Pano nderroi jete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ndodhej për një vizitë familjare. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dita kur Panajot Pano do të shoqërohet në banesën e fundit, do të jetë ditë zie kombëtare. Flamujt në institucione do të ulen në gjysmë shtizë, RTVSH do të transmetojë muzikë funebre.
Me vendim te qeverise shpenzimet për transportimin e trupit dhe ceremonitë do të paguhen nga MTKRS.
****
Ismet Bellova: Një rrëfim për mikun tim Panajot Pano
Si ato lajmet e kobshme për fatkeqësitë e mëdha është përhapur edhe lajmi tejet i trishtueshëm, përmes të cilit është njoftuar se zemra e madhe e mbretit të futbollit tonë, Panajot Pano, ka pushuar së rrahuri, pas një ataku kardiak, në SHBA. Lajmi i ardhur nga Xheksonvilli i Floridës së përtej oqeanit është përhapur me shpejtësinë e rrufesë dhe e gjithë Shqipëria është pikëlluar për këtë humbje të rëndë e të papritur. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ngushëlluar familjen e Mjeshtrit të Madh, duke shprehur keqardhjen e tij si dhe duke bërë vlerësimet e konsideratat më të larta për këtë sportist të kalibrit ndërkombëtar dhe nga më të dashurit e më popullorët në të gjithë vendin. Paskëtaj Kryeministri Sali Berisha dhe Qeveria kanë nderuar me një minutë heshtje kujtimin e Panos si dhe kanë vendosur për t'i bërë nderime të veçanta këtij kolosi të sportit tonë, duke marrë përsipër sjelljen e trupit të tij në atdhe dhe organizimin e ceremonialit të varrimit me shpenzimet e shtetit. Eshtë vendosur gjithashtu shpallja e zisë kombëtare në ditën e varrimit dhe ngritja e flamurit në gjysmështizë.
Gjeniu i madh i fushës së blertë është shuar, zemra e tij ka pushuar së rrahuri. Vdekja e tij është një humbje e madhe për mbarë Shqipërinë e më gjerë, për familjen e tij, në radhë të parë, por edhe për të afërmit, shokët e miqtë, për gjithë sportin shqiptar dhe futbollin tonë në veçanti.
Si një bashkëkohës, i rritur me Panajot Panon dhe duke ecur përkrah njëri-tjetrit për afro 60 vite me radhë, madje si një shok dhe mik i ngushtë e të lidhur familjarisht midis nesh, sigurisht që kemi ruajtur shumë kujtime të bukura e të paharruara në "marshimin tonë sportiv". Nëna e tij, Vasilika, kuzhinierja jonë e dashur në vitet e rinisë, në shkollen e fiskulturës e, po kështu, edhe motra, Kaliroi, kampione kombëtare në hedhjen e shtizës e shoqe e klasës sonë, na kanë njohur e miqësuar që në vegjëli. Veç kësaj edhe baballarët tanë ishin shokë e miq të mirë, ashtu sikurse dhe dy vëllezërit, Fori e Telati. Më vonë, kur Joti është lidhur me Rebekën e kanë krijuar familjen e tyre, duke sjellë në jetë edhe dy lulet më të bukura, Ledion e Nertilën, atëherë rrethi ynë është zgjeruar edhe më shumë e miqësia jonë është forcuar më tej. Në këto rrethana ne kemi ecur bashkërisht në rrugën e bukur të sportit, duke qenë pranë njëri-tjetrit, veçse në dy drejtime të ndryshme. E kam parasysh që në fëmijërinë e tij, kur vinte te nëna Vasilikë e te motra, Kaliroi, dhe na ndiqte në mësimet e lodrat tona. Ishte një çunak i shkathët dhe i zhdërvjellët, një çamarrok simpatik, që kishte fituar zemrat e të gjithëve. Ai na donte shumë, por ama edhe ne përgjëroheshim pas tij.
Panajoti është lindur në qytetin e Durrësit më 7 mars të vitit 1939, në një familje të thjeshtë punëtore, e cila është shpërngulur shpejt në kryeqytet, për të jetuar e punuar përgjithmonë. Pikërisht këtu, pra në Tiranë, ai ka nisur edhe mësimet në shkollë, ku ka spikatur dëshira e pasioni për sportin që në moshë fare të njomë. Cilësitë e tij të mira kanë tërhequr vëmendjen e mësuesve të vet dhe ai shpejt ka përfunduar në "fidanishten" e futbollit të 17 Nëntorit (sot KF Tirana), madje në duart e një mësuesi dhe ustai të mrekullueshëm, siç ishte mjeshtri i famshëm dhe i paharruar, Xhavit Demneri.
Nga ekipi i të rinjve, ku fillimisht ka luajtur si portier e është shpallur kampion, pa vonesë kaloi te të rriturit, ku u dallua si një sulmues i talentuar, me të dhëna të mrekullueshme dhe me një të ardhme të shkëlqyer. Vërshimi i tij ka qenë i vrullshëm dhe brenda një periudhe të shkurtër është ngjitur në nivelin e një mjeshtri të vërtetë, duke pasur bashkëkohës yje të tillë të ndritshëm si Halili, Frashëri etj. Dy vjet me radhë (1957 1959) është aktivizuar plotësisht në ekipin e të rriturve në kampionatin kombëtar, kurse më 1958, në një turne miqësor ndërkombëtar në ish Bashkimin Sovjetik, ka demonstruar talent e cilësi të veçanta. Në vitin 1959 ka shënuar një shkëlqim të madh, duke u evidentuar e afirmuar si futbollist i klasit të lartë.
Por kulmet sportive të Panajotit janë arritur te Partizani, ku ka ngjitur shkallët më të larta të mjeshtërisë, duke u bërë "njëshi i futbollit shqiptar", me një simpati e popullaritet të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin. Teknika e lartë, shpërthimet e shpejta e të befasishme, vërshimet dhe sprintet e pandalshme, driblimet dhe fintet e bukura, gjuajtjet e forta me të dyja këmbët dhe në ecje e sipër, kërcimet e fuqishme dhe goditjet me kokë si dhe mjaft elemente të teknikës individuale e cilësi të tjera, e kanë formuar e kompletuar më së miri dhe i kanë dhënë tiparet e një futbollisti të kalibrit ndërkombëtar.
Më 6 mars të vitit 1960, në prani të më shumë se 50.000 spektatorëve dhe në një fushë të mbuluar nga dëbora, Pano ka zhvilluar ndeshjen e parë ndërkombëtare me Partizanin, në stadiumin e Berlinit dhe i ka mahnitur të pranishmit me lojën e tij të bukur dhe klasin e lartë, shpejtësinë, energjinë dhe dinamizmin djaloshar. Komentatori gjerman më ka pyetur për të dhe unë i kam thënë se "është një nga talentet e reja dhe se do të na bëhet futbollist i madh". Pastaj ai ka vazhduar transmetimin dhe në komentin e tij ka thënë fjalët më të mira, duke u shprehur me superlativa si për skuadrën tonë, ashtu edhe për lojtarët e saj, duke veçuar Panajotin dhe lojën e tij: "Më pak se dy vjet më parë skuadra shqiptare e Partizanit ka lënë nam me lojërat dhe sukseset e saj në Gjermani, duke entuziazmuar dhe bërë për vete mijëra simpatizantë. Dhe sot ajo është përsëri midis nesh, me tërë imazhin e saj mbresëlënës. Mjeshtrat e turneut të 1958 s Resmja, Fagu, Maliqati, Deliallisi, Papadhopulli, Merja, Ndini, Kraja, Jashari, Deda, Shllaku, Bespalla, T.Shehu, F.Vogli etj., janë edhe këtë herë të pranishëm, por midis tyre unë shoh edhe një talent të rrallë, për të cilin miku dhe kolegu im, Zoti Bellova, më ka thënë fjalët më të mira për cilësitë dhe perspektivën e tij. Unë do të thoja se që tani ai është një futbollist i shkëlqyer, më i mirë se gjithë të tjerët. E ky quhet Panajot Pano!" Kështu ai bëri një nga prezantimet e para dhe një nga lojërat e bukura me Partizanin, për të vazhduar pastaj rrugën e suksesshme, duke zhvilluar qindra ndeshje të tjera, duke tundur rrjetat e portave kundërshtare dhe duke kryer veprime spektakolare. Nga ndeshja në ndeshje ai ka ardhur duke e perfeksionuar teknikën e lojës, ka fituar pjekuri dhe e ka ngritur gjithnjë e më lart mjeshtërinë e tij. Duke luajtur përkrah lojtarëve më të shquar të futbollit tonë dhe duke pasur në krye mësues e trajnerë të mëdhenj, si mjeshtrat e paharruar Loro Boriçi e Rexhep Spahiu, është bërë edhe Joti një mjeshtër si ata e kaluar tyre. Dhe më e rëndësishmja është se ai është bërë një nga sportistët më të dashur e më popullorë të vendit, me një kredibilitet e simpati të rrallë. Kësisoj ai ka fituar 5 herë anketën tradicionale të gazetës "Sporti Popullor" për "10 sportistët më të mirë të vitit"; është fitues i 4 kampionateve kombëtare e i 5 Kupave të Shqipërisë, fitues i Kupës Ballkanike midis klubeve (1970 1971), i medaljes së argjendtë në Turneun e Ushtrive të Lindjes, në Hanoi (1963), 3 herë golashënuesi më i mirë i kampionateve tona, fitues i anketave "Sportisti më i mirë i shekullit" (2000) dhe "11 shi më i mirë në të gjithë historinë e futbollit shqiptar" si dhe i mjaft trofeve e titujve të tjerë në veprimtari të ndryshme.
Mjeshtri i talentuar i futbollit tonë Panajot Pano është dalluar edhe në shumë ndeshje ndërkombëtare si me ekipin e Partizanit, ashtu dhe me përfaqësuesen e qytetit të Tiranës e kombëtaren e Shqipërisë, si në takime miqësore, ashtu edhe në veprimtari zyrtare për kampionatet ballkanike, europiane, botërore e turne të ndryshëm. Ai e ka veshur 24 herë fanellën e përfaqësueses sonë, si lojtar e kapiten i saj, si dhe ka zhvilluar 3 takime me skuadrën olimpike të Shqipërisë. Kontributi i Panajot Panos në sportin shqiptar është tejet i çmuar dhe i vlerësuar. Prandaj ai është shpërblyer me ndere të mëdha, që do t'i kishte zili çdo qytetar i tokës sonë. Dashuria e simpatia e jashtëzakonshme nga mijëra e mijëra njerëz të moshave e profesioneve të ndryshme në të katër anët e vendit, është pa dyshim "dekorata" më e lartë që i ka dhënë mbarë populli dhe opinioni i gjerë këtij ylli të madh e të pashuar të sportit tonë. Mandej urdhrat, medaljet e dekorimet e tjera janë pa fund: "Sportisti më i mirë i shekullit", fitues i anketës "11 shi më i mirë i 55 kampionateve kombëtare", dekorata dhe tituj të lartë "Nderi i Sportit Shqiptar", "Mjeshtër i Merituar i Sportit", "Mjeshter i Madh i Punës" (2005), dekorimi i bërë nga FIFA për kontributin e madh në futboll, si dhe medalje e urdhra të tjera ("Naim Frashëri", "Urdhri i Punës" etj), janë një dëshmi e qartë e sukseseve dhe e ndihmesës së dhënë nga Panajoti në të mirë të futbollit e sportit tonë. Dhe kurorëzimi i gjithçkaje në jetën dhe veprimtarinë e dobishme të këtij gjeniu të futbollit tonë është nderimi i bërë vitin e kaluar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke e dekoruar me urdhrin më të lartë "Nderi i Kombit". Presidenti i Nderit i Federatës Shqiptarë të Futbollit dhe i Klubit Sportiv "Partizani", një nga mjeshtrat më të mëdhenj të sportit e futbollit shqiptar, sportisti e futbollisti më popullor i vendit, Panajot Pano, është ndarë nga ne përgjithmonë dhe do të na mungojë përjetësisht. Por emri i tij do të rrojë në zemrat tona, i skalitur me germa të arta në "Librin e Nderit të Sportit Shqiptar", duke nxitur e frymëzuar të gjithë sportistët dhe mjeshtrat e ardhshem të sportit tonë.
Panajot Pano mbetet një simbol e një legjendë e pavdekshme në historinë e sportit shqiptar. Si një shembëlltyrë e rrallë dhe e gjithanshme, si një familjar e qytetar i nderuar dhe, mbi gjithçka, si një njeri tejet i thjeshtë, me një shpirt të pastër e human, si pakkush, ai ka rrezatuar e rrezaton veç dritë e mirësi dhe, si ai pishtari olimpik, u prin të gjithë brezave në rrugën e një ardhmërie edhe më të mirë.
Lavdi të përjetshme këtij ylli të pashuar të sportit tonë!
*********
Klubi Partizani i kërkon zyrtarisht qeverisë ndërrimin e emrit të stadiumit "Qemal Stafa".
Përmes një letre të firmosur nga presidenti i klubit të kuq, Albert Xhani, kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si dhe ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i kerkohet që stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" të marrë emrin e legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano, të ndarë nga jeta dy ditë më parë pas një goditjeje kardiake në moshën 71-vjeçare, në Florida të Shteteve të Bashkuara.
"Marrim këtë iniciativë, duke parë se Panajot Pano është jo vetëm simboli i FK Partizanit, klubi që e rriti, aty ku Pano luajti dhe punoi për 25 vjet, por edhe simbol i sportit shqiptar. Duke parë vlerat që do të përçojë brez pas brezi ky simbol, na lejoni t'ju propozojmë që këtë legjendë të futbollit ta nderoni, duke i vënë Stadiumit Kombëtar emrin "Panajot Pano". Do të ishte një vlerësim për figurën e Panajot Panos, që tempulli i futbollit ku ai luajti jo vetëm për Partizanin, por edhe për Kombëtaren të mbante emrin e një figure kaq shume të nderuar", - thuhet në letrën e klubit të Partizanit, drejtuar kryeministrit Berisha dhe ministrit të Sporteve, Xhaferraj.
Një iniciativë të tillë e kanë mbeshtetur edhe zëvendësministrat e Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi dhe Dashnor Bajaziti. Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve, Nikoll Lesi, hodhi idenë që stadiumi kombëtar "Qemal Stafa" të marrë emrin "Panajot Pano". Lesi do t'i përgatisë një propozim zyrtar qeverisë së kryeministrit Berisha.
Sipas ketyre te fundit, 'Qemal Stafa', emrin e të cilit e mban për gati 60 vjet stadiumi, mbetet një figurë e respektuar e së kaluarës komuniste, por nuk ka aspak lidhje me sportin, kështu që emri "Panajot Pano", mund të gjente pëlqimin e të gjithë krahëve politikë, por dhe tifozëve shqiptarë.
Ndoshta ndeshja e parë ndërkombëtare e Shqipërisë, ajo kundër Irlandës së Veriut, më 3 mars do të luhet në stadiumin kombëtar "Panajot Pano".
****
Shuhet mbreti i futbollit shqiptar Panajot Pano, dita e varrimit, zi kombëtare
Qeveria nisi mbledhjen e radhes me nje minute heshtje ne nderim te futbollistit shqiptar Panajot Pano. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha shpalli sot ditë zie Kombëtare, ditën e ceremonisë së varrimit të legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano.
"Pano ishte për dekada futbollisti që me talentin e tij, dhuntitë e tij të jashtëzakonshme por dhe shpirtin e tij të pamposhtur në futboll dhe tërësisht popullor në jetë, mbushi me entuziazëm me gëzim dhe krenari zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve", tha Berisha.
"Futbolli shqiptar është në ditë zie, por në zi janë edhe mbarë shqiptarët. Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara. Në nderim të legjendës te pavdekshme që ai la pas, por dhe nderim i mbarë shqiptarëve që e deshën aq shumë futbollistin e papërsëritshëm, qeveria vendosi sot të shpallë ditë zie kombëtare ditën e cermonisë së varimit të tij", u shpreh Berisha.
Në të gjitha institucionet flamuri Kombëtar do të ulet në gjysëm shtizë. MTKRS do të organizojë ceremonialin dhe do të përballojë të gjitha shpenzimet e ceremonialit.
Panajot Pano, një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptar ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.
Pano, cilësuar si legjenda e futbollit shqiptar lindi në Durrës në 7 mars të vitit 1939.
Gjate karrierës së tij 18- vjeçare si futbollist, Panajot Pano ka luajtur 24 ndeshje në kombëtaren e Shqipërisë. Ai ka luajtur gjatë me fanellën e Klubit Sportiv "Partizanin", ku ka fituar 4 kampionate dhe 5 kupa.
Në mars të vitit të shkuar ai u nderua si "Nderi i Kombit" nga presidenti i vendot, Bamir Topi.
Pas lajmit për vdekjen e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi i ka shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes.
Në mesazhin e tij, Topi e ka cilësuar Panon si sportistit e rrallë, korife të futbollit shqiptar, që me lojën e mahnitshme, shpirtin e tij luftarak dhe sidomos me golat e paharruar do mbetet ngahera i gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve dhe sportdashësve, do të vazhdojë ngahera të admirohet jo vetëm nga ata që e njohën personalisht dhe patën fatin të luajnë me të apo kundër tij, por ai do të vazhdojë të kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar.
*****
DATA DHE SHIFRA
Lindi në 7 mars të vitit 1939 në qytetin e Durrësit.
Në vitin 1956, NISI filloi karrierën tek Tirana.
Pano kaloi tek skuadra e Partizanit, ku luajti për 15 vjet (janar 1960 - maj 1975). Me fanellën e Partizanit ai fitoi 4 kampionate dhe 5 kupa.
20 vite karrierë futbollistike me mbi 600 ndeshje, dhe 450 gola.
Në vitin 2003, mori çmimin "Golden Player" nga UEFA, duke u renditur mes 50 futbollistëve më të mirë në histori, në Evropë.
Në mars 2009, u nderua me çmimin "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Fotua : Pano dhe familjaret (ne mes djali Ledio) gjate ceremonise se 'Nderi i Kombit'
Nga : Gazeta Shekulli











