Pashaj Shqiperia asnje veprim konkret per kufirin detar dhe zonat ekonomike

Pashaj: Shqiperia, asnje veprim konkret per kufirin detar dhe zonat ekonomike

Kolonel Myslym Pashaj shprehet i shqetësuar se pse shteti shqiptar nuk i ka dhënë ende zgjidhje çështjes së kufirit detar me Greqinë, pesë vite pas rrëzimit të marrëveshjes që i bëri Gjykata Kushtetuese. Njeriu që denoncoi fuqishëm paktin detar të vitit 2009, thotë për “Shqip” se qeveria “Rama” duhet të ulet dhe të diskutojë me qeverinë greke edhe për zonat ekskluzive ekonomike, pasi deti Jon është i përbashkët. Për tenderin e shpallur nga qeveria greke, Pashaj shprehet se përderisa nuk ka asgjë konkrete, nuk ka pse të shqetësohemi.

Zoti Pashaj, në mediat greke ka qarkulluar lajmi se qeveria greke do të shpallë tenderin për kërkimin e naftës në detin Jon. Gjithashtu përflitet se kërkimet do të realizohen edhe në pjesën shqiptare. Cili është komenti juaj për këtë?

Lajmi për kërkimin e naftës në detin Jon nga pala greke nuk është i tashëm. Ka vite me radhë që studiues dhe institute kërkimore helene dhe ato shqiptare janë përfshirë në këto studime. Dua të nënvizoj se kërkimi pararendës është hulumtim shkencor që u vlen të dy palëve. Të dy palët janë në struktura të ngjashme gjeologjike, kërkojnë dhe shkëmbejnë përvojë, se ç’rezerva ka dhe ku janë gjeografikisht të vendosura ato. Kjo i ndihmon të dyja palët kur është fjala për përfundime të cilat kërkojnë një vendimmarrje shkencore për të bërë shpimet në shelfin detar. Këtu kërkohet mirëkuptim dhe sjellje dinjitoze dypalëshe në fqinjësi të mirë. Prandaj, le të mos e ngremë “zërin sikur të jetë një hata dhe kërcënim…”. Jemi në fazën e parë të kërkimeve për: (i) studime pararendëse (ii) studime gjeofizike me metoda bashkëkohore sipas kuadrateve ndarës shkencorë gjeologjikë (iii) konkluzione shkencore dhe për vendimmarrje kërkimi. Kërkon një periudhë të gjatë, edhe pse janë në tenderim shumë kompani të huaja në këtë hulumtim. Zëri duhet të ngrihet në kupë të qiellit për veten tonë, pse ne nuk jemi të shqetësuar që Zonat (Hapësirat) Ekonomike Ekskluzive (HEE) dhe Deti Territorial i Shqipërisë ende nuk po studiohet dhe nuk po ndahet. Gjithçka për fajin tonë. Ne duhet të na vijë mirë për studimet e fqinjëve dhe të marrim shembull nga ata.

Përse sipas jush nuk përbën shqetësim një lajm i tillë?

Sepse siç e thamë jemi në fazë kërkimi dhe hulumtimi. Ende nuk e dimë saktë se kur dhe ku do të shtrihen studimet në kuadratin që lidhet me Hapësirën Ekonomike Ekskluzive të të dy vendeve fqinjë në Detin Jon.

HEE, pse duhet që të qartësohet ky term për gjithë të interesuarit që u përfshinë në shqetësimin që krijoi delimitimi i cili tani nuk është më?

Duhet të nënvizohet sepse midis të dy vendeve tona HEE (Hapësira Ekonomike Ekskluzive) ndodhet vetëm në një trekëndësh që ka kundruall pikën mesore të Otrantos midis të tri vendeve, (Itali, Shqipëri, dhe Greqi), krahun e Karaburunit dhe kreun e arkipelagut të ishujve të Korfuzit me skaj ishulli Othoni. Përfytyroni këtë hapësirë tej 44,44 km në drejtim të detit. Pikërisht kjo hapësirë, siç dihet tanimë, është bërë “mollë sherri” gjatë ndarjes fatale të parë. Aty edhe përfshihet një ndër kuadratet që e ka në plan Greqia për kërkime të naftës. Ky trekëndor është i pandarë së toku me detin territorial. Por asnjëherë nuk është e ndaluar që të dy palët të kryejnë studime me mbulesë, sepse shtresat dhe formacionet gjeologjike janë të përbashkëta. Kjo ndihmon të dy shtetet dhe nuk pengon.

Atëherë kush e pengon zgjidhjen e kësaj çështjeje?

Në radhë të parë duhet hequr “molla e sherrit”, të pastrohet mjegulla që kanë hedhur mbi të dy palët gjatë ndarjes së parë e që kanë shqetësuar opinionin. Duhet të dihet se ku i takon secilit shtet që të ketë HEE-në. Nëse kjo kryhet, atëherë mund të lejohet prekja e shelfit apo përcaktimi koordinativ i pusit. Vetëm në këtë çast (nëse do të merret vesh) duhet të jepet alarmi se fqinjët kanë “pushtuar HEE”. Pra duhet të jemi të saktë dhe të përgjegjshëm. Qeveria “Berisha” krijoi një situatë të rëndë me Greqinë sepse përgatiti një Marrëveshje aq antikombëtare sa s’ka ku të shkojë. Problemin e ka nakatosur dhe kompleksuar pala shqiptare, sepse u pranua një version ndarës aq i papranueshëm, ku Shqipërisë i ngelet një HEE shumë e vogël. “Sherrin” e kemi krijuar vetë. Vijojmë të bëjmë gjumin e kukudhit të Berishës dhe të mos e cekim sot e kësaj dite. Asnjë institucion shqiptar nuk po merret sot për këtë çështje me spikamë të lartë ndjeshmërie kombëtare, Integriteti dhe Ekonomike, domosdo.

Ka deklarata që bëhen me fjalë të kursyera, nga të dy palët për negociatat e ardhme lidhur me ndarjen detare, a keni ndonjë koment?

Të gjithë ngrenë supet kur dëgjojnë se “ndarja do të bëhet sipas standardeve ndërkombëtare”. Nuk mund të ketë deklaratë më mjegullore, që s’të orienton kurrkund. Atëherë si ta kuptojmë? Se ata të parët nuk e kanë bërë me standarde? Po pala greke thotë se “e ka marrëveshjen në tryezë” që ia kanë firmosur shqiptarët. “Tani ejani dhe ratifikoni në Athinë!”. Mos mendoni kurrë se pala greke do të ndryshojë vijë nga marrëveshja e parë.

Ta besojmë se pala greke na thotë se e kemi vënë si kusht “prandaj iu dhamë statusin…”?

Nuk duhet ta besojmë. Nuk mund të vihen kushte të tilla. Nuk kemi deklaratë të qeverisë së sotme, pra nuk ka tejdukshmëri të duhur dhe të dyanshme. Duket se flugeri i diplomacisë si kudo do të ketë pasur vend edhe këtu. Mendoj se thuhen fjalë të përgjithshme dhe asgjë konkrete. Këtu ndër ne s’duket se ka ndonjë lëvizje. Ne na vijnë lajme nga fqinji. “Hesht moj Gonxhe xhani hesht! Unë përmbi gardh e të mos marrë vesh!”, thuhet në Jugun shqiptar. Kjo na çon te harta që publikohet te shtresat dhe formacionet gjeologjike naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, etj., ndërsa këtu ndër ne ka një kyçje të frikshme të hulumtimeve të ardhmërisë dhe ja vjen puna që ne alarmohemi se përse vallë fqinji kërkon naftë dhe gaz në det.

Po institucionet tona a punojnë për të përgatitur negociatat e nesërme që siç thuhet duhet të jenë në standarde ndërkombëtare?

Dua t’u kumtoj se për aq sa unë kam informacion, askush nuk merret te ne me këtë problem: As Instituti Gjeografik Ushtarak, as Hidrografia e Forcave Detare, as Instituti i Gjeo-Shkencave, as Universiteti i Tiranës… Kjo është llahtari kombëtare. A e dini ju zotëri se një rektor universiteti pati thirrur një profesor të shquar të gjeografisë së Shqipërisë duke i thënë gjatë kundërshtimit të marrëveshjes së parë “ngrini një grup pune që të ndalet oponenca e studiuesve të pavarur…? Nuk iu besohet. Ja pra se në ç’derexhe e kemi lënë studimin në këtë Shqipërinë tonë që duam ta çojmë në Rilindje? Nuk mund të ketë papërgjegjshmëri më të madhe se kjo. Ndërkaq shteti fqinj, hulumton në shumë dimensione, parapërgatitet për fazat zhvillimore të tij dhe përfshin institucionet e tij të epërme shkencore. Hëna e Jonit është e të dyve, edhe nafta e gazi, po këtu në kufij janë të ndryshëm zotërit e sotëm. O Zot sa inferiorë që po shfaqemi!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama