ndër ekspertët kryesorë për çështjet e Shqipërisë. Është thënë se ministri i Jashtëm, Konti Leopold Bertold, e kishte këshilltar të rëndësishëm për çështjet e Ballkanit. Kur Princ Vidi shkoi në Vjenë, shkurt 1914, bashkë me T. Ipen dhe Talocin (Thalloczy), Alfred Rapaport ishte duke ndihmuar ministrin Bertold me njohuritë e thella që kishte si ekspert përkatës. Më 15 mars 1916, perandori Franc Jozef e nderoi me urdhër kalorsiak për shërbimet ndaj atdheut. I dhanë të drejtën të zgjidhte për veten një titull dhe ai zgjodhi von Arbengau, që lidhej me emrin latin Arbanum e me të cilin quhej rajoni i Shqipërisë së Epërme.

Mandej, meqë po flasim për Austro-Hungarinë e rrjedhimisht edhe për Hungarinë e sotme, duhet të përfshihen edhe emrat e të sipërpërmendurit Ludvig fon Thaloci (Ludwig von Thallóczy; 1854–1916), historian austro-hungarez që konsiderohet si babai i studimeve hungareze për Ballkanin, si dhe Baroni Franc Nopça (Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás; 1877-1933).

Rruga drejt pavarësisë dhe caktimi i kufijve të Shqipërisë

Midis viteve 1909-1911 në Shqipëri ndodhën kryengritje të ndryshme lokale. Në mars të vitit 1911, disa fise katolike filluan një kryengritje të përgjithshme në zonën e Malësisë, në veri të Shkodrës. Duke ushtruar funksionin e avokatit për banorët katolikë të asaj zone, bazuar në marrëveshjet që Austria kishte nënshkruar me Perandorinë Otomane, Austro-Hungaria ndërhyri pranë Portës së Lartë dhe kërkoi që t’i jepej fund shtypjes së fiseve katolike. Në këtë pikë të historisë, mund të thuhet se mbështetja austro-hungareze nuk shtrihej si mbështetje për mbarë Shqipërinë, por tashmë nuk ishte vështirë të parashikohej që Ballkani po ndryshonte. Një shembull konkret në këtë drejtim na e jep konsulli i Austrisë, Lipih fon Lindburg (Lipich von Linburg), i cili punoi për 24 vjet në Prizren e në Shkodër dhe që qysh në vitin 1877 kishte rekomanduar përkrahjen e shqiptarëve kundër lakmisë së fqinjëve për zgjerim territorial në kurriz të Shqipërisë.

Megjithatë, Austro-Hungaria e mbështeti Shqipërinë në disa zona të ndryshme. Influenca e Austro-Hungarisë nëpërmjet klerikëve dhe përgatitjes së mësuesve, nën moton Shqipëria për shqiptarët, solli krijimin e një elite të vogël për shtetin që po lindte dhe ishte një përpjekje e rëndësishme që u ngjalli shqiptarëve një lloj të ri besimi në vetvete.

Ndërkohë, në fillim të shekullit të 20-të, Perandoria Otomane nuk mundej ta mbante edhe më tej pushtetin e saj në Ballkanin Perëndimor. Dobësimi përfundimtar do të vinte me shpërthimin e luftës kundër Italisë në shtator 1911. Si rrjedhojë, më 1912 plasi Lufta e Parë Ballkanike dhe Ballkani Perëndimor përjetoi një ndryshim shumë të shpejtë të rendit politik. Ushtria e Perandorisë së dobësuar Otomane u dërmua nga Aleanca Ballkanike dhe intelektualët kryesorë shqiptarë arritën në përfundimin se Austro-Hungaria mund të ishte i vetmi mbrojtës potencial i interesave të tyre. Duheshin ndërmarrë veprime para se Shqipëria të ndërronte duar nga njëri pushtues te tjetri.

Ismail Qemali shkoi në Vjenë e Budapest që të siguronte përkrahje diplomatike dhe u takua me ministrin e Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontin Bertold. Së paku qysh nga kjo kohë e më pas, mund të thuhet se Austro-Hungaria i dha një mbështetje të gjerë Shqipërisë, përkatësisht gjithë shqiptarëve.

Ndërsa viti 1912 po i afrohej fundit i ngarkuar me konfuzion e trazira, në Londër u mblodh Konferenca e Ambasadorëve, ku Austro-Hungaria u përfaqësua nga Konti Mensdorf-Pujli-Ditrihshtajn (Mensdorff-Pouilly-Dietrichstein). Austro-Hungaria kërkoi që “Asnjë territor i banuar vetëm nga shqiptarë nuk duhet t’i jepet ndonjë shteti tjetër, ndaj Shqipëria duhet të jetë autonome dhe me mundësi për t’u zhvilluar”. Duhet shënuar se përsa u përket raporteve nacionale në Shqipëri, asnjë delegacion diplomatik në Konferencë nuk kishte informacion më të saktë sesa delegacioni austro-hungarez. Kjo u bë e mundur në saje të njerëzve si Teodor Ipen, i cili i kishte furnizuar pjesëtarët e këtij delegacioni me informacion shumë të saktë.

Ndonëse duhej gjetur një kompromis dhe Fuqive të tjera u duheshin bërë ca lëshime, Austro-Hungaria u paraqit si mbrojtësi i interesave legjitime të shqiptarëve. Kriza në Ballkan arriti një pikë kulmore kur mbrojtësit otomanë ia dorëzuan qytetin e Shkodrës trupave malazeze, të cilët ndoshta donin të dilnin para Fuqive ndërkombëtare me një fait accompli. Më në fund, trupat malazeze u urdhëruan të tërhiqeshin dhe u vendos që Shkodra të ishte pjesë e shtetit të ri shqiptar. Kur në maj të vitit 1913 u nënshkrua Traktati i Londrës dhe trupat e huaja u tërhoqën, kufijtë e Shqipërisë ishin përcaktuar. Sado që më e pakët në shtat nga sa donin shqiptarët dhe Austro-Hungaria, Shqipëria më në fund kishte zënë vend në hartë si një shtet i pavarur, i aftë të rrojë e të përparojë.

Shënim: Autori është studiues nga Universiteti i Vjenës. Si fitues i një internship-i nga Ministria e Punëve të Jashtme të Austrisë, autori ndodhet në Shqipëri prej katër muajsh i atashuar pranë Ambasadës së Austrisë në Tiranë dhe po punon për t’u njohur më gjerësisht me historinë dhe kulturën e popullit shqiptar. Përktheu: Arben P. Latifi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama