Pastaj jemi burracake

Një ditë pasi ndoqëm filmin gjerman, fitues i çmimit Oskar, premtuat se ato mendime që nuk mundët t'i thoshit në debatin pas shfaqjes, do t'i shprehnit në një intervistë. Si përfundim ç'ndjesi ju ngjalli "Jetët e të tjerëve", dhe sa afrohet ai realitet filmik me realitetin tonë?

Mbas mbarimit të filmit ika dhe nuk qëndrova të japë përshtypjet, sepse kisha nevojë të reflektoja dhe të formuloja saktë disa mendime.

Shqipëria dhe Gjermania Lindore nën diktaturë ishin dy gjëra krejtësisht të kundërta. A e patë? Mbi divanin e dramaturgut George Drajman ishte varur një pikturë e madhe abstrakte. Dhe jemi në nëntor 1984. Enveri tek ne ishte gjallë. Qytetarët e RDGJ posedonin makina të vogla, por private. Prostituta i vinte me orar sipas kërkesës oficerit të sigurimit, Ëislerit. Kurse tek ne u internuan me dhjetëra bashkë me familjet. Ndonjë dhe vrau veten. Sigurimi gjerman harxhonte mjete dhe kohë për të vërtetuar akuzën, kurse në Shqipëri dënoheshe dhe me dy dëshmitarë të rremë. Pale pastaj për kushtet dhe kampet në burgje. Numri i të burgosurve tanë ishte njëqind herë më i madh po ta marrësh në raport me popullsinë.

Stasi dhe Sigurimi në gjithë vendet e Lindjes më shumë mbante nën kontroll popullatën dhe sidomos intelektualët, por dënimet ishin shumë të rralla. Sidoqoftë ditaktatura në Kampin Lindor pas 1953 (pas vdekjes së Stalinit) ishte serioze.

Dhe së fundi: a i patë arkivat si ishin të sistemuara? A e patë shërbimin për secilin që donte të njihte dosjen e tij?

Tani unë po pyes: Kur do të hapen arkivat tek ne? Kur do të shoh dosjen time?

Mbase nuk është më nevoja t'ju pyesim se pse ndodh kjo, pasi për herë të fundit për këtë temë dhe për pasojat që ka pasur regjimi tek indidvidi i keni shprehur në një artikull për mënyrën se si politika po i "kompenson" ish të dënuarit politikë.

Kjo ndodh sepse jemi një shtet joserioz, pasojë e erërave të shkretëtirës. Krimet i bëjmë me lehtësi, pastaj jemi burracakë. Mundohemi të zhdukim dokumentacionin si në Hipotekat e Pronave dhe në Hipotekën e Vuajtjes.

Po ka akoma nga ata njerëz dinjitozë që e mbajnë vuajtjen përbrenda dhe të tjerë që bëjnë shoqata dhe shesin vuajtjet e të tjerëve si indulgjencat në mesjetë.

Dhe meqë zgjodhët një krahasim si ky "indulgjencat në mesjetë", do donim të dinim përse këmbëngulni që për të kritikuar akte të papëlqyeshme të shqiptarëve të sotëm të kërkoni tek arsenali i kishës dhe i krishtërimit.

Po ju tregoj një skenë nga burgu i Spaçit. Isha ulur në tarracën e kampit, direkt në beton, mbështjellë me pallton e shajakut. Sipër nga mali po zbrisnin brigadat. Më dukej gati një peizazh biblik. Dhe për herë të parë aty në Spaç, i dhashë përgjigje pyetjes që flinte brenda meje prej kohësh: Përse e kryqëzuan Krishtin në mes të dy hajdutëve?

Përgjigjen e formulova kështu: Shoqëria njerëzore e ka më të lehtë të dënojë fajtorin pa faj se sa atë me faj. Kështu mashtrimi është perfekt. Dhe mendohet se dënimi i padrejtë nuk do të gjendet kurrë. Por vuajtja e të vërtetëve mbijeton.

Shoqëria që nuk respekton vuajtjen është e destinuar të vuajë përgjithmonë, pasi ajo vuajtje së cilës nuk i jepet drejtësi, riciklohet.

Ne nuk ishim seriozë në dënimin e fajit, ne nuk jemi seriozë në respektimin e vuajtjes. Mjaft t'ju kujtoj që në vitin 1994 dëgjoja parrullën "Të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë". Këtë gjermanët nuk e kanë thënë kurrë. Kjo është si të thuash Diktatura është baraz me Demokracinë ngaqë të dyja fillojnë me D.

Kështu hajduti është baraz me atë që vidhet, dhe vrasësi baraz me viktimën.

Tani po të jap personazhet e një drame të pashkruar:

I burgosuri politik, i qorruar

Hajduti i shndërruar në i dënuar i ndërgjegjes

Hetuesi që mban gjithmonë ndezur një qiri

Kryetari i shoqatës "Piramida e dënimeve" fton popullin: Shiten indulgjenca dhe statuse

Një invalid, funksionar i lartë i regjimit të cilin e zë poshtë makina e diktaturës

Ish Ministri i Brendshëm i pushkatuar që sillet si fatanzmë

Matrapazë dhe sekserë që sigurojnë vuajtje të pabëra

Dy fëmijë të një ministri që kanë një OJQ rehabilitimi

Turma që brohoret që sa herë i kërkohët

Dramaturgu

Personazhet janë të larmishëm. Dramës tuaj i mungon një disident. Në të vërtetë, a nuk ju duk pak e realizuar figura e disidentit në filmin që po flasim?

Figura e disidentit të shtyn të mendosh për të disajtën herë që disidenca bëhej në Kampin Lindor sepse regjimi e lejonte. Ndërsa në Shqipëri s'lejohej frymëmarrje tjetër veç frymëmarrjes së Partisë.

Në planin estetik a nuk ju dukej se se ky film, dramaturgjia e skenarit vuante nga ca klishe?

"Jetët e të tjerëve" m'u duk në linjën e filmave të tjerë gjermanë që kam parë, duke shtuar këtu që si në rastin e hapjes së dosjeve ku shoqëria gjermane ka treguar një model unikal me qëndrimin ndaj regjimit komunist, ata, gjermanët nuk mund të mos jenë të ndershëm edhe në art.

Gjithë filmin e ndoqa me shumë interes. Mund të kesh vërejtje për disa personazhe që janë skematike. Por me anën e këtij filmi unë kuptoja se si kishte operuar Stasi në Gjermani, funksioni i të cilit ishte më së shumti informimi dhe jo dënimi. Në Shqipëri Shërbimi Sekret shërbente për të futur tmerrin. Po ashtu kuptova atë që është provuar me kohë në këto vende që e rrëzuan të parat komunizmin, që artistët në Lindje kanë përgatitur rrëzimin e Murit, ndërsa në Shqipëri ndodhte e kundërta. Nëse gjermanët kanë një përgjegjësi të madhe për Luftën e Dytë Botërore, ata kanë një meritë të madhe për rrëzimin e komunizmit.

Asnjë nga ne nuk e di ku do kishte qenë sot, nëse s'do të ishte rrëzuar Muri i Berlinit.

Tek autobiografia juaj "Kohë antishenjë" shpjegoni se hetuesia ishte më e rëndë se burgu. Diçka të linte të kuptoje në këtë drejtim edhe ky film.

Këto ishin teknika që kishin të përbashkëta. Për shembull polici thoshte ndal dhe uli sytë përdhe kur ti nuk duhej të shihje dikë tjetër që përcillej si ty në korridor. Ishin teknika që vinin nga KBG ruse. Por siç e pamë tek filmi gjerman, oficeri i sigurimit dëgjonte muzikë simfonike, ndërsa këtu dëgjonin labçe. Aty silleshin gjithsesi me kujdes ndaj artistëve, kur në Shqipëri Pleniumi IV bëri gjëmën.

Përse kinemaja shqiptare nuk ka arrituar ta shohë ndryshe atë kohë historike? Ndryshe do të thotë jo në mënyrën siç shpesh e shohin shqiptarët, më shumë duke e përqeshur dhe përtallur sesa duke reflektuar mbi regjimin apo duke e dënuar atë.

Është aftësia e artit. Vetëm në letërsi ia kemi dalë, vetëm letërsia e ka justifikuar veten, kurse në fushat e tjera kemi dështuar. Kjo po tregon se sa e vështirë qenka për ne të transplatojmë vizualisht, në teatër apo kinema, temat e diktaturës që letërsia i ka rrokur. Sa për pjesën e dytë të pyetjes që edhe arti ka reflektuar në qëndrimin e tij, me përjashtime sigurisht, atë çka shoqëria jonë ka reflektuar ndaj kësaj kohe, unë s'mund ta shpjegoj dot ndryshe veçse me hipokrizinë dhe falsitetin fatal që tregojmë, që nga organizmat e lartë shtetërorë. Ka njerëz të veçantë që e shfrytëzojnë këtë vuajtje të të tjerëve si një piramidë për të vjedhur.

Bisedoi Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama