Partizani varet nga Skenderbeu

Partizani varet nga Skënderbeu

Drejtori i ri i Partizanit, Genc Tomori, gjatë prezantimit dha edhe disa detaje që kanë lidhje me skuadrën që do të përfaqësohet fillimisht në Europë. partizani perlotetSipas drejtorit të përgjithshëm, brenda kësaj jave do të vendoset se kush do të jenë lojtarët që do të mbeten dhe më pas do të nisë puna përgatitore, si dhe afrimet e reja. "Grumbullimi i ekipit do të nisë në javën e parë të qershorit. Konfirmoj se 80% e strukturës së skuadrës që mbylli sezonin e kaluar do të jetë sërish. Sigurisht që do të ketë lëvizje, por pa bërë ndryshime rrënjësore, pasi qëllimi është ruajtja e grupit", u shpreh Genc Tomori.

Por, para se të fillojë puna për Europën, të kuqtë presin edhe fatin e Skënderbeut, që po hetohet nga UEFA. Ndonëse u tha se nuk janë të fokusuar te fati i korçarëve, mësohet se Partizani i ri pritet të nisë punë pikërisht pas vendimit që UEFA do të marrë për korçarët.

Çështja "Skënderbeu" mban pezull edhe planin e Partizanit për përfaqësimin në Europë, pasi, në rast të një ndëshkimi të mundshëm të korçarëve, kryeqytetasit mund të marrin pjesë në turet eliminatore të Champions-it, të cilat nisin pak më vonë se raundet e Ligës së Europës. Në rast se kalojnë në Champions, pritet që disa lojtarë të Skënderbeut të bëhen pjesë e "demave të kuq".

Jo vetëm Partizani ka shprehur interes për elementë të veçantë nga skuadra korçare, por mësohet se ka pasur edhe lojtarë të bardhekuqve që janë vetofruar te "demat", duke ruajtur konfidencialitetin mes palëve. Pra, përgatitjet europiane të Partizanit deri diku varen edhe nga vendimi që do të marrë UEFA për Skënderbeun, i cili ndodhet nën hetim dhe prej kohësh qarkullojnë zëra për një ndëshkim të mundshëm të korçarëve. Me shumë mundësi nga fundjava do të mësohet edhe fytyra e Partizanit të sezonit të ri.

Përgatiti: ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama