PD reagon per moskonstituimin e keshillit bashkiak te Pogradecit

PD reagon për moskonstituimin e këshillit bashkiak të Pogradecit

Albana-VokshiTIRANË, 10 Gusht/ATSH/.- Partia Demokratike reagoi sot, ndaj asaj që e konsideroi "papërgjegjshmëri ekstreme të maxhorancës, që mban Pogradecin në kaos, duke mos lejuar konstituimin e këshillit bashkiak dhe nisjen nga puna të Bashkisë".

"Përmes Peleshit dhe Prefektit të Korçës, Edi Rama po hakmerret ndaj pogradecarëve që nuk votuan për të dhe ortakun e tij Meta, duke mbajtur peng Bashkinë e re. Me pretekste banale sikur këshilltarët e majtë qenkan me pushime, janë mbyllur dyert e kësaj bashkie e cila prej 10 muajsh është pothuajse jo-funksionale", deklaroi para mediave deputetja demokrate, Albana Vokshi.

Sipas saj, "kanë kaluar tashmë 27 ditë që Prefekti ka në tryezë vendimin përfundimtar të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për këtë Bashki". "Pengimi i konstituimit dhe fillimit të punës, është një hakmarrje e verbër por dhe shkelje e ligjit njëkohësisht, dhe për këtë Partia Demokratike do t'i drejtohet organeve të drejtësisë", tha ajo.

"Ne i bëjmë thirrje Prefektit të Korçës të heqë dorë nga ky shërbim kriminal, e të zbatojë ligjin. Qytetarët e Pogradecit nuk mund të ndëshkohen, duke u mbajtur peng Bashkinë dhe shërbimet. Edi Rama po vërteton tezën e tij të fushatës zgjedhore se nëse shqiptarët nuk votonin kandidatët e tij, ai do t'i linte pa ujë e pa investime. Por në realitet, ai po shkon edhe më larg, duke i lënë qytetarët që nuk e kanë votuar atë, edhe pa Bashki", vijoi ajo./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama