Nje video me pikepyetje per tragjedine e avionit gjerman

Nje video me pikepyetje per tragjedine e avionit gjerman

Ajo është tragjedia më e rëndë ajrore në historinë e Gjermanisë. 150 persona të vdekur. Piloti i dytë, Andreas Lubitz e përplasi qëllimisht avionin e Germanwings në Alpet Franceze.

Kjo dihet deri më tani. Para disa orësh, gazeta gjermane Bild njoftoi se ka një video, që tregon se çfarë ka ndodhur brenda avionit në çastet e fundit. Prokuroria franceze thotë se video u duhet dorëzuar atyre, pasi duhet për hetimin. Ata thonë se nuk e dinin që ekzistonte një video e tillë.

Po si u gjet kjo video?

Bild thotë se ajo është marrë tek celularët e gjendur në vendin e ngjarjes.  Gazeta e ka parë videon, por nuk e ka publikuar.

Në video dëgjohen ulërimat dhe të paktën tre zhurma të forta metalike. Bild mendon se piloti i parë ka tentuar deri në momentet e fundit që të hapë derën e kabinës, ku qëndronte i kyçur “kamikazi” Lubitz. A mund të mbijetojë një telefon nga kjo përplasje? Ekspertët kanë dyshimet e tyre.

A është e vërtetë video?

Bild thotë se nuk ka asnjë dyshim, video është bërë brenda avionit të tragjedisë. Videon e ka parë edhe gazeta franceze Paris Match, shkruan mapo.

Ata shkojnë edhe më larg kur thonë se Lubitz kishte vënë maskën e oksigjenit në momentet e fundit. Pse duhej ta bënte këtë gjë një njeri, që kishte vendosur të shkonte drejt vetëvrasjes? Spiegel raporton se kompania e fluturimeve Lufthansa e dinte për depresionin e pilotit të saj. Në rrjet qarkullojnë shumë teori. Disa prej tyre thonë se gjigandi gjerman, Lufthansa, po tenton që të mbulojë dështimin teknik të avionit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama