Panairi Tirana 2015 cmime per Mira Meksin Parid Tefericin Shkelzen Zallin dhe Shpetim Çucken

TIRANË, 14 Nëntor / ATSH / Panairi i librit "Tirana 2015" ka shpërndarë sot gjatë ditës edhe çmimet e edicionit të 18-të të Librit, shoqëruar dhe me motivacionet përkatëse që shoqëruan çdo çmim.

Edhe pse panairi vijon të qëndrojë i hapur edhe ditën e nesërme sipas programit (11 deri 15 nëntor) juria e përbërë nga emra si Diana Kastrati, Lili Sula, Gëzim Qëndro, Behar Gjoka dhe Alfred Lela shpalli dhe vlerësoi me çmime, autorët më të mirë në Panairin e Librit "Tirana 2015".

Me anën e një ceremonie, u bë kurorëzimi i fituesve sipas vlerësimit të jurisë, në gjinitë e përzgjedhura si prozë, poezi, ese, përkthim dhe letërsi për fëmijë, pasi u shqyrtuan dhe analizuan 34 libra që i përkasin prodhimit letrar me autor shqiptarë në prozë, 7 poezi, 11 eseistikë dhe 38 përkthime e shqipërime.

Pasi kaluan dhe u kualifikuan në gjysëmfinale 52 tituj, në finale shkuan vetëm 28, nga të cilët çmimet u fituan nga:

Çmimi për përkthimin më të mirë: Mira Meksi për përkthimin e romanit "Identiteti" nga Milan Kundera

Motivacioni:

"Për një shqipërim të pasur, me rrjedhësi leksikore, për një gjuhë intelektuale që ndjek elegancën e Kunderës, thellësinë, natyrshmërinë e tij dhe stilin delikat."

Çmimi për autorin më të mirë të vitit: Parid Teferiçi për librin me poezi "Largësi ideale"

Motivacioni:

"Për prurje të qenësishme të një ligjërimi modern, me një strukturë dinamike e poetike, me pikëprerje origjinale edhe në artet e tjera."

Çmimi për letërsinë për fëmijë: Shkëlzen Zalli për librin "Kurora me banane"

Motivacioni

"Për fabulat e gjetura dhe interesante, ku shkrihet loja e thjeshtë me mendimin, për vargjet melodike dhe ritmike si edhe për fjalën e bukur që nxit përfytyrime të drejta tek lexuesi kudo në botë."

Çmimi i përkthimit Fan.S.Noli: Shpëtim Çuçka (jepet nga UET dhe Shoqata e Botuesve)

me motivacionin:

"Për një punë dhjetëravjeçare, plot pasion e seriozitet të rrallë profesional, për talentin e veçantë për prurjen në një shqipe të pasur të shumë autorëve dhe veprave nga gjuhë klasike e moderne."

Ndërkohë që pritet që gjatë ditës së nesërme të jepet edhe çmimi i fundit "Çmimi për autorin e vitit".

/k.m/ /m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama