Njeriu i ri i socializmit shqiptar ekspozite ne Kosove

Njeriu i ri i socializmit shqiptar, ekspozite ne Kosove

Galeria Kombëtare e Kosovës do të mirëpresë 122 piktura nga Tirana për ekspozitën “Realizmi Socialist shqiptar”, e cila do të çelet në fund të dhjetorit. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi lejimin e lëvizjes jashtë territorit të Shqipërisë së këtyre veprave.

Njeriu i ri socialist- i mbushur me portrete heronjsh, luftëtaresh dhe punëtoresh ndërtues të shtetit – dhe e gjithë atmosfera e mbretëruar në artin shqiptar të periudhës soc-realiste do të udhëtojë këto ditë drejt Kosovës, për ekspozitën “Realizmi Socialist Shqiptar” në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Janë 122 vepra artistike, objekte të rralla me vlera unikale, që i përkasin fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të cilat janë lejuar të lëvizin sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave.

Përfaqësuesit kryesorë të shkollës shqiptare studiuan apo edhe u specializuan në vende te ish-kampit socialist, duke sjellë parimet dhe frymën e ‘doktrinës së kuqe’.

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare, patriotizmi e njeriu i ri pasqyroheshin me elementë si

shpata, pushkë, kazma e lopata, partizanë, fshatarë e punëtorë…

Për nga gjuha shprehëse arti i Realizmit Socialist ishte ndërtuar mbi koncepte e parime akademike. Këndvështrimi konservator në ide ilustrohej edhe me një qëndrim konservator në forme, duke lënë shumë pak vend apo hapësira për shprehje dhe karakteristika personale. Në fondin e pikturave të periudhës së realizmit socialist gjenden edhe 20 piktura të rrallë të ish-diktatorit Enver Hoxha, i paraqitur në elementë megalomanë.

Në periudhën e soc- realizmit në Shqipëri, ekzistojnë edhe shembuj artistesh, apo vepra qe mundën të distancohen disi nga realiteti dogmatik.

Është një koleksion i rëndësishëm i GKA-së ai i pikturës formaliste që gjen vend në historinë e pikturës shqiptare në fillim të viteve ’70.

Kjo pikturë krejtësisht nën ndikimin e pikturës moderniste perëndimore përpiqet të gjallojë, duke respektuar temat e realizmit socialit, që janë më së shumti ato të punëtorit në fronin e punës, por që me mënyrën e të pikturuarit shkon drejt një zhvillimi dhe ka tendencën për t’iu përqasur rrymave të ekspresionizmit, fovizmit, kubizmit, etj.

Artistë kryesorë që kanë vepra të kësaj natyre në fondit e GKA janë Edison Gjergo, Alush Shima, Isuf Sulovari, Eduard Hila, Bajram Meta, etj.

Shqipëria socialiste dhe arti i saj ne socializëm, kanë pasur vëmendjen e vazhdueshme të koleksionistëve të huaj.

Ekspozita “Realizmi Socialist shqiptar” do të çelet në Prishtinë në fund të dhjetorit e do të qëndrojë e hapur për publikun atje deri në janar të 2016 –ës.

Sipas vendimit, lejimi i lëvizjes së veprave do të bëhet në periudhën 15 dhjetor 2015 deri më 1 shkurt 2016. Ekspozimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me udhëzimin nr.2, datë 18.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për lëvizjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale, për restaurimin, studimin dhe ekspozimin jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Shoqërimi dhe kthimi i veprave në vendin e origjinës, pas mbarimit të veprimtarisë, do të bëhet nga Galeria Kombëtare e Arteve, ndërsa Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore të kryejë regjistrimin e lëvizjes së objekteve.

Vendimi ka hyrë menjëherë në fuqi, ndërsa për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar ministrja e Kulturës.

Kjo ekspozitë me piktura realizohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës; Ministrisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Shqipërisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama