Opozita kerkon qeveri teknike Pese gjera qe kuptuam

Opozita kërkon qeveri teknike  Pesë gjëra që kuptuam

Kryetari i opozitës Lulzim Basha bëri thirrje, të martën, për krijimin e një qeverie teknike, të cilën e quajti garancinë e vetme për të organizuar zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Zoti Basha u shpreh se kërkesa e tij është e pandryshueshme dhe nëse nuk ajo nuk do të arrihet përmes mirëkuptimit ai do të synojë ta arrijë atë përmes trysnisë së qytetarëve, duke nënkuptuar protesta popullore kundër qeverisë.

Ky qëndrim i ri i opozitës është një kthesë e cila do të ketë ndikim të madh në skenën dhe zhvillimet e pritshme politike, deri në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për në maj ose qershor 2017.

Tani për tani mund të themi pesë gjëra.

Ka pak dyshime se kërkesa e PD-së për qeveri teknike është e koordinuar me LSI-në, sikurse ishin qëndrimet e tyre për reformën në drejtësi. Tashmë, duket se kjo aleancë politike ka synime më të mëdha, përtej çështjeve të ditës.

Gjithsesi, është po ashtu e qartë se PD dhe LSI nuk ka siguruar dot ende shumicën në Kuvend--është e arsyeshme të besohet se nëse do të kishin mbështetjen e 71 deputetëve ata do të kishin zgjedhur rrugën e mocionit të mosbesimit ndaj Kryeministrit Rama.

Për momentin, duket se qasja e PD-së dhe LSI-së është e njejtë me atë të reformës në drejtësi: PD do të marrë qëndrime të forta politike, ndërsa LSI do të ofrojë mbështetje parimore dhe mirëkuptuese për shqetësimet e PD-së.

Në këtë mënyrë ata do të luajnë një lojë të re deklaratash, qëndrimesh, veprimesh, thëniesh e kundërthëniesh për ta provokuar dhe futur në panik Kryeministrin Rama, duke e shtyrë atë në qëndrime të papërshtatshme dhe aleanca që do ta nxjerrin në dritë të keqe, nga njëra anë; dhe për të mobilizuar opinionin publik dhe faktorë të tjerë në mbështetje të qëllimit të tyre për krijimin e një qeverie teknike ose të paktën largimin e Ministrit të Brendshëm Tahiri dhe ndonjë ministri tjetër.

Përballë kësaj kërkese, të gjitha forcat politike do të detyrohen të marrin qëndrime të qarta pro apo kundër qeverisë Rama--qëndrime të cilat mund të kushtëzojnë koalicionet elektorale të vitit 2017.

Po ashtu politikanët kritikë apo të lëkundur brenda forcave të tyre politike do të detyrohen të pozicionohen qartë pro ose kundër kryetarëve të tyre, si në PS ashtu edhe në PD (në LSI duket se ka unitet të plotë rreth zotit Meta). Ndërsa deri më sot, ata kanë bërë presion indirekt apo kanë marrë qëndrime të paqarta, tani do të duhet të tregojnë përfundimisht se me kë janë.

Nëse PD dhe LSI do të paraqesin mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit Rama, pozicionimi i të gjithë aktorëve të mësipërm do të jetë i pashmangshëm, duke vulosur, praktikisht, koalicionet elektorale që shumë muaj para zgjedhjeve.

Në mënyrë të veçantë, opsioni i qeverisë teknike do të pozicionojë partitë e vogla, përfshi PDIU-në dhe PDNJ-në, si dhe deputetë të caktuar të dy forcave të mëdha, përfshi deputetët Blushi, Hafizi, Selami e të tjerë.

Ky pozicionim favorizon kryetarët e PD-së dhe LSI-së, pasi ata ose do të shuajnë kundërshtitë ndaj tyre ose, në të kundërt, do të kenë kohë të mjaftueshme deri në zgjedhje, për të kuruar pasojat e ndarjeve apo braktisjeve të brendëshme politike.

Nëse LSI do t'i bashkohet herët a vonë, sikurse duket se do të ndodhë, kërkesës së PD-së për qeveri teknike dhe përpjekjeve të saj për ribalancimin e ekuilibrave politikë, koalicioni elektoral i LSI-së me PS-në do të bëhet i pamundur. Në fakt, edhe nëse PD dhe LSI nuk kanë arritur ende një marrëveshje politike për zgjedhjet e ardhshme, drejtuesit e tyre janë të vetëdijshëm se rruga ku po ecin çon drejt një koaliconi të tillë.

Bashkëpunimi i mëparshëm për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimi i mundshëm për një qeveri teknike do të shtrojnë shtratin publik për një marrëveshje të tillë, duke zbehur kritikat dhe skrupujt moralë për një ribashkim PD-LSI, me justifikimin e betejave jetike politike që kanë përballur sëbashku dhe besnikërinë që kanë treguar gjatë këtyre përpjekjeve.

Shumica e demokratëve e kuptojnë fare mirë sa e vështirë do jetë për ta të shkojnë në zgjedhje të vetëm dhe aq më tepër me kryeministër Zotin Rama. Nëse LSI ua zgjidh të dyja këto probleme, ata do "të ngrohen" me idenë e koalicionit.

E njejta gjë do të vlejë edhe për opinionin publik, i cili do të prezantohet gradualisht dhe në mënyrë të kuruar me idenë e një koalicioni PD-LSI, i cili në sfondin e degradimit të vazhdueshëm të qeverisjes Rama mund të bëhet jo vetëm i pranueshëm por edhe i dëshirueshëm.

Nga ana e saj, LSI ka për qëllim kryesor të përfitojë nga pakënaqësia në rritje e të majtëve me PS-së, ka më pak problem për të shitur koalicionin me PD-në. Anëtarët e LSI-së janë të vetëdijshëm se konkurimi më vete në zgjedhje i heq LSI-së disa deputetë të sigurtë në krahasim me konkurimin në koalicion, për shkak se sistemi zgjedhor favorizon koalicionet. Për këtë arsye, anëtarët dhe mbështetësit e saj preferojnë lehtësisht një koalicion me PD-në më mirë se daljen më vetë në zgjedhje.

Shumica e këtyre faktorë anojnë, zakonisht, andej nga anon pushteti. Bashkimi i mundshëm PD-LSI në mos do t'i orientojë shumë prej tyre drejt këtij koalicioni, mund t'i shtyjë ata të jenë neutralë apo të bëjnë lojë të dyfishtë, duke i mbështetur të dyja palët, haptazi ose fshehurazi.

Mund të duket më pak e besueshme, por koalicioni PD-LSI mund të neutralizojë edhe elementët kriminalë, në politikë dhe jashtë politike. Është fakt se një pjesë e mirë e mbështetjes për Zotin Rama në Kuvend dhe jashtë tij vjen direkt apo indirekt nga elementë kriminalë. Kjo gjë u pa qartë, kur mbas kërcënimit fillestar të Zotit Meta për qeveri teknike, Zoti Rama arriti të mobilizojë menjëherë rreth vetes të gjithë deputetët me të shkuar të njohur apo të dyshuar kriminale.

Pikërisht, një nga arsyet që PD dhe LSI kërkojnë një qeveri teknike është shmangia apo kufizimi i rolit të segmentëve kriminale në mbështetje të Zotit Rama gjatë fushatës zgjedhore dhe votimit. Po për këtë arsye, një nga kërkesat e vazhdueshme të LSI-së dhe PD-së ka qenë largimi i Ministrit Tahiri, i cili akuzohet gjerësisht si i lidhur me krimin e organizuar.

Nëse elementët kriminalë perceptojnë se shanset e Zotit Rama për t'u rizgjedhur nuk do të jenë të mira, me gjasa ata do të jenë më të rezervuar në ndërhyrje në procesin e ardhshëm zgjedhor.

Faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së, mund ta shohin lëvizjen e fundit si përpjekje për të minuar reformën në drejtësi dhe përpjekjet e tyre në këtë drejtim.

Përtej apo pavarësisht pëlqimeve personale, disa nga faktorët e huaj në Tiranë e kanë identifikuar Zoti Rama si element pro reformës në drejtësi, ndërsa PD-në dhe LSI-në si forca kundër. Në një tjetër anë, ata e konsiderojnë Zotin Rama si më bashkëpunes apo më të bindur ndaj tyre, ndërsa zotërinjtë Basha dhe Meta si të pabesueshëm dhe ta paqëndrueshëm.

Për rrjedhojë, duke qënë se lëvizja e fundit PD-LSI do të zbehë pozitën e brendëshme të Zotit Rama, ajo do të zvoglojë ndikimin e ambasadorëve të huaj dhe do mund të ngadalësojë hapat formalë të miratimit të kuadrit të mëtejshëm ligjor të reformës në dejtësi.

Për më tepër, përplasjet për qeverinë teknike do ta nxjerrin reformën në drejtësi në plan të dytë të vemendjes dhe interesit publik e politik.

Nga ana tjetër, mbështetja e brendëshme për PD-në dhe LSI-në ose të dy bashkë me gjasa do të pësojë rritje. Në kushtet e pakënaqësisë dhe zhgënjimit të madh publik me kryeminsitrin Rama, e vetmja pikë e fortë e tij mbetej perceptimi (i gabuar) popullor se ai do të fitojë sërish, se mandati i dytë i tij ishte thjesht formalitet. Tashmë, shumë persona kanë filluar të mendojnë se largimi i i Zotit Rama është shumë më i thjeshtë se sa dukej dhe mandati i dytë më i vështirë nga sa mendohej. Kjo gjë do të nxisë "migrimin" elektoral të qytetarëve nga PS tek të tjerët.

Nisur nga ky koment i fundit, vlen të thuhet së fundmi se në betejën politike që pritet të nisë, rol të madh do të ketë komunikimi publik: koalicioni PD-LSI fare mirë mund të perceptohet në publik si kthim tek një koalicion i pamoralshëm i së shkuarës, sikurse fare mirë mund të shitet si koalicioni i shpresës dhe shpëtimit nga eksperimenti fatkeq i bërjes kryeministër i aventurierit Edi Rama.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama