Përplasja në Kuvend
Në kohën kur Kryetarja e Kuvendit po kalonte miratimin e buxhetit nen për nen, deputetët socialistë, Ilir Beqja, Saimir Tahiri dhe Erion Braçe, janë ngritur më këmbë duke kërkuar nga Kryeparlamentarja Topalli të zbatonte rregulloren dhe t`u jepte socialistëve të drejtën e fjalës. Kokëfortësia e Kryetares së Kuvendit i ka detyruar socialistët të ngrihen më këmbë dhe t’i afrohen në turmë foltores së Kuvendit.
Deputeti Braçe, i cili mbante në dorë një shishe ujë, është ndaluar nga garda dhe i është marrë uji, ndërkohë që menjëherë pas këtij veprimi, deputeti Braçe është goditur nga kundërshtari i tij politik, deputeti Lefter Maliqi. Situata është tensionuar më shumë kur pas një shtyrjeje të deputetit Edi Paloka ndaj deputetit socialist të Lezhës, Gjovalin Kadeli, ky i fundit është kthyer, por ka goditur padashje një punonjës të gardës.
Penalizimi
Mbyllja e sesionit të dytë kuvendor ka shpëtuar përkohësisht deputetët e përfshirë në konfrontim fizik nga penalizimi. Byroja nuk është mbledhur ditën e djeshme, për shkak të përfundimit të sesionit parlamentar, duke e lënë këtë çështje në dorë të Gardës së Shqipërisë. Zëdhënësja e gardës, Valbona Ndreka, bëri me dije dje se, gjatë seancës plenare, në Kuvendin e Shqipërisë ndodhi një incident i dhunshëm. Lidhur me këtë, zyrtarisht Garda e Republikës tha se deputeti i Partisë Socialiste, Gjovalin Kadeli, ka goditur një nga efektivat e shërbimit të sigurisë së Gardës së Republikës. Goditja e efektivave të Gardës së Republikës gjatë ushtrimit të detyrës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë është një dukuri e përsëritur, vëren garda përmes zëdhënëses së saj, Valbona Ndreka.
Ajo premtoi se Garda e Republikës do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për këtë ngjarje. “Sipas nenit 20, pika 1 e ligjit 8869, datë 22.05.2003, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, ‘Punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit, është i paprekshëm. Fyerjet, kundërshtimet dhe çdo veprim i dhunshëm ndaj tij dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal’”, theksoi Ndreka.











