Pasuria e arte e kryepeshkopit

Pasuria e artë e kryepeshkopit
Në kulmin e një skandali, që ka shpërthyer në Greqi, lidhur me këmbimin e pronave shtetërore me ato të kishës, publikohet në Athinë pasuria e kryepeshkopit Kristodhulos, i cili vdiq në fillim të këtij viti, nga një sëmundje e pashërueshme. Lista e objekteve të gjetura në shtëpinë e Kristodhulos, ka lënë të habitur edhe mbështetësit më të flaktë të kishës greke. Sipas procesverbalit, të formuluar prej nëpunësve të Zyrës së Përmbarimit, kompetencë e së cilës ishte edhe procedura, u gjet një sasi e konsiderueshme floriri, e adaptuar në kopsa, kryqe dhe më së shumti në shufra, secila me një gjatësi prej gjysmë metri. 50 kryqe floriri, të zbukuruar me diamante, secili me peshë 200 gramë, 40 shufra floriri, të zbukuruara po ashtu me diamante, me gjatësi secila 50 cm, si dhe 5000 monedha floriri (Lira angleze) ishin pjesë e pasurisë marramendëse të kryepeshkopit të ndjerë të Greqisë. Bashkë me to, renditen edhe servise ushqimi të florinjta dhe sete pjatash tepër të shtrenjta.

 Por nuk është ky inventari i vetëm i pasurisë së "shërbëtorit të Krishtit" (në greqisht, Kristodhulos- Hristodulos do të thotë shërbëtor i Krishtit". Në listën e gjatë të Zyrës së Përmbarimit janë renditur edhe një sërë veshjesh "firmato", kryesisht të markës së njohur ‘Versace‘. 100 palë pizhame atlasi të kësaj marke, 500 palë pantallona të së njëjtës markë, të bëra me porosi, 100 copë këmisha gjithashtu ‘Versace‘, ashtu si edhe perde e çarçafë atlasi, edhe ato të markës së njohur, bashkë me froni kryepeshkopal të markës ‘Versace‘, prodhuar enkas për të, janë pjesë e listës që përmbaruesit grekë kanë publikuar dje. Në pasurinë e kryepeshkopit grek, të vdekur në fillim të këtij viti, dhe i dyshuar për lidhjet e tij me fajdet shqiptare, përmes të njohurit Apostolos Vavilis, përfshihen edhe 70000 euro ‘cash‘ për blerjet e vogla të përditshme. I ndjeri është përfshirë edhe në aktivitete të tjera jashtë kishtare.

Përmbaruesit kanë evidentuar dy leje ndërtimi për dy objekte (vila), me sipërfaqe toke rreth 8 mijë metra katrorë secila, në zonat më të shtrenjta të Athinës dhe Korinthit. Ndërsa në muret e banesës kryepeshkopale, u gjetën piktura origjinale të piktorëve më të njohur në botë, të marra me qira disa dhjetëra mijëra euro në muaj. Ndërkaq, kasaforta u gjet e hapur dhe e zbrazur. Llogaritet që vlera e këtyre sendeve arrin në disa milionë euro. Me publikimin e listës së objekteve tepër luksoze, të gjetura në banesën e kryepeshkopit të ndjerë, Kristodhulos, gazetarët e mediave greke, por edhe qytetarët grekë, kanë mbetur të habitur prej luksit që jetojnë krerët e lartë të kishës greke, në kohën që qeveria konservatore e Karamanlis ka ndërmarrë një sërë masash drastike, që shoqërohen me rritje të taksave dhe uljen e të ardhurave mesatare për frymë.

 ‘Pasuria‘ e gjetur është vetëm një pjesë e objekteve të gjetura në banesë, pasi sikurse bëjnë të ditura burime pranë Kryepeshkopatës Greke, zyrtarët e Përmbarimit vulosën dyert e shtëpisë një muaj pas vdekjes së Kristodhulos. Me vendim të qeverisë, Kisha Ortodokse nuk tatohet për asnjë prej aktiviteteve të saj, qoftë edhe financiare. Ajo konsiderohet si pronari më i madh i pasurive të patundshme në vend, pasi manastiret hedhin lehtësisht në dorë të gjitha sipërfaqet e tokës që nuk kanë pronësi të qartë ose janë në proces gjyqësor me shtetin lidhur me pronësinë. Ndërkaq, depozitat bankare të manastireve janë tepër të larta. Madje, kisha greke është një ndër aksionerët më të mëdhenj të një numri bankash në vend.

Kryepeshkopi, Vavilis dhe fajdet në ShqipërI

Intervista e njeriut me ‘një mijë e një‘ fytyra: Ju tregoj rolin e Kristodhulos

Apostolos Vavilis, njeriu i pakapshëm, i cili kërkohej nga Interpoli, nuk i ka hapur të gjitha kartat e tij në intervistën që dha kohë më parë për gazetën e përjavshme të Athinës "Thema". Njeriu i quajtur ndryshe dhe me ‘njëmijë fytyra‘ është shprehur se ka për qëllim të tregojë shumë gjëra, por ‘jo në këto rrethana‘. Gjatë intervistës, ai ka pranuar se Kryepeshkopi i Athinës, Kristodhulos dhe e gjithë Greqia e dërgoi atë në Jerusalem për të ndihmuar Erineos, tashmë kryepeshkop i Jerusalemit, të merrte këtë post. Ish-agjenti grek është i përfshirë edhe në çështjen e Xhorxhios Angelakos, shefi i policisë greke. Vavilis, i cili ka bashkëpunuar në trafiqet e të gjitha llojeve me priftërinjtë e akuzuar, ka disa procese penale në Evropë, por, për shkak të ndryshimit në kohë dhe vende të ndryshme të identitetit, asnjëherë nuk është bërë e mundur që Vavilis të përfundojë në pranga. Sipas provave të reja, që zbardhen çdo ditë, thuhet se lidhja e tij me patriarkun Erineos të Jerusalemit dhe përfshirja e tij në çështjet e kishës po certifikohet. Sipas Ministrisë së Brendshme greke, Vavilis ka furnizuar me drogë shumë kompani. Sipas kësaj ministrie, Vavilis shërbeu si përfaqësues i patriarkut të Jerusalemit në takimet në Azi, Itali, të organizuar nga Vatikani. Thuhet se Kryepeshkopi Kristodhulos e dërgoi në Jerusalem në 2001 për të vëzhguar zgjedhjen e kryepeshkopit aty. Në Jerusalem ai përdori emrin Rafael Anagnostakis. Apostolos Vavilis është njeri nga identitetet e personit që, sipas shtypit grek, ka qenë për mjaft kohë punonjës i shërbimit të fshehtë të këtij vendi dhe ndërkohë ka qenë ndërmjetës për disa aktivitete të fshehta të kompanive piramidale në Shqipëri. Vavilis, sipas mediave greke, ka qenë në Shqipëri dhe ka qëndruar pikërisht në qytetin e Gjirokastrës. Një gazetë, gjithashtu greke, ka vijuar madje edhe me publikimin e fakteve të reja, lidhur me skandalin e parave të fajdeve dhe transferimin e tyre në Greqi, nëpërmjet ish-agjentit sekret helen. Ajo i referohej një raporti, sipas të cilit, dalin në skenë emra të tjerë të njohur, mes tyre dhe një ministër i qeverisë së parë të Partisë Demokratike.

Në pritje të transplantimit

Kreu i Kishës Ortodokse vdiq nga kanceri i mëlçisë, në moshën 69-vjeçare, më 31 janar 2008, teksa ishte në pritje të një transplantimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shkollat, institucionet qeveritare dhe gjykatat u mbyllën, ndërsa arkipeshkopi u varros me nderimet që i bëhen një kreu të shtetit. Procesionit iu bashkuan dhjetëra mijëra njerëz, që erdhën në Athinë nga i gjithë vendi. Qeveria greke shpalli tri dite zie kombëtare. Kryeministri grek, Kostas Karmanlis, e vlerësoi peshkopin për punën e tij për ta afruar Kishën me publikun. Kristodhulos u zgjodh peshkop në vitin 1998 dhe admirohej së tepërmi nga grekët, pavarësisht se kishte krijuar pakënaqësi te të dyja krahët e kishës, si tek ai liberal, edhe tek ai ultra-konservator. Ai priti në Athinë Papa Gjon Palin e Dytë, në vitin 2001, kreu i Parë i Kishës Katolike që vizitonte kryeqytetin grek në më tepër se 1000 vjet, duke i zemëruar mbrojtësit e vijës së ashpër. Më pas, ai shkoi për vizitë tek Papa në Vatikan. Kryepeshkopi Kristodulos, po ashtu i zemëroi liberalët, me komentet e tij kundër homoseksualitetit, si dhe për përpjekjet e tij, por të pasuksesshme, për ta shënuar fenë në kartat e identitetit që lëshon shteti.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama