Parada 79 si u helmua kuadrati me skenderbegas

Parada '79, si u helmua kuadrati me skenderbegas
Ugjente punë të paktën 70 vetave, të gjithë vartës, pjesë e asaj që në terminologjinë ushtarake të 22 viteve më parë cilësohej si: prapavija. Kolonel Namik Begaj, ka qenë shefi i prapavijës së të vetmes shkollë të mesme ushtarake në Shqipëri, “Skënderbej”. Njëkohësisht, për 10 vjet me radhë ka mbajtur dhe postin zv/komandantit të kësaj shkolle unike. Ai tregon për gazetën “Shekulli” se si funksiononte institucioni, ku studionin më shumë se 2000 nxënës të veshur me uniformë. Si ishte e organizuar e vetmja shkollë e mesme ushtarake? Shkolla “Skënderbej” ishte e nivelit të mesëm. Ministria e Mbrojtjes bënte planifikim e numrit të kontingjentit që do të pranohej çdo vit. Komanda e shkollës kishte në përbërje komandantin, komisarin, shefin e kuadrit.

Dega e stërvitjes ishte e përbërë nga instruktorë që ndiqnin programin e fizkulturës e përgatitjes fizike. Pastaj vinte Byroja e Partisë ku ishin sekretari dhe zv/sekretari e pjesa tjetër e komunistëve që përbënin byronë. Mbi këtë bazë, shkolla ishte e përbërë nga katër batalione, pra nxënësit e çdo viti përbënin forcën e një batalioni. Çdo batalion kishte komandantin e komisarin e tij. Por batalionet ishin të ndara në 3 kompani, me nga një komandant. Batalionet kishin dhe nga një magazinier. Pastaj vinte dega mësimore.

Edhe pse shkollë ushtarake ajo kishte të dhënat si një shkollë e mesme e përgjithshme. Dega mësimore kishte të gjitha lëndët që bënte një gjimnaz. Kishte katër kabinete letërsie të pajisur më së miri, gjithashtu vinin me radhë me pajisjet më të mira të kohës dhe kabinetet e matematikës, kimisë, fizikës, etj. Ndërkohë ju ishit dhe shefi i prapavijës, si ishte i ndërtuar ky sektor? Sipas nomenklaturës, shefi i prapavijës mbante njëkohësisht dhe postin e zv/ komandantit të shkollës. Pastaj vinin shërbimet e ushqimit, të veshmbathjes, të kazermimit të karburantit të shëndetësisë. Kishte dy shefa; ai i ushqimit dhe i veshmbathjes. Në punëtori futej; shërbimi i ushqimit, ku ishin kuzhinierët dhe ndihmësit e tyre, si dhe personeli që shpërndante ushqimin. Ishte shërbimi i veshmbathjes i cili kishte në vartësi rrobaqepësinë e berberhanen. Më pas vinte shërbimi i kazermimit që përmblidhte, marangozin, muratorin, bojaxhiun, elektricistin.

Vinte dhe transporti, ku ishte makina e komandës dy automjete të mëdha për furnizim, një autobus për nxënësit që bënin ekskursionet, dy kamionë të mëdhenj, si dhe një mikrobus tip “ZUK” që përdorej për furnizime të shkollës. Furnizimi ishte i centralizuar nga MM. Çdo gjë ishte e planifikuar e realizohej nëpërmjet kontratave që kishim me ndërmarrjet dhe bazën e furnizimit të ushtrisë. Furnizoheshin edhe nga depot e armatës që ishin të vendosura në Surel, ose nëpërmjet Kombinatit të Mishit (si mish, gjalpë, djathë qumësht). Këto furnizime jo vetëm që bëheshin nga Ministria e Mbrojtjes por dhe transporti bëhej me mjetet e tyre. Kontratat ishin ditore, mujore, gjashtë mujore dhe vjetore. Ky ishte si organizim i madh. Pastaj punët kishin të bëninme organizimin e gatimit, ngrënies, fjetjes.

Nga ana e tij mjeku ndiqte anën higjienike. Shefi i ushqimit dhe i prapavijës ndiqnin furnizimin me ujë të pijshëm dhe që ushqimi të gatuhej me cilësi të lartë. A kontrollohej ushqimi para se të konsumohej nga 2000 nxënës? Rregulli e përcaktonte qartë që ushqimi përpara se të konsumohej nga nxënësit duhej më parë të provohej. Dy tre ore përpara se të hahej nga nxënësit, ky ushqim kontrollohej nga mjeku. Do ta provonte gjithashtu shefi i kuzhinës, por edhe unë si shef prapavije. Por këta dy të parët e kishin të detyrueshme. Ata vinin që në orën 12.00 të drekës dhe i provonin nga tre katër lugë të gjitha llojet e menyve që ishin gatuar. Mendohej që brenda tre orëve të ardhshme, ushqimi ta kishte dhënë efektin e tij.

Nëse do të konstatohej një diarre, ushqimi pezullohej dhe gatuhej diçka tjetër. Keni pasur rast të diarresë masive? Raste ka pasur. Por ajo që bëri bujë ishte në prag të paradës së vitit 1979. Ishte parada e 35-vjetori të çlirimit të atdheut. Dy-tre ditë përpara se të zhvillohej kjo paradë na ndodhi kjo ngjarje. Në atë kohë shkolla “Skënderbej” paraqitej në paradë me një kuadrat. Ishte data 26 për 27 nëntor. Ishte me të vërtetë një ngjarje e rëndë, për arsye se ne përpiqeshim që t’u ripërtërinim forcat skënderbegasve që shpenzonin kalori. Kishim marrë një kuzhinier specialist shumë të mirë. Ky kuzhinier kishte zierë mishin dhe kishte mbajtur lëngun, me qëllim që ta përdorte në një gjellë tjetër, me qëllim që ajo të merrte shije më të mirë dhe të kishte më shumë kalori njëherazi. Mirëpo kazanin me lëng ai e kishte harruar përjashta. Të nesërmen ai bëri një pure, ku përdori dhe lëngun e mishit që kishte lënë përjashta një ditë më parë. Shija e puresë ishte mjaft e mirë, por efekti që dha më pas do të skandalizonte komandën e shkollës.

Nuk kaluan as gjashtë orë, kur efekti mes nxënësve ishte shumë i madh. Në orën dy pas mesit të natës më merr operativi në telefon dhe më thotë të paraqitesha menjëherë në shkollë, pasi atje po bëhej nami. Kur e pyeta me shqetësim se çfarë kishte ndodhur, ai më thotë: “I ka zënë barku skënderbegasit”. Të sëmureshe në ato kushte ishte përgjegjësi e madhe. Jo vetëm përgjegjësi ligjore, por mbi të gjitha ishte përgjegjësi partie. Kështu funksiononte në atë kohë. Në raste të tilla mund të shkoje edhe në burg. Sapo mbërrita në shkollë dhe u njoha me gjendjen dhashë urdhër që të lajmërohej e të vinte menjëherë në vendngjarje shefi i kuzhinës, Qirjakoja. Vetë Qirjakoja, ishte një nga specialistët më të mirë të kuzhinës dhe ishte me punë në shkollën “Skënderbej” qysh nga krijimi i saj.

Po me aq urgjencë erdhën në shkollë dhe mjeku si dhe disa të tjerë që mbanin përgjegjësi për gjendjen. Fillimisht u raportua në instancat më të larta për gjendjen. Menjëherë u bënë analizat e ushqimit dhe morëm masa konkrete. Përdorëm disa medikamente mjekësore. Pas disa orësh heqje barku, skënderbegasit filluan të qetësoheshin. Për këtë çështje u bënë disa mbledhje dhe ballafaqime me qëllim që të gjendje se kush e kishte fajin. Por gjithsesi, kjo punë u mbyll pa shumë masa, pasi situata u përmirësua dhe kuadrati morri pjesë denjësisht në parakalim. Nëse kuadrati i skënderbegasve nuk do të ishte i gatshëm ditën e paradës, atëherë masat që do të merreshin, do të ishin shumë më të rrepta.

Vizita e pamundur e Enver Hoxhës dy javë para vdekjes

Kolonel Namik Begaj thotë se shkolla ushtarake “Skënderbej” vizitohej shpesh nga kuadrot e larta të MM: “Dikur këtë shkollë e kishte pikë të dobët shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume. Një herë u bënë përgatitjet të mëdha, pasi u tha se me rastin e 40 vjetorit të shkollës, do të vinte Enver Hoxha. Por me sa duket ai në atë kohë nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe vizita sigurisht u anulua. Ne nuk e dinim gjendjen e tij, por çdo gjë u bë e qartë dy javë me vonë kur ai ndërroi jetë. Shpesh herë, kur shkolla kishte probleme, në oborrin e saj zbarkonin drejtuesit e lartë. Në dimrin ‘85, kur shumë nxënës u bllokuan nga bora, erdhi ministri i Mbrojtjes për të parë kushtet që kishim përgatitur për të pritur skënderbegasit që vinin nga zonat e thella. Por ata që vinin më shpesh ishin kuadrot e Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijave”.

Norma, hiqen fasulet nga menyja

“Ushqimi ishte i normës 3, me 3800 kalori, me vlerë 7.20 lekë, e njëjtë me kuotën e Universitetit të Tiranës. Norma e ushqimit ishte shumë e mirë dhe e bollshme. Në përbërje ishin 700 gram bukë, 170 gramë koloniale (oriz, fasule, makarona) 100 gram mish, yndyrë 30 gram, 10 gram, gjalpë, 30 gram djathë kaçkavall, 500 gram zarzavate, 1 lek përdorej për përmirësim. Gjatë kohës që kam punuar në shkollën “Skënderbej”, që nga janari i vitit 1977 deri në maj 1986, unë skënderbegasve ua kam hequr fasulet nga norma. Mendoja se ata ishin shumë të rinj për të përballuar një gjellë si fasulja. Këtu nisesha edhe nga fakti që herë pas here më ngacmonte stomaku, pasi fasulet edhe unë i kisha provuar qysh nga mosha 17 vjeçare. Këtë asortiment ua zëvendësoja me vezë, qumësht, reçel apo gjalpë. Por megjithatë klasat e larta që ishin mësuar, e kërkonin fasulen. Por unë vendosa që ato të gatuheshin dy herë në muaj".

Rregullorja
Ambientet e një shkolle ushtarake

Për 3 shkollat ushtarake; “Skënderbej”, Shkolla e Bashkuar e Akademia, funksiononte një spital i përbashkët me 20 shtretër. Kishim mjekë, ndihmësmjekë, 2 stomatologë e laborantë. Por punë kishte edhe për berberët. Një herë në muaj sipas një grafiku çdo skënderbegas duhej të qethte flokët. Me grafik bëhej edhe larja e teshave në lavanteri. Nxënësit duhej të laheshin në dush një herë në 7 ditë. Kishim rrobaqepës e këpucarë. Skënderbegasit kishin uniformë liridalje dhe kapotë një herë në 4 vjet. Kjo ishte norma. Dhe në se ata ndryshonin gjatësinë, merreshin masat që uniforma t’u përshtatej. Kostumet verore prej doku merreshin çdo vit. Të brendshmet, këmishë, mbathje, çorape, një herë në vit. Këpucët me qafa për liridalje merreshin një herë në dy vjet, ndërsa këpucët e zakonshme pa qafa, çdo vit. Kishte brenda normës dhe një rrip mesi, yll, gjilpërë me pe e mjete tualeti. Kur skënderbegasit vinin në shkollë për herë të parë, uniforma u qepej me porosi.

Meqenëse do të përdorej për 4 vjet gjithmonë ua bënin pak më të mëdha, me qëllim që dhe nëse hidhte shtat gjatë viteve të tjera ajo t’i rezistonte kohës. Por në raste ku hidhte shumë shtat, bëheshin dhe ndërhyrje. Në fund të çdo viti akademik, fillonte rregullimi i gjithçkaje që ishte dëmtuar. Lyheshin ndërtesat nga brenda e fasadat. Rregulloheshin bankat e xhamat e dritareve të thyera. Bëhej ndreqja e të gjitha orendive, që nuk ishin të pakta në këtë shkollë. Në shtator kur nxënësit rifillonin mësimin, gjenin ambiente krejtësisht të rregullta. Nga ana e tyre skënderbegasit duhet të mbanin pastër fjetoret dhe banjat.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama