Origjina dhe organizimi i partizaneve ne zonen e kufirit Shqiperi –Greqi

Origjina dhe organizimi i partizaneve ne zonen e kufirit Shqiperi –Greqi
Organizimi dhe komanda, morali dhe mënyra e luftimit ishte e njëjtë me të disa grupeve që kishin filluar të operonin në Ballkan nën influencën e Moskës dhe nën drejtimin e Titos.

Themeluesi dhe drejtuesi i EDES ishte koloneli Zervas, një ish-oficer i ushtrisë greke, i cili kishte shërbyer në ushtrinë franceze në Luftën e Parë Botërore dhe pas një shërbimi të gjatë në ushtrinë greke kishte dalë në pension me gradën kolonel. Ai nuk ishte thirrur nën shërbim ushtarak në Luftën e Dytë Botërore, por ai do të kishte shërbyer vullnetarisht në ushtrinë greke. Me dorëzimin e ushtrisë greke dhe pushtimin e Greqisë nga italianët, Zerva filloi përgatitjet për të organizuar një rezistencë ushtarake në verën e 1941-shit. Më 9 Shtator 1941, në Athinë ai themeloi organizatën e tij në fshehtësinë më të madhe, pa dijeninë a asnjë autoriteti.

Për të ruajtur sekretin, kjo organizatë u quajt “Organizata Demokratike Nacionale”. Zerva u arrestua disa herë nga autoritetet italiane, për shkak të aktivitetit të tij, por gjithmonë ishte lënë i lirë. Në verën e 1942-shit, ai nuk ndihej më i sigurtë në Athinë. Kështu që ai dhe mbështetësit e tij u larguan në malet e Epirit Jugor në Korrik të 1942-shit. Ai e zgjodhi këtë zonë, pasi kishte mbështetje nga popullsia lokale, por edhe pasi linjat italiane të komunikimit ishin më të dobëta.

Më 25 Tetor 1942, koloneli Zerva filloi luftën kundër italianëve, duke pasur nën komandë 98 partizanë. Objektivi i tij ishte ndërprerja e rrugës shumë të rëndësishme italiane nga Shqipëria nëpërmjet Janinës dhe Artës. Më 10 nëntor, gjatë aktivitetit të tij në këtë zonë dhe pikërisht në Argjira, Zerva ra në kontakt me oficerët britanikë, të cilët ishin dërguar në Greqi. Me kërkesën e tyre ai e lëvizi zonën e aktivitetit të tij i ndjekur edhe nga mbështetësit e tij me objektivin për të hedhur në erë urën e Georgopotamos, e cila ishte veçanërisht shumë e rendësishme në furnizimin e ushtrisë okupuese. Pas këtij aksioni ai mori vendimin për t’u rikthyer në Epir, ku të vazhdonte aktivitetin e tij kundër italianëve. Gjatë kësaj periudhe, britanikët filluan të furnizojnë nga ajri sistematikish forcat partizane. Arme.

 Pajisje, municione, sinjalistike, si dhe uniforma britanike hidheshin me parashutë në vende të parapërcaktuara në zonat partizane. Gjithashtu, një Mision Ushtarak me 12 oficerë britanikë u atashua në Komandën e EDËS në fillimin e 1942-shit. Kjo erdhi si rezultat i sabotimit të urës së Georgopotamos, por edhe si rezultat i propagandës që iu bë këtij aksioni. Kjo solli një efekt shumë pozitiv për EDES, ku vetëm për disa javë, një numër i madh vullnetarësh iu bashkua kësaj force dhe numri u rrit në 600 vetë. Nga këta rekrutë Zerva krijoi tre apo katër grupime me rreth 150 apo 200 vetë.

Deri në fillimin e 1943-shit, rreth 30% e kësaj force ishin të veshur me uniforma ushtarake, ndërsa rreth 70%, akoma mbanin veshje civile. Për të mbuluar këtë boshllëk u krijuan shenja ushtarake lokale (me shkrime të bardha në fushë të zezë), për t’i dhënë kësaj force një karakter ushtarak. Këto shenja dalluese mund të binin në sy në rreth 25 metra largësi, por që mund të hiqeshin shumë kollaj. Përpjekjet e autoriteteve, për ta kapur Zervën dështuan gjatë kësaj kohe, megjithëse një çmim i lartë u vendos për kokën e tij. Si zakonisht, këto lloj përpjekjesh kanë efektin e kundërt dhe reputacioni i tij u popullarizua shumë as me tepër, kur britanikët i dhanë një dekoratë për përpjekjet e tij në sabotimin e Urës së Georgopotamos.

Me përfshirjen e britanikëve në rradhët e forcave të Zervas dhe dështimet e forcave italiane për të ndryshuar situatën me shumë vullnetarë, iu bashkuan forcave të Zervës. Në Mars të vitit 1942 forca e tyre numërohej tek rreth 4 mijë persona dhe, në korrik, rreth 7 mijë persona, duke krijuar tashmë nevojën e organizimit të kësaj force në kompani, batalione dhe regjimente. (Ekspertët ushtarakë, në fakt e kuptuan menjëherë që këto ishin thjesht përcaktime ushtarake dhe jo organizim ushtarak i qëndrueshëm, por megjithatë këto përcaktime luajtën rol në rritjen e moralit të partizanëve, si dhe në krijimin e një situate konfuze për italianët).

Këto njësi ishin të drejtuara nga ish-oficerë të ushtrisë apo edhe thjesht katedra ushtarake apo edhe fshatarë të thjeshtë, të cilët ishin provuar në betejë. Si rezultat i ndihmës ushtarake britanike nga ajri, një pjesë e këtyre njësive u furnizuan me armatime moderne. Uniformat ishin, gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e këtyre ndihmave dhe deri në Korrik të 1943-shit, pjesa më e madhe e njësive ishin tashmë të veshura me uniformë ushtarake. Më 23 korrik të vitit 1943, emri i EDES u ndryshua në “njësite guerile nacionaliste greke”. Aktiviteti gjithnjë në rritje i partizanëve grekë solli si rezultat tërheqjen gjithnjë e më shumë të italianëve nga kjo zonë. Italianët mbanin vetëm qendrat e mëdha, ndërsa zonat malore ishin në duart e guerileve. Fitorja dukej në horizont nga popullsia greke, kur një ndryshim i situatës solli edhe ndryshime të thella. Më 23 Qershor 1943, Divizioni i Parë Malor Gjerman hyri në Epir nga territori shqiptar. Partizanët u përballën me një forcë në veçanti me eksperiencë të madhe luftimesh dhe një fazë e re lufte filloi për njësitet guerile.

Duke parë këtë situatë, britanikët nuk ndenjtën duarkryq. Në fundin e korrikut të 1943-shit, ata arritën që t’i unifikonin të gjitha grupimet politike partizane në Greqi. Kundërshtimet midis dy prej forcave kryesore luftuese në Greqi : nacionalistët e EDES dhe komunistët e ELAS nuk mund të toleroheshin më prej britanikëve. Zervës i duhet tashmë të modifikonte objektivat e tij në këndvështrimin e ri të presionit gjerman dhe kërcinimit që i vinte nga ELAS dhe kërkesave të britanikëve.

Në këtë moment, të gjitha forcat guerile ishin njohur si pjesë e Forcës Mesdhetare Lindore dhe nën Komandën e Lartë në Kajro, ashtu siç u komunikua në Radio-Kajro. Komanda të përbashkëta partizane u stabilizuan në Pertouli në Thesali nën vëzhgimin britanik. Këto njësi u organizuan dhe u trajnuan nga oficerët britanikë sipas regulloreve të ushtrisë greke. Kështu që gjermanët u përballën me një front të përbashkët partizan me një moral të lartë si rezultat i fitoreve të tyre kundër ushtrisë italiane dhe të pajisur mirë nga furnizimet britanike nga ajri. Shumë prej guerilëve ishin të pajisur me armë automatike dhe gjysmë automatike.

Disa mortaja italiane të kapura më parë ishin në duart e tyre, gjithashtu. Gjithashtu, pajisje radiosh të dërguara dhe të operuara nga personel britanik ishin në përdorim në shkallë të gjerë. Një numër postash vezhguese ishin në kontakt me komandën nëpërmjet radiove dhe operonin në sabotime të ndryshme apo edhe në prita ndaj makinave italiane.

Me hyrjen e Divizionit Malor Gjerman në ketë zonë, luftimet morën një karakter tjetër, pasi ushtari gjerman ishte i një kualiteti të ndryshëm nga ushtari i frikësuar italian. Rrugët, të cilat kontrolloheshin nga bandat guerile u hapën, u siguruan dhe u pastruan nga minat. Në veçanti rruga e rëndësishme Trikalla –Janinë, një rrugë, e cila ishte bllokuar prej vitesh nga aktiviteti i guerileve, tashmë u hap pas disa ditë luftimesh. Me disa operacione pastrimi në zona të rëndësishme, aktiviteti i njësive gjermane krijoi siguri. Të gjitha këto operacione ishin aq shumë të kushtueshme për guerilet, saqë aktiviteti i tyre ra shumë në dimrin e ’43-’44-ës dhe numri i tyre qëndroi në gati 7 mijë vetë. Në Tetor të ’43-shit me kapitullimin e ushtrisë italiane dhe çarmatimin e njësive ushtarake italiane në Greqi, Komanda Gjermane në Epir vendosi ndërprerjen e aktivitetit partizan në këtë zonë.

Një kërkesë e jona për Komandën e Lartë të Vermahtit për negociata me liderët e njësive nacionaliste u refuzua personalisht nga Hitleri, i cili kërkoi dorëzimin pa kushte të bandave guerile. Meqenëse kjo përgjigjie ishte shumë larg realitetit të betejës në terren që shikohej nga Komanda e Lartë e Vermahtit, u detyrova që ta merrja situatën vetë në dorë. Duke kuptuar ndarjen e madhe ideologjike midis Trupave të Zervës dhe njësive komuniste të ELAS, i propozova Zervës një armëpushim me njësitë gjermane, duke evituar humbjet në popullsinë lokale dhe njësitë e tij dhe të bashkonim forcat në luftën kundër komunistëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama