Osmani Vetem tre lojtare me mungojne te Skenderbeu

Osmani: Vetëm tre lojtarë më mungojnë te Skënderbeu

Tefik Osmani flet për herë të parë pas rinovimit me Skënderbeun. Edhe pse firma e tij në kontratë u bë "legjendë", mbrojtësi vendosi të vijonte karrierën në Korçë duke refuzuar Kukësin.

Skenderbeu OsmaniI kontaktuar dje nga "Panorama Sport", Osmani foli për gjithçka duke nisur nga rinovimi, dënimi, largimet, por pa lënë pas as ngacmimet në distancë.

Osmani, shumë dilema pati rreth rinovimit tuaj te Skënderbeu, pse? Jam mësuar edhe me zhurma më të mëdha (qesh). Nganjëherë i krijoj dhe vetë se kështu më pëlqen.

Nuk jam një njeri që bezdisem lehtë. Si qëndron e vërteta e rinovimit? Te Skënderbeu fjala është më e rëndë se firma. Kam heshtur që të mos bëhej ende më shumë zhurmë.

Çfarë ju bindi që të ishit sërish pjesë e Skënderbeut edhe këtë sezon?

Nuk ka shumë për të diskutuar rreth çështjes se çfarë me bindi që të vazhdoja me Skënderbeun. Është ekipi më i mirë në Shqipëri.

Kukësi, Flamurtari apo cili ekip tjetër ju bëri ofertë dhe nuk e pranuat?

Nuk kam pasur oferta nga ekipe të tjera, përveç Kukësit dhe meqë m'u dha mundësia, i falënderoj për interesimin.

Këtë vit Skënderbeu mbeti pa Europë, si u ndjetë dhe a mendoni se ishte një vendim i merituar?

Nuk e kishim menduar se do të mbeteshim jashtë këtij kompeticioni. Jam i bindur se nëse do të luanim ne atje ku na takon, tani do i kishim siguruar grupet e Europa League dhe do të luftonim për ato të Championsit.

OK, por Partizani është në "play off" të Europa League. Mendoni se ky ekip mund të përsërisë suksesin e Skënderbeut vitin e kaluar duke u futur në grupe?

Nuk më pëlqen të komentoj Partizanin, pasi fjalët e mia mund të keqinterpretohen.

Ndryshe nga çdo sezon, te Skënderbeu këtë herë janë bërë shumë lëvizje, plot 12 largime. Si e shikoni skuadrën më të fortë apo më të dobët?

Nga numri mund të jenë larguar shumë lojtarë, por mendoj se vetëm 4 ose 5 prej tyre kanë qenë vërtetë lojtarë kryesorë.

Kush nga futbollistët e larguar do të ndihet më shumë?

Arapi dhe Vangjeli do të më mungojnë më shumë, pasi Shkëmbin këtu në Korçë e kam (qesh). Pa dyshim që këta të tre do të më mungojnë, pasi i kam më shumë se miq.

Është larguar Mirel Josa dhe ka ardhur trajneri i rivalit tuaj kryesor, Partizanit. Çfarë përshtypjesh ju ka lënë Agostineli?

Profesor Josën e njoh më shumë dhe më mungon. Edhe rezultatet flasin vetë për të, kështu që nuk kam çfarë them për të. Për sa i përket Agostinelit, është një trajner shumë i mirë, kërkues dhe po punon me shumë pasion. Kam besim se edhe me Agostinelin do të arrijmë të shpallemi sërish kampionë.

Sezoni për Skënderbeun nis më 24 gusht me Superkupën e Shqipërisë ndaj Kukësit, si e shikoni këtë përballje?

Një ndeshje që po e përgatisim me shumë kujdes. Natyrisht që nuk do të jetë aspak e lehtë, por Skënderbeu futet në fushë vetëm për fitore.

LLAZI SARO



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama