OSS Amerika ishte pas Enver Hoxhes

OSS, Amerika ishte pas Enver Hoxhës
Gjithçka do të niste nga një foto që Lucas pa në librin "Fitorja e hidhur" e Reginald Hibert. Në krah të Enver Hoxhës, gjatë një shëtitjeje në Tiranën e porsaçliruar, ai sheh agjentin Tom Stefan dhe menjëherë do t‘i lindë pyetja se "çdo një amerikan në krah të Hoxhës?"

Kjo pyetje do ta bënte Lucas të niste hulumtimet për të zbuluar më pas misionin OSS në vendin tonë. Ai ra fillimisht në gjurmët e njërit prej agjentëve të OSS-së në Shqipëri, Nik Kukiç, i cili kishte shërbyer nën drejtimin e Tom Stefanit dhe tani, i moshuar, jetonte në shtetin Delauer. Pas intervistave me të, Lucas mundi të gjejë dhe të intervistojë edhe 3 anëtarë të tjerë të atij misioni në Shqipërinë e kohës së luftës, të fundit dëshmitarë të kësaj historie kurioze, të cilët, edhe ata të moshuar, jetonin tashmë në Florida, në Merilend dhe në Masaçusets. Në të njëjtën kohë, Lucas filloi të shfrytëzojë ekskluzivisht dokumentacionin shumë të pasur lidhur me misionin e OSS-së në Shqipëri, i cili ruhet dhe është tashmë i hapur për publikun në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Kolegj Park të Merilandit.

Dr. Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA, dhe autor i parathënies së këtij libri botuar në shqip nga "Bota shqiptare", tregon në një intervistë më poshtë diçka më tepër për këtë mision. Cili ishte roli i vërtetë i amerikanëve në Shqipëri dhe si depërtuan ata deri pranë Enver Hoxhës….


Dr. Tarifa, vitet e fundit shumë të huaj, gazetarë, historianë, apo qoftë edhe thjesht njerëz të pasionuar ndaj historisë, kanë shkruar për vendin tonë. Tani Peter Lucas, një gazetar i njohur amerikan, vjen e na sjell në një libër historinë e panjohur të shërbimit OSS në Shqipëri? Nga ndryshon këndvështrimi i Lucas nga ai i të tjerëve për vendin tonë dhe çfarë të vërtete sjell ky libër?


Libri i fundit nga Peter Lucas, që lexuesi shqiptar ka marrë këto ditë të përkthyer në shqip, përbën një kontribut të çmuar për historiografinë shqiptare të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Duke pasur nderin të kem shkruar parathënien e tij për botimin anglisht, unë dëshiroj, me këtë rast, të them diçka për këtë libër, për rëndësinë e tij dhe për autorin e tij, që s‘i kam thënë në atë parathënie. Këtu marr shkas nga vetë pyetja juaj. Nga ndryshon këndvështrimi, përmes të cilit Peter Lucas ka trajtuar temën e luftës në këtë libër? Lucas është i pari autor deri më sot, i cili ka trajtuar si një subjekt të veçantë angazhimin amerikan në Shqipëri gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Autorë të tjerë kanë shkruar për misionin anglez, por misioni amerikan i Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS) në Shqipëri gjatë periudhës së luftës ka qenë, deri në botimin e këtij libri, një histori thuajse krejtësisht e panjohur, jo vetëm për autorin e këtyre radhëve dhe shumë shqiptarë të tjerë, por edhe për vetë autorin e librit.

Me sa di unë, ideja origjinale e z. Lucas ishte të shkruante një libër për figurën e Enver Hoxhës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në vitet e para pas çlirimit, kur ai mori në dorë dhe konsolidoi me grusht të hekurt pushtetin e tij komunist autoritar. Këtë subjekt, Lucas mendonte ta hulumtonte dhe ta shtjellonte duke u mbështetur në dëshmitë që shpresonte të mblidhte, e duke intervistuar në Shqipëri personalitete e individë që e kishin njohur personalisht Enver Hoxhën gjatë luftës dhe më vonë. Kjo, mbaj mend ta kem dëgjuar prej tij, nuk ishte një punë e lehtë, pasi shumë nga njerëzit që kishin qenë pranë Hoxhës në atë periudhë nuk jetonin më, ndërsa ata që ishin dhe janë akoma gjallë nuk e kishin njohur atë nga afër. Kur, në punë e sipër, Lucas ndeshi në emrin dhe fotografinë agjentit të OSS-së, Tom Stefan, në librin "Lufta Nacionalçlirimtare në Shqipëri: Fitorja e hidhur", shkruar nga historiani dhe diplomati i njohur anglez Reginald Hibert, plani i tij studimor ndryshoi rrënjësisht. Siç më ka thënë më vonë Lucas, konstatimi i këtij fakti ishte shokues për të. "Ç‘bënte ky shqiptaro-amerikan në Shqipëri në atë kohë? Pse marshonte ai në rrugët e Tiranës së porsaçliruar në krah të Enver Hoxhës?" - ishin pyetjet që u bënë më vonë filli i një lëmshi të komplikuar, të cilit Lucas i shkoi deri në fund. Ajo foto e agjentit Tom Stefan shërbeu, mund të thuash, si një "fosile gjeologjike", e cila e orientoi gazetarin veteran Peter Lucas të zbulonte enigmën e madhe të angazhimit amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lucas hoqi dorë nga projekti i tij i mëparshëm për të nisur një projekt të ri, përshkrimin e veprimtarisë së misionit të OSS-së amerikane në Shqipëri gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe marrëdhëniet e tij me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane shqiptare të udhëhequr nga Enver Hoxha përmes dëshmitarëve dhe dokumenteve autentike amerikane.

Pas disa udhëtimeve në Shqipëri, Lucas u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe iu vu punës për të gjetur fillin e atij lëmshi të komplikuar të misionit të OSS-së Shqipëri. Ai ra fillimisht në gjurmët e njërit prej agjentëve të OSS-së në Shqipëri, Nik Kukiç, i cili kishte shërbyer nën drejtimin e Tom Stefanit dhe tani, i moshuar, jetonte në shtetin Delauer. Pas intervistave me të, Lucas mundi të gjejë dhe të intervistojë edhe 3 anëtarë të tjerë të atij misioni në Shqipërinë e kohës së luftës, të fundit dëshmitarë të kësaj historie kurioze, të cilët, edhe ata të moshuar, jetonin tashmë në Florida, në Merilend dhe në Masaçusets. Në të njëjtën kohë, Lucas filloi të shfrytëzojë ekskluzivisht dokumentacionin shumë të pasur lidhur me misionin e OSS-së në Shqipëri, i cili ruhet dhe është tashmë i hapur për publikun në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Kolegj Park të Merilandit.

Kjo është gjeneza e këtij libri; rëndësia e tij është shumëplanëshe, por unë do mjaftohem këtu të theksoj se ky është i pari libër i shkruar nga një autor amerikan, apo çfarëdo autor tjetër, për misionin e OSS-së në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo është e para herë që ne mësojmë në mënyrë të detajuar dhe të dokumentuar më së miri mbi aktivitetin dhe rolin e këtij misioni në Shqipëri. Kjo është e para herë që lexuesit (shqiptarë dhe të huaj) informohen se amerikanët ishin të pranishëm në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, se ata, qysh nga fillimi, mbështetën ushtrinë partizane të udhëhequr nga Partia Komuniste, si edhe për rolin instrumental që misioni i tyre ka luajtur në ndihmë të përpjekjeve të ushtrisë partizane për mposhtjen e ushtrisë naziste dhe çlirimin e vendit. Përveç dëshmive sporadike të disa autorëve anglezë, kjo është hera e parë që ne mësojmë mbi të vërtetën e pjesëmarrjes dhe të qëndrimit të misionit të OSS-së në Shqipëri, i cili ishte qëndrimi zyrtar i Uashingtonit, si një fuqi e madhe aleate e popullit shqiptar gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Peter Lucas është gjithashtu i pari autor, prej të cilit mësojmë se në përbërje të misionit të OSS-në Shqipëri kishte jo vetëm amerikanë, por edhe shqiptarë e amerikanë, të cilët Lucas, në një komunikim personal me autorin e këtyre radhëve, i ka quajtur "Albmericans". Sipas tij, vetë personazhi kryesor i librit të tij, Tom Stefan, mund të konsiderohet si një hero i panjohur dhe i pavlerësuar.


Dokumentacioni i pasur, të cilit Peter Lucas i referohet, sjell një mënyrë tjetër të të parit të misionit amerikan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Cili, sipas jush, ishte roli i vërtetë i SHBA-së në atë periudhë në vendin tonë?


Kur Lucas nisi të eksplorojë "misterin" e angazhimit amerikan në Shqipëri përmes veprimtarisë së OSS-së, ai nuk kishte as më të voglën ide se në ç‘drejtim do e çonin kërkimet e tij, në ç‘labirinte të historisë do ta fusnin atë radiogramet që dërgonte në Uashington Qendra e Misionit të OSS-në Shqipëri, e cila operonte nga Bari nën drejtimin e Harri Fulcit. Këto dokumente, të cilat Lucas i ka shfletuar një për një në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe i ka sintetizuar mjeshtërisht në librin e tij, hedhin dritë për herë të parë në këtë kapitull, deri dje të panjohur të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Në kohën kur Lucas kërkonte në arkivat kombëtare amerikane në Meriland, unë shërbeja në Uashington dhe më kujtohet, kur takohesha me të mbrëmjeve, se me ç‘pasion dhe kuriozitet më fliste ai për dokumentet që zbulonte dita-ditës në arkivat amerikane, duke më dhënë herë pas here të lexoja kopje të tyre. Siç më thoshte Lucas në atë kohë, ai i hyri studimit të kësaj teme pa ditur se çfarë do të gjente dhe ku do e shpinin kërkimet e tij dhe se çdo dokument i ri që nxirrte nga "pluhuri" 60-vjeçar i arkivave të superfuqisë së vetme ishte një gur që ai filloi ta vinte pak e nga pak në monumentin e ngjarjeve epike që ai përshkruan.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se me madhësinë territoriale dhe demografinë e saj Shqipëria nuk mund të ishte një faktor shumë i rëndësishëm në luftën flobale kundër fashizmit dhe nazizmit në fillim të viteve 1940. Sidoqoftë, për aq sa Shqipëria mund të kontribuonte në këtë përpjekje të përbashkët të forcave antifashiste dhe liridashëse, ajo zgjoi në atë kohë interesimet e qeverisë britanike dhe asaj amerikane, të cilat dërguan në Shqipëri misionet e tyre, SOE (Special Operations Executive) dhe OSS (Office of Strategic Services), përkatësisht. Anglezët mbërritën në Shqipëri të parët, amerikanët erdhën këtu në fund të vitit 1943. Amerikanët ishin të interesuar të mos mbanin anën e asnjë prej forcave politike shqiptare gjatë kohës së luftës. Sidoqoftë, misioni i tyre ishte që të ndihmonin vetëm atë apo ato forca politike shqiptare që ishin efektivisht të angazhuara në luftë kundër nazistëve gjermanë. Në fund të vitit 1943 nuk kishte asnjë dyshim se ushtria partizane, e udhëhequr nga PKSH-ja ishte e vetmja forcë politike e angazhuar seriozisht në operacione ushtarake kundër divizioneve gjermane të dislokuara në Shqipëri. Organizatat e tjera, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, sipas vetë dokumenteve amerikane, kishin kohë që u kishin kthyer krahët interesave kombëtare të vendit dhe bashkëpunonin hapur me pushtuesit nazistë. Në këto kushte, amerikanët, ndryshe nga anglezët përpara tyre, ishin të detyruar të mbanin anën e ushtrisë partizane dhe të bashkëpunonin me shtabin e saj, në krye të të cilit ishte Enver Hoxha. Kjo, siç argumenton më së miri Lucas në librin e tij, nuk përbën një revizionim të historisë, por provon në mënyrë të dokumentuar të vërtetën e saj.

Faktet e shumta dhe dokumentacioni jashtëzakonisht i pasur që sjell Lucas në librin e tij (i gjithi dokumentacion i shkruar nga vetë amerikanët), u heqin çdo legjitimitet pretendimeve që mund të kenë disa se kjo nuk është e vërteta historike dhe se Lucas mund t‘u ketë bërë një interpretim të njëanshëm ngjarjeve për të cilat shkruan, rolit të Ballit dhe të Legalitetit gjatë luftës, marrëdhënieve midis misionit të zyrës amerikane të shërbimeve strategjike dhe Enver Hoxhës e vetë rolit të misionit të OSS-së në Shqipëri. Një vlerë shumë e rëndësishme dhe një meritë e padiskutueshme e këtij libri është pikërisht objektiviteti me të cilin autori i tij, Peter Lucas, ka përshkruar sagën e marrëdhënieve të misionit amerikan me ushtrinë partizane shqiptare dhe komandantin e saj.

Edhe pse Lucas nuk është historian, libri i tij është jashtëzakonisht mirë i dokumentuar dhe për çdo informacion dokumentar të rëndësishëm lexuesit i jepet burimi primar nga është marrë ai informacion. Si një gazetar i njohur, i cili për më shumë se tri dekada me radhë ka raportuar me vërtetësi ngjarje nga më të rëndësishmet të periudhës së Luftës së Ftohtë ― nga Saigoni gjatë kohës së luftës në Vietnam, nga Belfasti gjatë trazirave në Irlandën e Veriut, nga Managua në kohën që Uashingtoni mbështeste forcat guerilase Contras për të rrëzuar qeverinë e Nikaraguas, nga El Salvadori, Panamaja, Kuba dhe Shqipëria përpara përmbysjes së regjimit komunist, Peter Lucas ka ditur ta përshkruajë me vërtetësi një periudhë historike dhe një episod shumë të rëndësishëm në epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në atë periudhë, të sintetizuara në këtë libër në marrëdhëniet e shefit të misionit të OSS-së në Shqipëri me liderin komunist Enver Hoxha. Edhe pse ky i fundit, vazhdimisht në shkrimet e tij dhe në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që u shkrua në kohën e sundimit të tij, është përpjekur të minimizojë, të nënvleftësojë apo edhe të mohojë kontributin amerikan në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit të luftës, dokumentacioni shumë i pasur që sjell në këtë libër Peter Lucas nxjerr në dritë një tjetër realitet, të cilin e ilustrojnë më së miri, madje edhe vetë marrëdhëniet shumë të ngushta të Enver Hoxhës me shefin e misionit të OSS-së, Tom Stefan.


Shumë të huaj e kanë portretizuar ish-diktatorin Hoxha. Si e shihni ju portretin që ka bërë për të Peter Lucas? Po atë të Mehmet Shehut?


Nga të gjitha përshkrimet që u janë bërë deri më sot, kryesisht nga autorë anglezë, portreteve të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut gjatë periudhës së luftës, mendoj se portretet që ravijëzon për ta Peter Lucas janë më të besueshmit. Veçanërisht portreti i Hoxhës, për mendimin tim, përshkruhet në mënyrë shumë realiste, për shkak se peneli me të cilin Lucas e ka "punuar" atë ka marrë ngjyrat autentike me të cilat e ka përshkruar liderin e komunistëve shqiptarë gjatë luftës Tom Stefan, i cili, në cilësinë e shefit të misionit të OSS-së në Shqipëri, e ka njohur Enver Hoxhën për një kohë shumë më të gjatë dhe më nga afër se çdo agjent tjetër anglez, rus apo amerikan; ka qëndruar pranë tij dhe është miqësuar me të më shumë se çdo individ tjetër i huaj. Fakti që Tom Stefan ishte vetë shqiptar e bën edhe më të besueshëm portretizimin prej tij të një figure të tillë si Enver Hoxha. Lucas i ka qëndruar besnik modelit të Enver Hoxhës që ka dhënë Tom Stefan, duke e përshkruar më mirë se çdo autor tjetër që ka shkruar për portretin e tij.


Cilat kanë qenë marrëdhëniet e misionit të OSS-së me Enver Hoxhën? Për çfarë i kanë shërbyer ata njëri-tjetrit? Përse, sipas jush, OSS-ja mundi të ishte më afër zemrës së kreut të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha, ndërsa misione të tjera të fuqive aleate në Shqipëri gjatë kohës së luftës nuk mundën të depërtonin aq pranë tij?


Siç vura në dukje më sipër dhe siç argumentoi më së miri Peter Lucas në librin e tij, mbështetur në dëshmitë autentike të misionit amerikan, Shtetet e Bashkuara ishin të interesuara të ndihmonin vetëm atë apo ato forca politike në Shqipëri që ishin të angazhuara seriozisht në luftë kundër nazistëve. Uashingtoni shihte te Lëvizja Nacionalçlirimtare të vetmen forcë politike serioze që u kishte kthyer armët pushtuesve nazistë dhe, për këtë arsye, udhëzoi zyrën e shërbimeve strategjike të lidhej me të dhe të ndihmonin formacionet e ushtrisë partizane. Bashkimi Sovjetik, nga ana e tij, kishte atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane vetëm dy oficerë dhe nuk ofroi kurrë ndihmë në municione dhe material. Anglezët dhe amerikanët ofruan ndihma të tilla dhe sidomos mbështetje logjistike, por ndërsa anglezët i atashuan anëtarët e misionit të tyre jo vetëm pranë Shtabit të Enver Hoxhës, por edhe pranë Abaz Kupit e Ballit Kombëtar dhe i braktisën këta të fundit për t‘u lidhur vetëm me Shtabin e Ushtrisë Partizane në fund të luftës, kur u pa se Hoxha do të triumfonte mbi dy organizatat e tjera, të cilat ndërkohë bashkëpunonin hapur me pushtuesit nazistë, amerikanët u lidhën qysh në fillim me Shtabin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, si e vetmja forcë politike, e cila qëndroi nga fillimi në fund në krahun e drejtë të luftës. Shtetet e Bashkuara nuk mbështetën në Shqipëri asnjë forcë tjetër politike veç Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Lucas bën të qartë jashtë çdo dyshimi se Enver Hoxha nuk i besonte askujt. Ai i urrente anglezët, ndërsa amerikanët i shihte gjithnjë me dyshim. Për të, madje, nuk bënte kuptim as fakti që Tom Stefan dhe anëtarë të tjerë shqiptaro-amerikanë të misionit të OSS-së në Shqipëri i shërbenin Amerikës dhe nuk luftonin për Shqipërinë në ushtrinë që komandonte ai.


Për çfarë i vlejti OSS-së gjithë ky angazhim? Përse Shqipëria ishte për amerikanët një pikë strategjike?


Duke shfrytëzuar dokumentet amerikane të kësaj periudhe, Lucas bën të qartë se Shtetet e Bashkuara ishin të interesuara që Shqipëria të mbetej një teatër lufte për ushtrinë naziste në Ballkan, ndërkohë që Amerika përgatitej të zbarkonte në Itali. Duke mbështetur ushtrinë nacionalçlirimtare me inteligjencë, municione dhe materiale, Uashingtoni synonte të mbante të angazhuara në Shqipëri dy divizione gjermane, të cilat pa rezistencën dhe përleshjet e formacioneve të ushtrisë partizane shqiptare do t‘u kishin ardhur në ndihmë forcave naziste në Itali. Kjo do të thotë se përkrahja amerikane për ushtrinë partizane shqiptare ishte sa e principtë, pasi partizanët ishin të vetmit që luftonin ushtrinë naziste, aq edhe pragmatike, pasi lufta partizane u shërbente drejtpërsëdrejti interesave amerikane për të shkatërruar makinën ushtarake naziste dhe për t‘i dhënë fund luftës në Evropë. Qëndrimi amerikan ndaj Shqipërisë dhe Enver Hoxhës pas luftës dëshmon më së miri se përkrahja amerikane për "të kuqtë", siç i cilësonte Lucas partizanët shqiptarë në titullin e dorëshkrimit të këtij libri, nuk ishte aspak mbështetje për ideologjinë dhe synimet politike të Enver Hoxhës.


Nga këndvështrimi i një sociologu dhe studiuesi të shkencës politike, përse, sipas jush, Enver Hoxha vendosi të ndërpriste lidhjet me miqtë e tij të OSS-së, duke pasur parasysh këtu mikun e tij gjatë Luftës Nacionalçlirimtare Tom Stefan? Dhe ç‘mendoni ju për portretin e këtij të fundit, rolin e tij në zhvillimet shqiptare të asaj periudhe?


Enver Hoxha ishte një komunist doktrinar dhe dogmatik, por ai ishte njëherësh një individ i etur për pushtet, në emër të të cilit bënte çdo gjë. Siç ka theksuar vetë Hoxha në kujtimet e tij "Me Stalinin", botuar në vitet e fundit të jetës së tij, ai e adhuronte Bashkimin Sovjetik të kohës së Leninit dhe të Stalinit, ai i quante këta liderë bolshevikë "kapitenë të mëdhenj të revolucionit" dhe në tërë jetën e aktivitetit të tij pas çlirimit të vendit provoi se ishte më stalinist se vetë Stalini dhe po aq i pamëshirshëm ndaj kundërshtarëve të tij politikë sa edhe ai. Pas mbarimit të luftës, Enver Hoxha do të bënte ç‘ishte e mundur të mbante në duart e tij pushtetin politik në Shqipëri, gjë që ai e arriti duke forcuar pushtetin e tij personal mbi Partinë Komuniste dhe mbi ushtrinë. Siç vë në dukje me të drejtë Lucas në librin e tij dhe siç kam theksuar unë në parathënien që kam shkruar për të, Enver Hoxha e dinte fare mirë qysh nga fillimi se ai që ka nën kontrollin e tij Partinë Komuniste ka nën kontroll ushtrinë dhe ai që kontrollon ushtrinë ka nën kontrollin e tij pushtetin dhe të ardhmen e vendit. Miqësia me Amerikën, demokracinë më të madhe të botës, nuk i shërbente dhe nuk i duhej Enver Hoxhës për të forcuar pushtetin e tij personal në Shqipëri. Amerika, përkundrazi dhe natyrshëm, do të ishte e interesuar që në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhje demokratike dhe që vendi të organizohej e zhvillohej si një shtet demokratik. Ky vizion nuk ishte vizioni i Enver Hoxhës, edhe pse për dekada me radhë ai u mundua të krijonte përshtypjen se Shqipëria ishte një "demokraci popullore" e vërtetë. Modeli sovjetik dhe ai kinez ishin për Enver Hoxhën më të përshtatshëm se modeli amerikan apo ai i demokracive liberale të Perëndimit, pasi në një model si ai i Moskës apo i Pekinit autoriteti i tij nuk mund të kontestohej.

Më lejoni, në mbyllje të kësaj interviste, të informoj publikun se ngjarjet e këtij libri të shkruar nga Peter Lucas do të ekranizohen së shpejti në një film artistik, regjinë e të cilit e ka marrë përsipër regjisori i njohur amerikan me origjinë shqiptare, Sten Dragoti. Po kështu, nisur nga interesimi që ka ngjallur ky libër në Shtetet e Bashkuara, Peter Lucas po e rishkruan subjektin e tij në formën e një romani, i cili do të botohet në SHBA. Lucas do të jetë në Tiranë gjatë javës së fundit të prillit, për të marrë pjesë në promovimin e këtij libri në gjuhën shqipe.

Nga Gazeta shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama