Njerez te forte si malet

Njerëz të fortë si malet
Kjo është ndër komunat që shpesh i ngjan një vendi të shenjtë ku vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria vijnë festojnë festat fetare, ditëlindjet dhe argëtohen. Uji i ftohtë që rrjedh nga thellësitë e Tomorit plak e të madhërishëm, mish i viçit dhe i qengjit, rritur në barin plotë trëndelinë, rakia e fortë dhe e mirë, mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve, ka bërë që ky vend jo vetëm të mos braktiset asnjëherë nga banorët e kësaj zone, por edhe të vizitohet ditë pas dite nga njerëz të shumtë.
Pikërisht këtë simbiozë të pikëtakimit të këtyre njerëzve nga qytete e zona të ndryshme ndien çdo vizitor kur shkel për herë të parë në këtë vend, sepse ai është një vend mitik, pasi si madhështi të tij ka malin e Tomorit, ku dhjetëra e dhjetëra pelegrinë çdo vit shkojnë festojnë me ditë të tëra, duke shijuar mrekullitë dhe shenjtërinë e këtij mali.
Këtu në këtë zonë me një bukuri të rrallë natyrore, me një gjelbërim të përjetshëm stinor, gjen ritet, vdekjet gjë që janë lidhur në mënyrë të pazgjidhshme.

Kur udhëton nëpër këtë zonë të komunës Bogovë, duke u ngjitur në fshatin Bargullas, Nishovë, Sirakë e Selan, menjëherë është e prekshme dhe e ndjeshme, bujaria, fisnikëria dhe shpirti i mirë i këtyre njerëzve.
Tek fjalët: Mirë se erdhët, bujrëm, na ka ardhur miku… etj., ndihet kultura, mirësjellja dhe afrimi i njerëzve, një kulturë e dukshme kjo tepër njerëzore, që i lidh ata me njëri-tjetrin.
Qendra e komunës është aty buzë rrugës, ku njerëzit pleksen me banorë vendas, por edhe me kalimtarë që ndalojnë zbresin nga makinat, pinë një kafe, një gotë ujë të ftohtë, pastaj vazhdojnë…
Jeta e këtyre njerëzve të gëzon, pasi të gjithë janë mirë dhe të gjithë e duan njëri-tjetrin. Një pjesë e fshatrave punon tokën, një pjesë merret me tregti, në lokale ku presin e përcjellin njerëz të shumtë dhe një pjesë tjetër merret me tregtimin e pllakës së gurit në lartësitë e malit Tomor.

Ende ka njerëz

Këtu ka ende intelektualë, mësues që mësojnë rreth 300 nxënës. Ka ambulancë me rreth 13 pika shëndetësore, ku në çdo fshat ka infermiere e mami.
Por njerëzit i takon edhe në punët e mbjelljes, në kopshtet me pemë, ku mbillen mollë, rrush, qershi etj.
Si në një ishull interesant jetojnë disa familje në Jaupas, aty kanë tokat, pyjet, blegtorinë, një vend që i lidh njerëzit një urë pasarele prej kohësh, është një vend interesant, ku e kanë lakmuar deri edhe biznesmenë nga Tirana për të blerë ca tokë, për ta kthyer në një fshat turistik. Po shpesh aty është hedhur ideja për një hidrocentral, ku nëpërmjet ujit të lumit Osum mund t`i japësh energji gjithë Skraparit. Skraparllinjtë dhe një central elektrik që kanë, nuk e kanë braktisur, përkundrazi, i kanë dhënë jetë.
Është një fakt i vërtetë, që në zonat malore, jeta është boshatisur, por në Bogovë ndodh e kundërta, popullsia këtu ndryshon, ajo është në shtesë, sepse dhe fëmijët që lindin, ata rriten aty dhe mësohen me dashurinë për vendin e tyre.


Çfarë i mban fort këta njerëz këtu?

Është ky mal i madh, Tomori, që ushqen gjithë këta njerëz me bekimin e madh për Zotin, por dhe me tokën e tij bujare ku rriten çaji, sherbela, kërpudha shumë e shtrenjtë, salepi, trëndelina, rigoni e bari i shijshëm për bagëtinë, mishi e qumështi, që jo rrallëherë i shohim në tregje në të gjithë Shqipërinë. Vetëm me sherbelën që prodhon ky mal janë punësuar disa punëtorë në një punishte në Poliçan. Ky “Monument” i madh i jep jetë komunës Bogovë dhe fshatrave përreth.
Dikur Bogova ishte një mollë e “ndalueme”, ku i ishte hedhur një vello dhe bukuritë nuk ia shihnin vetëm qeveritarët e mëdhenj që ia dinin lezetin këtij vendi. Vetëm ish-kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehu, i rezervohej e drejta të ishte gjahtari special në pyllin e madh e të bukur të Bogovës.

Ndërsa informacionin e saktë të kësaj komune e merr nga kryetari i komunës, Jonuz Gorezi. Ai është një ndër intelektualët e kësaj zone, që i njeh mirë punët në komunë. Po pse kjo zonë e madhe e do Jonuzin?
Jonuzi nuk i ngjan atyre kryetarëve që e udhëhoqën komunitetin disa vjet dhe krisën e ikën në Tiranë. “Këtu do të jetoj, thotë kryetari, më pëlqen vendi im”. Për kryetarin e tyre banorët e kësaj zone flasin nga fjalët më të mira. “Është djali ynë, - thonë ata, - por mbi të gjitha është i thjeshtë dhe i përkushtuar për punë, na i di mirë hallet”.

Këtu jo çdo gjë është e lehtë, bëhet dhe një jetë e vështirë, por gjithsesi, pa shumë kokëçarje, sepse vetë natyra i mban gjallë ata. Për ta do të ishte kënaqësi e veçantë po qe se në një çast do të harrohej politika. Por ajo që është e çuditshme është se këtu edhe politika bëhet ndryshe. Një politikë me njerëz më të thjeshtë, një politikë që sintetizon paqen dhe mirëkuptimin.
Edhe pse shumica e banorëve deri tani ndihen të kënaqur, kanë mendimin se shteti duhet të mendojë më shumë për fshatin. Të mendojë në kuptimin që fshati të mos braktiset. Kryetar Jonuzi flet për disa arritje në këtë zonë.
Në këtë komunë janë bërë disa investime, si sistemimi i ujërave të zeza, edhe pse më parë ishte bërë një investim i dobët në këtë drejtim.
U sistemuan varrezat e fshatit. Erdhi uji i pijshëm në çdo shtëpi, të gjitha këto me kontributin e komunës. Një vend të rëndësishëm zënë edhe investimet në rrjetin rrugor. U rregullua rruga e fshatrave Dobrushë – Përparim, si dhe rruga Bogovë – Sirakë - Novaj, që lidhin gjithë fshatrat e kësaj zone. Është mirëmbajtur Ujësjellësi i Bargullasit, që ka pasur shumë defekte.
Puna e administratës, thotë kryetari i komunës, është përqendruar te mbledhja e taksave. Janë grumbulluar 7 milionë lekë të vjetër nga zyra e financës dhe taks-tatimeve. Ndërsa në Bogovë u arrit të grumbullohen 4.2 milionë lekë të reja, të cilat u shpërndanë për infrastrukturën e rrugës së Bogovës.

Një punë e mirë është bërë në sektorin e përkrahjes sociale nga administratorët Luan Dyrmishi dhe Rexhep Turhani, duke i shpërndarë lekët te personat në nevojë në çdo familje. Buxheti për përkrahjen sociale është rritur nga 40 për qind në 75 – 85 për qind.
Banorët e kësaj komune kanë filluar të punojnë me projekte në bujqësi, ku po përfitojnë ndihmë dhe kredi në krijimin e vreshtave me rrush dhe pemë frutore. Për 2008-n këtu do të ketë investime më të mëdha, sidomos për fshatin Kakrukë, ku niveli ekonomik është më i dobët. Bogova dhe gjithë linja urbane është bërë me ndriçim si dhe investime të tjera për ta bërë këtë një qendër sa më funksionale për vizitorët dhe turistët e ndryshëm.
“Sapo kaluam buxhetin për 2008-n, - thotë kryetari i komunës, - por na vjen keq sepse grandi na është pakësuar. Ne na duhen fonde për rrugën Pronovik – Nishovë, që lidh fshatrat dhe inkurajon biznesin e kësaj zone”. Biznesi dhe infrastruktura kërkojnë mbështetjen e shtetit për investime edhe më tepër për një infrastrukturë sa më eficente. Ka qenë shqetësim i vazhdueshëm përroi i Bogovës, i cili shpesh ka përmbytur fshatin dhe ka prishur infrastrukturën.
Pushteti lokal i kësaj komune vazhdimisht është shqetësuar për këto probleme dhe ka marrë vendime të drejta duke patur dhe mbështetjen e Këshillit të Komunës, me kryetar z. Zalo Qato.

Dhe largohesh prej këtej dhe përsëri ndien dhe duket sikur njeriu për një çast harron jetën e vet të mistershme, sikur gjithçka nuk lëviz ose ecën shumë ngadalë, por nuk ndodh kështu. Në të vërtetë ata ecin me shumë shpejtësi, që të ngjallet më shumë se një shpresë! Njerëz që jetën e pëlqejnë qoftë dhe të shkurtër, por të ashpër si këto lartësi dhe me përgjegjësi ndaj vetvetes. Këtu ndien vërtet bukurinë, misterin dhe mrekullinë, ëndrrën dhe ashpërsinë e jetës midis ngjyrave të shkëlqyera të natyrës, këtu fryjnë erërat e lira. Ndaj këta njerëz meritojnë më shumë nga shteti.

Kastriot Caka : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama