Olta Boka Prinderit nuk duan te fitoj para me koncerte
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Olta, një vit më parë ishit duke përjetuar emocionet e Festivalit të Këngës në Radio- Televizion? Këtë vit me çfarë po merreni?
Jam duke punuar për klipin tim të ri me titull “S’duhet të të dua”. Është një produksion i kompozitorit Adrian Hila, një baladë më e shtruar, version i dytë i “Zemrën lamë peng” dhe më pëlqen shumë si këngë dhe klipi do realizohet ose në Bullgari, ose në Rumani.
Keni marrë pjesë gjatë këtij viti në koncerte të ndryshme dhe a do të bëheni pjesë e koncerteve përsëri?
Nuk kam gjë kundër ndaj këngëtarëve që lançohen në koncerte, por prindërit e mi nuk duan, që unë të fitoj para nga koncertet.
Me çfarë po merreni tjetër?
Kam pasur oferta për album tim të ri. Por mundohem t’i hedh hapat ngadalë. Nuk dua të konsumohem.
Kjo është arsyeja përse nuk keni konkurruar këtë vit në asnjë nga festivalet që organizohen këtu?
Për momentin përpiqem të lançohem individualisht. Por asnjëherë s’dua të them kurrë. Por deri tani dua të dal ngadalë, pa u konsumuar pasi mendoj se dhe publiku këtë pret nga unë. Dua t’i bëj të më presim dhe të ndiejnë mungesën time. Tani po i kushtohem shkollës, pasi e di që do të vijë dita kur zëri të më lërë. Dëshira ime është të vazhdoj studimet për mjekësi.
Tani që ka kaluar kaq kohë, si e komenton fitoren?
Them se më kapi fati i fillestarit. Aty ishte garë emrash, jo këngësh pasi me mua konkurronin këngëtar profesionistë.
Cili është profesioni i prindërve tuaj?
Babi është këngëtar dhe këndon në tavernë. Mami është infermiere-mamie në spital.
Çfarë ke mësuar për një vit?
Kam mësuar shumë gjëra se jeta është shumë e vështirë.
Ju kontrollojnë prindërit?
Jam e pavarur nga prindërit sidomos në mendime, sepse ata më vlerësojnë shumë.
Çfarë tipi është Olta në jetën e përditshme?
Pas daljes në festival mund të them se nuk jam tipi i mendjemadhes, po pata dëshirë të shkoj në pub, shkoj. Nuk i frekuentoj shpesh bar-kafenetë. Jam me këmbë në tokë dhe ndjehem mirë kështu siç jam.
Olta si 17-vjecare
Një 17-vjeçare çfarë është?
Përpiqet të përzgjedhë të mirat dhe të këqijat.
Ku ndryshon ti nga 17-vjeçaret?
Edhe pse e ndiej veten disi të distancuar nga kjo moshë, përpiqem t’i bashkohem rrjedhës.
E dënon veten për gabimet që mund të kesh bërë?
Nuk pendohem për gabimet që kam bërë, pasi çdo gabim më ka vlejtur.
Iu beson njohjeve në distancë?
Jo, pasi dua të jem e sigurt për njerëzit që flas dhe që njoh.
Ju pëlqejnë njohjet e reja?
Nuk jam kundër njohjeve të reja.
Je e dashuruar?
Jo, ende. Nuk bëj dot plan për këtë, por e pres dashurinë kurdo që të vijë.
PanoramaPlus