E pranojnë këtë edhe vetë aktorët, këngëtarët e personazhet e famshme të përfshirë në biznesin e spektaklit. Ashtu siç pranojnë se në Hollivud, “plakja” (rreziku fillon pas moshës 35 vjeçare) është e barabartë me dalje në pension. Por për ata që kanë gjithë jetën e tyre në kopertinat e revistave e në qendër të vëmendjes fakti se s’janë më të famshëm është kafshatë që s’kapërdihet. Falë tyre kirurgjia plastike është një ndër bizneset më fitimprurëse në botë, e aq më tepër në SHBA. Metoda nga më të ndryshmet, që prej atyre kirurgjikale e deri tek ndërhyrjet me rreze lazër, janë shpikur për të parandaluar plakjen e atyre që janë të gatshëm të paguajnë çdo shifër, për të qenë ndryshe, për të qenë gjithmonë të rinj. Ka nga ato që kanë bërë thjesht ndërhyrje të lehta siç është Halle Berry, e cila thjesht ka bërë operacion hundën për të zhdukur gjurmët e pamjes etnike.
Edhe Angelina Jolie, e cila mbahet si një ndër gratë më të bukura të botës, ka bërë vetëm një ndërhyrje të vogël në hundë. Rekordin e operacioneve plastike e mban Michael Jackson, i cili nuk mbart asgjë nga ajo që ka qenë. Nuk është bërë publik asnjëherë një numër i saktë i operacioneve të tij plastike, por fytyra e tij po shkon drejt rrënimit. Më pas vjen Cher, fytyra e së cilës i ngjan një kukulle porcelani, aspak natyrale. Edhe vajza e ish-presidentit të SHBA-së, Chelsea Clinton duket se nuk i ka shpëtuar tundimit për të bërë disa ndryshime në paraqitjen e jashtme. Megjithëse ajo s’e ka pranuar ndonjëherë një gjë të tillë, pamjet flasin qartë.
Blendina Cara - TiranaObserver











