Organizimi politik i Mbreterise Ilire

Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur pushtetin e vet dhe kishte krijuar një mbretëri të fortë. Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan ngjarjet e rëndësishme të gjysmës së parë të shek. IV, por kjo krahinë nuk mund të identifikohet me territorin e shtetit ilir, shtrirja e plotë e të cilit është vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na paraqitet si një forcë që ishte në gjendje t’i kundërvihej me sukses Maqedonisë. Kuptohet vetiu që si i tillë ai përbënte një njësi të paktën të barabartë me të, si nga pikëpamja e territorit, ashtu edhe e forcës së gjallë njerëzore. Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut, pa përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të kenë bërë pjesë në këtë njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret i ilirëve”; po kështu emërtohen dhe pasardhësit e tij. Kjo lejon që ky formacion të konsiderohet si një mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e qarta të një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet si një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme, që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në radhë të parë interesi i mbrojtjes nga rreziku i jashtëm. Çdo bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël që njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i nënshtrohej atij. Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti i Bardhylit si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet 60 të shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt, me një organizim dhe taktikë luftarake të përparuar. Kjo ushtri formohej nga një këmbësori e organizuar dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse e vogël në numër, ekzistonte si njësi më vete me cilësinë e një force të manovrueshme goditëse.
Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë serioze. Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje e një qëndrimi që ka si objektiv të qartë dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej në marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo një demokraci ushtarake që të luajë një rol kaq aktiv në situatën ndërkombëtare dhe të ketë pikësynime kaq të qarta politike, të cilat kërkonin përqendrim forcash e mjetesh, siç është rasti i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari kaq e gjerë dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme mund të ketë vend vetëm në kushtet e një organizimi shtetëror.
Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe ishte një organizëm i përkryer që u përgjigjej të gjitha kërkesave të këtij nocioni në kuptimin e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen territoriale të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese. Struktura social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë ilire të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për të nënshtruar shtresat e tjera dhe për të mbrojtur interesat e saj. Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi të përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo përbënte funksionin kryesor të brendshëm të shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në funksionin e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me popujt fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit të tyre me tribute. Shteti ilir ndodhej në stadin e tij fillestar dhe karakterizohej nga mbeturina të theksuara të rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të veçanta të jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre, që përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore të tij, kishin marrë një zhvillim të dukshëm. Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më i qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë antike ilire.
Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën e sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet edhe si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë qenë, nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi që e shpejtoi këtë proces. Dështimi i përkohshëm në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra përbëjnë vetëm një episod të shkurtër politik që nuk e ndali këtë proces të thellë shoqëror në Iliri.
Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët e mirëfilltë” dhe do të zhvillohet më tej në kuadrin e po këtij territori.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama