O Zot paskam ardhur ne Mesjete!

'O Zot, paskam ardhur ne Mesjete!'
Komente therrëse, dëshmi të pamëshirëshme, madje denigruese në disa raste. Këto do të lexoni më poshtë në ditaret e zbardhura të oficerëve britanikë, në lidhje me qëndrimin në Shqipëri dhe marrëdhëniet me vendasit.

Kapiteni J.Hibberdine - Ditari Personal, Shënimi: 23. shkurt 1943

“Sa i lumtur do të isha nëse do të rikthehesha përsëri në botën e civilizuar. Të kisha mundësi që të bëja një banjë me ujë të ngrohtë si dhe të lahesha kur të doja, të isha midis njerëzve të cilët ti ju ke besën, të ulesha në karrige dhe jo përtokë, të haja ushqim të gatuar për sëmbari dhe të shërbyer në mënyrë të kulturuar dhe jo të rrethohem nga pisllëku, qelbësirat dhe njerëzit pa edukatë. Dy muaj në këtë vend, janë sa për dy vjet në shërbim jashtë vendit.

Nuk është se po bëjmë diçka të dobishme apo nëse kemi mundësi të bëjmë. Ka kaq shumë pak mirënjohje në këtë vend, saqë këta njerëz e kanë të vështirë të besojnë se dikush mund të vijë që nga ana e anës për t’i ndihmuar dhe meqenëse nuk gjejnë asnjë motiv për prezencën tonë këtu, janë shumë dyshues për ne. Duke mos pasur asnjë besë tek njëri-tjetri, janë të paaftë për të luftuar pasi kanë dyshime se sapo të fillojë beteja, secili do ja mbathë duke e lënë tjetrin në baltë. Janë mendjemëdhenj dhe mburravecë, duke mos pasur asnjë arsye të jenë të tillë.Nuk kanë kurajë, këmbëngulje, vazhdimësi dhe ju mungon sensi i nderit.Janë si fëmijë, dhe si të tillë zihen me njëri-tjetrin. Qeshin vetëm me fatkeqësitë e të tjerëve dhe me siguri që do të vdisnin së qeshuri nëse ndonjëri nga ne do të rrëzohej në greminë. Është një fatkeqësi e madhe që një vend kaq i bukur nuk banohet nga një racë më e civilizuar”.

Për një kohë të gjatë kemi botuar një seri dokumentesh të cilat vijnë nga Arkivi i Deklasifikuar i Shërbimit Sekret Britanik SOE, që hedhin dritë mbi ngjarjet në Shqipërinë e luftës parë nga këndvështrimi anglez.Pasazhi që botojmë sot, i shkëputur nga një prej fletëve të ditarit personal të kapitenit britanik, Hibberdine është një reflektim personal i një prej oficerëve anglezë që ishin parashutuar në Shqipërinë e Veriut dhe si i tillë, nuk bën pjesë në dokumentacionin zyrtar të SOE.

Megjithëse nuk është një dokument zyrtar nga ku mund të analizojmë ngjarje të cilat kanë të bëjnë me politikën britanike të kohës, përsëri ditari i kapitenit Hibberdine apo ditarët e tjerë të oficerëve anglezë përmbajnë të dhëna shumë interesante të cilat flasin mbi jetën e misioneve britanike në Shqipëri.Në arkivin e SOE ndodhen një sërë ditarësh personalë të oficerëve britanikë që punuan dhe jetuan në Shqipëri.Të konfiskuara nga shërbimi sekret si një shkelje e disiplinës ushtarake në terren, mbajtja e ditarëve personalë ishte rreptësisht e ndaluar pasi ato mund të binin në dorën e armikut.Por mesa duket, shumica e oficerëve anglezë kanë mbajtur ditarë personalë.

Nga këta ditarë të cilët nuk janë të botuar, por gjenden në arkivin e SOE, mësojmë shumë mbi jetën dhe aktivitetin e oficerëve të misioneve britanike, të cilët kanë shënuar me imtësi copëza nga jeta e tyre në malet shqiptare. Ditarët personalë të një numri të madh oficerësh anglezë reflektojnë jetën e tyre midis shqiptarëve, problemet e përditshme që misionet ndeshnin në terren si dhe reflektime mbi çështjet politike të fraksioneve në vend.

Ditarët personalë janë një dritare nga ku mund të shikohet Shqipëria e kohës nën syrin e oficerëve britanikë, me të gjitha paragjykimet apo vlerësimet e tyre.Sigurisht që këta ditarë reflektojnë mendimet personale të autorëve të tyre, por megjithatë ato janë një burim i rëndësishëm për të kuptuar pikëpamjet e misioneve britanike.Ditarët personalë të oficerëve britanikë ndryshojnë shumë si në përmbajtje, si në vlerësimet për shqiptarët.Në përgjithësi, oficerët britanikë ishin të ndarë në opinionet e tyre mbi çështjen politike, por edhe mbi simpatitë për shqiptarët në varësi të kampeve ku ishin vendosur.

Billi Tilman, një prej britanikëve më të famshëm të dërguar në Shqipëri, alpinist me reputacion ndërkombëtar dhe një prej anglezëve të parë që tentuan të ngjisnin malin Everest pa oksigjen, vendosur tashmë në zonën e Sheperit, në ditarin e tij është mjaft i balancuar, duke shkruar shpesh se oficerët britanikë kanë ardhur për luftë dhe nuk duhet të përzihen në çështjet politike në Shqipëri. Sipas mendimit të Tilman, britanikët duhej të mbështesnin partizanët, të cilët ishin të vetmit formacion i organizuar që rezistonin trupat gjermane.

Peter Kemp, një ish-luftëtar i trupave frankiste në Spanjë, i cili kishte luftuar personalisht kundër komunistëve dhe republikanëve spanjollë, ishte një kundërshtar i rreptë i mbështetjes së partizanëve, duke reflektuar në ditarin e tij se britanikët nuk mund të mbështesnin ardhjen e komunistëve në pushtet dhe si rrjedhim, duhej të mbështesnin mbretërorët e Kupit. Oficerë të tjerë pa ngjyrime politike si Jerry Field, i vendosur në Dukat të Vlorës, i cili pas një eksperience të shkurtër midis shqiptarëve të këtyre zonave dhe situatës politike mjaft të komplikuar që i duhej të përballonte, u tërhoq nga misioni i tij dhe i zhgënjyer në kulm shkruan komente mjaft therëse dhe negative mbi shqiptarët që ndeshi gjatë periudhës së aktivitetit te tij.

Megjithëse dokumentacioni i tij është i mbushur me mjaft detaje interesante mbi zonën pro balliste të Dukatit dhe pro partizane të Tragjasit apo mbi personat e Bregut, i vetmuar diku në Malet e Llogarasë, oficeri britanik Jerry Field, shkruan: “Ky vend që e ka harrur edhe Zoti, ky vend i egër”.

Disa prej personazheve kryesore të misioneve britanike në Shqipëri, si David Smiley apo Bill Maclean e Julian Amery kanë botuar libra me shënime mbi eksperiencën e tyre shqiptare. Misionet britanike dhe puna e tyre njihen në përgjithësi prej këtyre shënimeve dhe shumë pak prej librave të Bill Tilman apo Reginalt Hibert, ku megjithatë opinioni britanik është i ndarë në këndvështrimin e ngjarjeve politike në vend. Por, në arkivin e SOE britanike ndodhen mbi 30 ditarë personalë të oficerëve britanikë në Shqipëri ende të pa studiuar apo të pabotuar, të cilët mund të hedhin dritë në një mori ngjarjesh së atyre kohëve. Midis dokumenteve të SOE mbi Shqipërinë, një rëndësi të madhe kanë edhe ditarët personalë të ushtarakëve anglezë, të cilët plotësojnë pamjen e angazhimit britanik në luftën e madhe në Shqipëri.

Në analizën që historia dhe historianët duhet të bëjnë mbi angazhimin e misioneve britanike në Shqipëri duhet pasur parasysh edhe faktori i rëndësishme i eksperiencave personale të shumicës së oficerëve anglezë, të cilët nga realiteti i ashpër që përballeshin çdo ditë, nxirrnin edhe konkluzionet për rekomandimet për Zyrën e SOE në Kajro apo më vonë në Bari.Ja se si shkruan një prej këtyre oficerëve për situatën që ai ndeshte në zonën e Dibrës:

Majori Richard Ridell

“Krahina e Dibrës është nën anarkinë e plotë të pushtetit të krerëve të fiseve. Rreth një duzinë prej tyre kontrollojnë këtë krahinë, secili duke pasur sferën e vet të influencës, por duke u përpjekur që të intrigojnë në zonën e influencës së fqinjëve të tyre. Vetëmburrja mbi rëndësinë e pasurisë që kanë dhe influencën e tyre tek banorët, janë pikat kryesore të politikës së tyre.Flasin shumë mbi patriotizmin, por është shumë e vështirë të gjesh edhe një gjurmë të saj në praktikë.Çdo dibran betohet se është i gatshëm të luftojë kundër gjermanëve dhe me fjalë të mëdha thekson patriotizmin e tij si dhe aktet e mëdha që ka bërë familja e tij në të kaluarën.Sigurisht që këto akte janë të ekzagjeruara, deri në absurditet. Ai do të të japë një numër mbi mbështetësit e tij si dhe thotë se çdo njeri nën influencën e tij është i gatshëm për ta ndjekur. Shifra si 2000 mbështetës na jepen shpesh dhe më vonë kemi parë se kjo shifër është reduktuar tek jo më shumë se 50 vetë. Sigurisht që me numrat e ekzagjeruara shpreson që të marrë ndihma nga britanikët…

Thuhet se ta thërrasësh një shqiptar tri herë O dibran, është fyerja më e madhe në vend. Ne nuk e kemi parë në praktikë këtë gjë, por e besojmë plotësisht të jetë e vërtetë. Ne do të ishim mjaft të fyer nëse dikush do të sugjeronte se edhe ne ishim dibranë, por kjo fyerje do të qëndronte edhe sikur dikush të sugjeronte se ne ishim si të gjithë shqiptarët e tjerë. Këta (shqiptarët shën ynë), ndërtojnë një reputacion kolosal mbi mikpritjen e tyre dhe të thonë se deri sa je nën mbrojtjen e tyre dhe në shtëpinë e tyre, ti dhe gjërat e tua janë të sigurta, majori Ridell mund të japë raste të shumta kur sendet e tija personale janë vjedhur gjatë qëndrimit në shtëpi dibrane. Çfarë mikpritje ekziston, është vetëm interesi i prijësit të fisit që është me ty, i cili mendon se prania jonë do t’i shërbejë interesit të tij. Kur ne jemi në ndjekje nga gjermanët dhe pa mbrojtjen e fisit, çdo fshatar na mbyll derën dhe mund të na vrasë nëse ne nuk ikim menjëherë”.

Shkrimi i mësipërm, i cituar nga dokumentacioni personal i majorit Richard Ridell, i cili operonte në zonën e Dibrës, është i mbushur me fjalë mjaft therëse mbi realitetin shqiptar me të cilin ai ndeshej përditë. Sigurisht që për oficerët britanikë të cilët vinin nga një tjetër kulturë dhe botëkuptim shumë i ndryshëm nga mentaliteti oriental ballkanik i maleve shqiptare, ishte i pajustifikueshëm.Përplasja kulturore e britanikëve dhe shqiptarëve duhet të ketë qenë një nga problemet kryesore të moskuptimit midis misioneve britanike dhe lidershipit lokal shqiptar mbi shumë çështje të rëndësishme të luftës.

 Ndërsa oficerët britanikë që operonin në zonat e kontrolluara nga partizanët e kishin detyrën disi më të lehtë, pasi në një farë mënyre misioni për të cilin ata kishin ardhur ishte lufta kundër gjermanëve, oficerët e tjerë që ishin vendosur në Veri apo më në Qendër të Shqipërisë e kishin shumë të vështirë të orientoheshin në konjukturat dhe interesat lokale të prijësve tradicionalë. Për britanikët ishte shumë e vështirë të kuptonin se përse fiset e veriut nuk ishin të gatshëm të luftonin trupat alpine gjermane, të cilët ishin mjaft aktivë në ato zona.Por, pyetjes se përse fiset veriore të Shqipërisë duhej të ngriheshin me armë kundër gjermanëve, britanikët nuk i dhanë një shpjegim logjik i cili të ishte në interesin e malësorit shqiptar. Për malësorët shqiptarë, gjermanët nuk përbënin ndonjë ndryshim nga ato dhjetëra ushtri të cilat kishin kaluar në ato vise duke i lënë të lirë ata që të administronin jetën dhe pasurinë e tyre.

 Po ashtu, gjermanët përbënin një forcë të rëndësishme e cila në një farë mënyrë ndalonte çfarëdolloj kërcënimi sllav në Veriun shqiptar, dhe në këtë mënyrë ata ishin një lloj aleati i pashpallur i interesave shqiptare ndaj synimeve serbe.Gjermanët nuk kishin dashur dhe as kishin pretenduar të ndërhynin në jetën dhe ligjet e maleve dhe nuk përbënin asnjë kërcënim për traditat malësore.Përse atëherë këta malësorë duhej që të ngriheshin me armë kundër një ushtrie shumë më të fortë dhe të përgatitur se fiset shqiptare?Çfarë garantonin dhe çfarë sillnin për malësorët shqiptare misionet ushtarake britanike? Nëse e bënin këtë hap, i cili do t’i përfshinte ata në një konflikt që do të rrezikonte seriozisht jetën dhe pasurinë e tyre, atëherë duhej që të kishin një kauzë shumë të rëndësishme dhe Britania duhej të ishte garantuesja e kësaj kauze. Por, nga dokumentacioni i SOE dhe Ministrisë së Jashtme britanike, ne e kemi mjaft të qartë se politika angleze nuk kishte asnjë synim për të mbështetur ndryshime thelbësore në shoqërinë shqiptare apo pretendime territorial në favor të Shqipërisë. Për këtë arsye, misionet britanike nuk kishin me vete një armë morale të fortë e cila do të motivonte malësorin shqiptar, që në kundërshtim me instinktin e tij shekullor, t’i bashkangjitej një fuqie të madhe kundër një fuqie tjetër.

 Malësori i orientuar nga instinkti i tij oriental, gjithmonë kishte pritur për të parë se cilët nga fuqitë do të ishte fituese dhe pastaj të shikonte interesin e fisit dhe të krahinës së tij.Oficerët britanikë, duke mos kuptuar asnjëherë fshatarin shqiptar, sigurisht kanë shkruar mendimet e tyre në formë mjaft therëse dhe negative mbi një pjesë të eksperiencës së tyre në Shqipëri.Megjithatë, përtej meditimeve dhe frazave të shkruara në kushte ekstreme, ditarët personalë të oficerëve britanikë në Shqipëri përbëjnë një pasuri të madhe dhe të dhëna dokumentare të rëndësishme për të njohur fakte dhe informacione mbi jetën e Shqipërisë së luftës.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij dokumentacioni të pashoq, së shpejti do të sjellim për botim ditarin personal të David Smiley, si një prej protagonistëve kryesorë të misioneve britanike. Këto shënime, së bashku me shënimet e miqve të tij, do të sjellin për herë të parë çaste nga jeta shqiptare përtej politikës dhe luftës, copëza të jetës reale të cilat tashmë janë harruar në mjegullën e viteve. Ja çfarë shkruan një prej protagonistëve anglezë të kohës gjatë periudhës kur ai dhe David Smiley kishin hyrë në territorin e Jugut shqiptar:

“Më kujtohet kur shkuam në një manastir dhe unë paksa me turp kërkova që të më tregojnë se ku ishte WC. Më thanë se duhet të dilja jashtë dhe pasi të ecja përqark një muri, të zgjidhja vendin që doja. Kështu që e zgjodha edhe unë një vend, kur papritmas një plakë e veshur me të zeza erdhi pranë meje, ngriti fustanin e zi, uli çorapet e gjata dhe u ul pranë prane meje. Pas nje heshtje te shkurter dëgjova nja 20 zhurma të zgjatura. Thashë me vete: ‘O Zot, paskam ardhur në Mesjetë’”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama