Origjina dhe organizimi i partizaneve ne zonen e kufirit Shqiperi – Greqi

Origjina dhe organizimi i partizaneve ne zonen e kufirit Shqiperi – Greqi
Disa javë përpara se të fillonte Operacioni GEMSTOK në Janinë, ne kishim arritur që të arrestonim të gjithë rrjetin e komunikimit të partizanëve, si dhe të kishim kapur materialet e printimit dhe radio-transmetueset e tyre. Megjithatë, një numër i madh informatorësh, të cilët ndihmonin me informacion guerilet partizane kishin mbetur pa u zbuluar dhe, kësisoj, ata lajmëruan për kohën kur ne filluan të krijonim darën shtrënguese përqark zonës së veprimit të tyre.

Ata (partizanët) e dinin mirë se një betejë e hapur me gjermanet do t’u sillte disfatë të sigurtë, prandaj kërkonin që të na godisnin nëpërmjet pusive apo duke tërhequr ndonjërën prej njësive tona në grackë. Një rrethim nga ne, do të kapte shumë material luftarak, prandaj partizanët kërkonin evitimin e këtij rrethimi me çdo kusht. Partizanët kishin kohë që vështronin trupat tona nga afër dhe si rezultat i këtij observimi e njihnin taktikën e betejës së trupave tona. Gjithsesi, trupat tona më të mira ishin trupa malore, të cilat po vinin nga Jugu dhe nga Jug-Perëndimi.

Për fat, trupat e mbrojtjes territoriale me eksperiencë më të vogël ishin dislokuar në Veri dhe Verilindje, ndërsa Veri-Perëndimi ishte i vështirë për t’u kaluar nga shkaku i terrenit malor. Gjatë fillimit të Operacionit tonë në këtë zonë disa prej fshatrave ishin evakuuar dhe Komanda e partizanëve të Kuq ishte tashmë e sigurtë në Malin Gramoz, teksa ne po përfundonim rrethimin e zonës. Pjesa më e madhe e trupave që po lëvizte nëpër monopate sekrete arritën me sukses brenda natës të vendoseshin në pozicionet e synuara.

Ndërkaq trupat që po vinin nga Jugu kishin rrethuar një njësit partizan, i cili kishte sulmuar një kamp mjekësor ushtarak gjerman, duke vrarë të plagosurit si dhe infermieret femra që kujdeseshin për të sëmurët. Kjo njësi partizane ishte rrethuar me kujdes dhe po asgjësohej nga trupat tona malore. Komandanti i kësaj njësie kishte pasur fatin më të keq. Teksa ishte shtrirë për t’u fshehur në gëmushat, të cilat ishin një bojë njeriu të larta, kishte mundur t’u shpëtonte gjermanëve, derisa një ushtar i kishte shkelur dorën pa dashje dhe kështu që ishte kapur i gjallë. Si rezultat i këtij operacioni të trupave tona malore, disa qindra burra u asgjësuan, duke përfshirë në këtë bilanc edhe disa fshatra, të cilat u shkatërruan si rezultat i përpjekjeve mes palëve.

Megjithatë, situata për partizanët nuk dukej edhe aq keq, pasi ata kishin arritur që t’i shpëtonin trupat kryesore, edhe pse humbjet gjermane ishin të konsiderueshme. Hakmarrjen ndaj nesh ata e shprehën tek robërit që kishin kapur, kur disa patrulla tonat kishin humbur në pyje. Pa këpucë dhe me duar të lidhura pas, ata ishin tërhequr nëpër shtigjet e maleve dhe pasi ishin pyetur gjatë ishin ekzekutuar ashtu si mjaft robër të tjerë gjermanë. Ndjekja jonë përfundoi në ditën e katërt, kur zona u pastrua dhe tashmë mund të shikoje trupat e partizanëve të vrarë nëpër shkëmbinj apo gëmusha. Një kolonë me robër mund të shikohej teksa ecnin në rrugën e Meçovës. Për ushtarët tanë kjo kolonë ishte një pamje shokuese. Ata i shikonin këta njerëz të shpërfytyruar me urrejtje, por dhe me keqardhje në të njëjtën kohë. Të rreckosur, vajza të reja fanatike, adoleshentë dhe burra me mjekra, viktima të pasionit fanatik ideologjik.

Në Jugun e Shqipërisë, në një shkëmb dominues mbi Luginë ishte vendosur kështjella e Gjirokastrës. Ishte një pamje shumë mbresëlënëse. I vendosur në formë harkore dhe i mbrojtur nga Kështjella ishte qyteti i dikurshëm otoman, shtëpitë dukeshin sikur kishin përqafuar njëra-tjetrën. Ky qytet ishte qendra provinciale e Jugut. Ne qendër të zonës së infektuar nga banditët dhe në mes të dy rrugëve shumë të rëndësishme qyteti kishte një rëndësi shumë të madhe taktike për forcat gjermane. Një batalion gjerman ishte stacionuar në këtë zonë me detyrë ruajtjen e rrugës për në Vlorë nëpërmjet Tepelenës.

Një njësi vullnetarësh nacionalistë shqiptarë ishin pozicionuar, gjithashtu, për të mbrojtur qytetin nga të kuqtë, të cilët e kishin vendosur Shtabin Operacional në zonën e Sheperit, jo më larg se një orë prej andej. Pasi i larguam prej Luginës së Sheperit, partizanët u vendosën në malet e Kuçit. Këtu ishin partizanët e njësiteve malore, të cilët ishin nga më trimat e të gjithë rajonit. Këto forca numëronin rreth 2000 vetë. Një prej misioneve të forcave partizane të kësaj zone ishte bllokimi ë rrugës që të çonte në Vlorë, si dhe sulmet e befasishme ndaj trupave gjermane. Kjo zonë bregdetare kishte shumë vlerë operacionale, pasi një zbarkim nga Italia do të sillte probleme të mëdha për ne. Për këtë arsye duhej ruajtur nga forcat tona pandërprerje për të evituar një zbarkim në prapashpinë.

Gjirokastra në këtë mënyrë merrte një rëndësi të veçantë për ne. Në këtë periudhë forcat tona kishin ndërmarrë disa operacione spastrimi, të cilat i kishin spostuar partizanët nga një zonë në tjetrën, por partizanët në përgjithësi na kishin shpëtuar, pasi popullsia ishte në përgjithësi me ta. Nëse kjo ishte edhe situata në Gjirokastër apo jo mbetej për t’u parë. Guvernatori shqiptar na siguroi se qyteti ishte dashamirës ndaj nesh.

Po kujt t’i zije besë? Kampe të reja partizanësh ishin parë në Luginën e Sheperit dhe këto informata u konfirmuan nga zbulimet tona ajrore. Një avion me dy motorë gjuajtës i tipit ME 110 sulmoi disa çadra mbi shkëmbinj. Dëgjuam se një oficer i lartë britanik u vra dhe kjo konfirmonte se Aleatët e konsideronin këtë zonë si një zonë me shumë rëndësi për ta. Kampet u zhdukën por njësitë partizane mbetën dhe ndërkohë ndërmorën edhe operacione sulmi të kordinuara nga Korça dhe Vlora. Beteja të përgjakshme u ndërmorën nga Tepelena në Përmet, për të hapur rrugët në ketë moment, megjithatë edhe pse ne i pastruam malet e zonës, partizanët u rikthyen përsëri në foletë e tyre të mëparshme. E njëjta situatë ishte edhe në zonën bregdetare.

 Kufiri midis Komandave të Tiranës dhe Janinës ishte Himara. Guerilet e dinin këtë fakt dhe e sabotuan rrugën me të gjitha mjetet që kishin në dispozicion. Herë pas here ndërmerrnin sulme, duke paralizuar trafikun. Kolona me makina të shkatërruara shikoheshin përgjatë kësaj rruge. Pas një sulmi shumë të përgjakshëm nga partizanët kundër garnizonit gjerman të Himarës, një operacion nga ana jonë u ndërmor për ta rihapur rrugën dhe për të vendosur komunikimin me garnizonin e Vlorës. Një numër i madh italianësh, të cilët pas kapitullimit të verës së 1943-shit iu ishin bashkuar guerileve u kapën në zonën e Kuçit.

Një ditë batalioni gjerman i Gjirokastrës duhej të shkonte në Tepelenë, për të evituar një çështje kritike në këtë zone. Guvernatori shqiptar i Gjirokastrës dhe milicia e tij mbeti vetëm në qytet. Farat e mbjella nga komunistët, mesa duket po jepnin fryte, pasi papritur si me magji qyteti u mbush me partizanë. Guvernatori dhe rojet e tij u mbyllën në Kështjellë, milicia nacionale u vra apo u çarmatos dhe pjesa e popullsisë që ishte kundër u vu nën një terror të egër. Në një kohë shumë të shkurtër e gjithë zona u vu nën kontrollin e partizanëve. Një arritje jo e vogël për ta. Ky shembull është një pasqyrim i saktë e mënyrës së luftimit të të Kuqve. Aftësia për të qenë kudo dhe asgjëkund në të njëjtën kohë ishte një art, të cilin partizanët e Ballkanit e përvetësuan në mënyrë të shkëlqyer.

Operacionet gjermane
kundër partizanëve
Si i përballuan forcat gjermane këta partizanë? Si u zhvilluan betejat me ta?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve në mënyrë të saktë disa fakte bazë duhet të theksohen. Dy elementë që përcaktojnë betejën tashmë dihen; armiku dhe terreni. Elementi i tretë, forcat tona, kërkojnë një shpjegim të shkurtër. Ashtu siç tashmë dihet, shumë pak forca gjermane mbetën në Greqi, pas kapitullimit grek, në pranverë të 1941-shit. Kudo ishte mjaft qetë dhe partizanët ishin një faktor i panjohur akoma. Shumë pak oficerë gjermanë dhe trupa të pakta tonat ishin me shumë të ngarkuar me çështje administrative dhe në ruajtjen e linjës hekurudhore dhe tokësore Athinë – Selanik. Vetëm në verë të 1943-shit, kur rreziku partizan u bë një shqetësim për t’u marrë në konsideratë dhe besnikëria e italianëve e diskutueshme, trupat e sulmit të Divizioneve Malore u transferuan në Greqi dhe në Jugun e Shqipërisë. Një Divizion i Lehtë këmbësori dhe një Divizion malor u vendosën në zonën e Operacionit të Korpusit Malor Gjerman XXII. Të dyja Divizionet kishin mision të dyfishtë. Të ruanin bregun shqiptar nga Himara deri ne Gjirin e Patrës, si dhe ishujt Jonianë nga një zbarkim i mundshëm, si dhe të ruanin zonat e sipërmendura nga aktiviteti i partizanëve. Kjo zonë përfshinte territorin me kufijtë prej Himarës – Korça – Follorina – Trik Trialla-Karpenision – Gjiri i Patras dhe Ishulli i Qefalonisë një territor prej 45 mijë km 2.

Trupat e luftimit në dispozicionin tim për të mbrojtur këto territore prej 700 km bregdet përfshirë edhe ishujt e Korfuzit dhe Qefalonisë dhe Lefkadhës, si dhe për të ruajtur zonën nga partizanët përfshinte 20 njësi me forcën e një batalioni për njësi. Duke llogaritur që fuqia e një batalioni për kohën ishte 300 vetë, atëherë mund të thuhet se e gjithë fuqia ushtarake për të përmbushur këtë mision me dy objektiva konkretë ishte jo më shumë se 6000 mijë burra. Nëse ne do ta kishin caktuar këtë forcë vetëm për të ruajtur bregdetin dhe për asgjë tjetër, atëherë i binte qe çdo ushtarak i duhej të mbronte rreth 115 metra bregdet. Nga ana tjetër, nëse kjo forcë do të ishte e caktuar vetëm për të luftuar forcat partizane në territor, duke përfshirë edhe ishujt, atëherë i binte që çdo ushtar të ruante 7 kilometra e gjysmë katror. Këto shifra janë përzgjedhur për të treguar dobësinë e forcave tona ushtarake, për të përmbushur me sukses objektivat që na kishte caktuar Komanda e Lartë në aspektin taktik dhe operacional. Edhe nëse të gjitha trupat që kisha në dispozicion, si dhe agjensitë e tjera përgjegjëse për mbështetje në operacione ushtarake të ishin përfshirë në këtë mision, edhe në kapacitetin e tyre të dyfishtë përsëri do t’i duhej çdo personi që kisha në komandën time të siguronin 2.5 km 2 territor. Praktikisht një objektiv i pamundur.

Po kështu nëse marrim parasysh që 2 të tretat e territorit që ne operonim ishte territor malor, pa rrugë normale, atëhere kuptohet qartë vështirësia që kishin trupat, si dhe komanda gjermane për të operuar në këtë zonë.

Sigurimi i rrugëve ishte një faktor i rëndësishëm për të përballuar partizanët, por nëse ne do të ishim marrë vetëm me sigurimin e rrugëve, atëherë do të na duhej të ruanim mbi 840 km rrugë nacionale sipas kësaj skeme.

Lindje –Perëndim
Delvinë –Sarandë rreth, 80 km
Janinë –Igumenicë, 90 km
Trikalla –Gryka e Meçovës – Janinë, rreth 120 km
Philipias-Prevezë, 40 km
Amfilokia-Kaukas, rreth 60 km

Duhet të kihet parasysh situata në terren, për të kuptuar avantazhin e madh që kishin partizanët në krahasim me vështirësitë e mëdha të trupave gjermane.

Sipas ligjit ndërkombëtar një territor quhet i pushtuar nëse fuqitë pushtuese janë në gjendje të kontrollojnë në mënyrë të rregullt dhe konstante çdo lokalitet me forcën e armëve. Ky kondicion ishte përmbushur në rastin e Greqisë, pa asnjë dyshim, pasi çdo lokalitet mund të kontrollohej apo pushtohej nga trupat gjermane në çdo kohë. Ndërsa nga krahu tjetër ishte e pamundur që ky territor të mbahej në kontroll në mënyrë të vazhdueshme, pasi nuk kishte trupa ushtarake të mjaftueshme.

Kjo sigurisht nëse do të marrim në konsideratë se zona duhet të jetë totalisht e lirë nga aktiviteti i partizanëve. Edhe një fakt tjetër që duhet të merret parasysh mbi forcat gjermane, në këtë zonë. Divizioni Malor Gjerman XXII ishte një fuqi ushtarake me ekperiencë lufte dhe i pajisur mjaft mirë. Megjithëse ishte njësia që udhëhoqi luftën kryesore ndaj partizanëve, ajo u tërhoq dy herë nga territori greko-shqiptar dhe u dërgua në Jugosllavi me misione speciale. Gjatë mungesës së këtij Divizioni, njësitë luftuese zëvendësoheshin me trupa të impovizuara, të cilat ishin të kualitetit inferior, si në cilësi, ashtu edhe ne eksperiencë. Divizioni i Këmbësorisë së lehtë që ishte stacionuar në jugun e Epirit që në Qershor të 1943-shit, nuk e kishte fuqinë dhe efikasitetin e Divizionit Malor.

Nuk ishte Divizion i linjës së parë të frontit dhe si i tillë nuk mund të quhej Divizion i Klasit të Parë. I mungonte ne radhë të parë eksperienca luftarake për luftime malore si dhe kishte mungesa në pajisje. Kishte lëvizje të kufizuara për shkak se nuk kishte mjete të mjaftueshme, veçanërisht në mungesën e tankeve. Trupat e Komandës së Përgjithshme që përbëhej nga njësi të forcës 999 trupa mbështetëse; njësi të baterive bregdetare; njësi të mirëmbajtjes së rrugëve, si dhe njësi sigurimi të organizuara me urgjencë ishin të gatshme, por nuk mund të konsideroheshin kurrë si trupa që mund të përdoreshin në luftën aktive kundër partizanëve, pasi më e mira e mundshme e tyre ishte që ato ishin trupa me karakter mbrojtës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama