Partizani i ben oferte Andi Liles mund te shesin Fejzullahun

Partizani i bën ofertë Andi Lilës, mund të shesin Fejzullahun

Partizani e merr shumë seriozisht merkaton e verës, pasi kërkon që në sezonin 2016-2017 të ketë një grup të kompletuar për të synuar fitimin e titullit kampion. Mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila, është objektivi kryesor për të fuqizuar skuadrën.andi-lila Lajmi konfirmohet për "Panorama Sport" nga burime të sigurta pranë drejtuesve të Partizanit. Nga sa mësohet, bisedimet me 30-vjeçarin kanë nisur prej kohësh. Të njëjtat burime treguan se fillimisht "shkes" është bërë ishtrajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i cili ka dashur ta ketë në skuadër Lilën.

Tashmë pas përfundimit të kampionatit, palët janë ulur sërish në negociata, por nuk mund të thuhet për një akord të mundshëm. Lila ka mbyllur sezonin te PAS Janina, teksa skuadra greke nuk arriti dot pjesëmarrjen në Kupat e Europës, pasi e përfundoi kampionatin në vendin e gjashtë.

Kontrata e Lilës është drejt skadimit, edhe pse mësohet se ka një klauzolë për të negociuar me klubin grek rinovimin e marrëveshjes. Sipas të gjitha gjasave, mbrojtësi nuk do të vazhdojë bashkëpunimin me grekët, ndërsa për pistën e Partizanit pritet të vendosë vetëm pas përfundimit të Europianit, kompeticion për të cilin është i grumbulluar me Kombëtaren shqiptare. Në klubin e kuq janë optimistë se do ta bindin Lilën të rikthehet në Superiore, për më tepër që oferta në drejtim të mbrojtësit është e majme.

Burime jozyrtare tregojnë për një pagë prej 7 mijë eurosh në muaj, por gjithsesi çdo gjë mbetet për t'u parë. Në rast se gjatë kësaj periudhe Lila do të ketë oferta bindëse nga klube jashtë Shqipërisë, atëherë Partizani mund të dalë në plan të dytë.

Fejzullahu

Mbrojtësi polivalent i Partizanit, Arbnor Fejzullahu, shihet si xhevahiri për t'u shitur nga të kuqtë në një skuadër jashtë Shqipërisë. Disa klube turke janë interesuar për lojtarin nga Presheva, por klubi duket ende jo i bindur për ofertat që kanë ardhur.

Partizani kërkon minimalisht 300 mijë euro për kartonin e mbrojtësit, ndërsa një prej klubeve turke që e kërkon, pikërisht Gaziantepspor, jep afro 280 mijë euro. Brenda këtij muaji pritet të vendoset për të ardhmen e mbrojtësit dhe, në rast se nuk gjendet gjuha e përbashkët me turqit, do të shihen pistat e tjera. Fakti që Partizani kërkon me ngulm Andi Lilën, konfirmon as më pak e as më shumë, se Fejzullahu është futur në listën e lojtarëve që duhet të shiten këtë verë.

Oferta nuk ka vetëm për Fejzullahun, por edhe për Idriz Bathën e Lorenc Trashin, që kanë një moshë të re dhe janë gati për hapin e madh. Klubi i kuq ka blinduar thuajse 80% të skuadrës, teksa shumica janë nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, për momentin shitja e Fejzullahut duket primare, teksa i hap rrugën afrimit të Lilës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama