Organizimi administrativ i Ilirise

Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), ku qenë përfshirë krahinat e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut përfshinte një territor shumë të gjerë: në veri arrinte deri në Danub, kurse në jug deri te lumi Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në qendër të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen e saj edhe territorin e Serbisë së sotme. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshëm krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër. Provinca e Mëzisë - me këtë emër u quajt provinca e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëhere kishte bërë pjesë në provincën e Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi që iu bë pushtimit në viset ilire, sidomos në ato të provincës së Ilirikut e detyruan shtetin romak të rishikojë marrëdhëniet me provincat dhe të riorganizojë aparatin administrativ. Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë provinca e Ilirikut u nda më dysh: në jug u krijua provinca e Dalmatisë dhe në veri ajo e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme Romake (shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të tij.
Provincat e nënshtruara e të qetësuara në një farë mënyre, ishin nën mbikëqyrjen e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme të mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt nga perandori. Në Iliri provinca perandorake ishin Panonia, Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse Maqedonia ishte provincë e varur nga senati.
Në krye të provincave qëndronin sundimtarë të posaçëm, mëkëmbësit, të cilët sipas rëndësisë së provincave ishin të rangjeve të ndryshme. Në provincën perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi ishte në rangun e konsullit (legatus) (Augustipropraetore). Provinca e Epirit hynte në grupin e provincave të dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës që vinin nga shtresa e kalorëve romakë. Në krye të provincës së Maqedonisë kanë qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.
Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin e provincës për një vit, duke pasur edhe funksionin e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në dorë edhe pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit kanë qenë zotër të vërtetë të provincave dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar. Veprimtaria e mëkëmbësve në provincat ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin në duart e tyre jetën e banorëve të provincave dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat vetjake, duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve sistematike. Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve të provincave karakterizoheshin nga një arbitraritet i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve të sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë së plotë në provincat, ishte bërë provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të mëkëmbësit romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë. Në një ligjëratë të mbajtur kundër Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e ka përshkruar gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë të asaj kohe me këto fjalë: “Dyrrahu e Apolonia të shkatërruara... parthinët e bylinët të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të gjithë kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm për t’i vjedhur, plaçkitur, keqpërdorur dhe trajtuar si armiq...”.
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft nëpunës ndihmës, midis tyre ishin kuestorët që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin degë të ndryshme të ekonomisë dhe legatët që kryenin detyrat e tyre në ushtri dhe në gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve dhe e ndihmësve të tyre ka qenë mbledhja e taksave nga popullsia ilire. Shteti romak kishte përpunuar një sistem të hollësishëm të nxjerrjes së taksave dhe të detyrimeve të tjera në popullsitë e viseve të pushtuara. Taksat kryesore kanë qenë ato që paguheshin për tokën dhe ato për frymë (tributum soli dhe tributum capiti). Baza e sistemit fiskal romak ka qenë regjistrimi i pasurisë. Me caktimin e taksave janë marrë prokuratorët, të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave, sipërfaqes dhe cilësisë së tokës. Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët vendës, të cilët romakët i quanin “peregrini” (të huaj). Më vonë taksat u shtrinë edhe mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat ilire.
Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia vendëse ka qenë e shtrënguar të paguante edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin pjesërisht në të holla e pjesërisht në natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin e rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën doganore. Taksa doganore apo e kufirit paguhej për disa mallra të importuara që kalonin nëpër rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi administrative-doganore në tjetrën. Një njësi doganore më vete përbënte Iliriku (portorium Illyrici), në të cilën qenë përfshirë provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e Mëzisë, e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga banorët e provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha në të holla për mbajtjen e administratës romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara në to. Të gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve romakë rëndonin thuajse tërësisht mbi popullsinë e thjeshtë. Përfaqësuesit e pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët, fajdexhinjtë e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua shpejt nga veprimtaria grabitqare e sundimtarëve romakë ka qenë provinca e Maqedonisë. Pasiguria e krijuar në këtë provincë, kundërshtimet dhe kryengritjet e banorëve të saj kundër qeveritarëve romakë, bënë që më vonë ajo të kthehej nga një provincë e administruar nga senati në një provincë perandorake.
Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë qenë më të theksuara në krahinat bregdetare dhe në ato të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacioneve, ku kishte gjithfarë nëpunësish romakë. Në viset e brendshme dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit romakë nuk mund të vendosnin marrëdhënie të tilla vartësie as edhe të nënshtronin plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve shfrytëzuese të perandorisë. Shumë krahina e bashkësi territoriale ruajtën për një kohë të gjatë një vetadministrim të brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime të vogla e fshatra që kishin përreth tyre një territor bujqësor të gjerë, që shtrihej në kufijtë e vjetër të popullsive ilire dhe që ishte pjesërisht tokë private dhe pjesërisht pronë e përbashkët. Në krye të civitates-ve ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që zakonisht zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të afërta. Në këto bashkësi prefektët ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej asnjë vendim. Më vonë oficerët romakë u zëvendësuan nga përfaqësues të parisë vendëse që kishin marrë qytetarinë romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse sundimtarët romakë, mundën të siguronin një farë kontrolli mbi popullsinë vendëse dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit romak. Në burimet mbishkrimore përfaqësuesit e parisë ilire të vënë në krye të bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët, desidiatët e dokleatët, janë quajtur praepositi (kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe një këshill fisnor, i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të parisë vendëse, principes, që ishin gjithashtu njerëz të besuar të Romës. Kjo shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë duke u kufizuar; nga gjiri i saj kanë dalë më vonë ata që bënë përpjekjet e fundit, por pa rezultat, për të mëkëmbur perandorinë e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.
Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët krijuan krahina të mëdha gjuhësore-administrative, të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në provincën e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin pjesë përfaqësuesit e shtresave sunduese të qyteteve dhe të parisë ilire të bashkësive territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari i kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama