Nje udhetim permes historive njerezore te Ulezes

Një udhëtim përmes historive njerëzore të Ulëzës
Banorët kishin dëgjuar fjalë se një liqen i stërmadh do të zinte së shpejti tokat, do të përmbyste shtëpitë, bahçet dhe rrugicat e katundit. Imagjinoni se çfarë drame kanë përjetuar banorët e ngulur herët aty! Braktisja sigurisht që nuk është një fjalë dhe aq e kapërdisshme për banorët e zonës. Përkundrazi, qëndresa është virtyt i tyre. Megjithatë, vendi i duhej lëshuar pikërisht atij që sot quhet liqeni i Ulëzës...

JETA SI NJË RRJEDHË LUMI

Projekti për ndërtimin e një vepre drite në atë kohë, sigurisht që nuk mund të pritej me kundërshtime, sado e dhimbshme që mund të ishte kostoja e largimit nga fshati disashekullor. Një nga banorët e zonës, Pjetri, thotë se në atë kohë as nuk bëhej fjalë jo më për të kundërshtuar vendimet e partisë, por nga ana tjetër, nuk kishte as shoqata apo lëvizje ambientaliste, nuk kishte as mendim privat, dhe sidomos, as këllqe për të dalë kundër vijës apo frymës së përgjithshme. Kushdo në atë kohë do të kish përfunduar në burg nëse do të kish eksperimentuar t’i jepte një hov sado të vogël fjalës së lirë. Kësodore, në Ulëzën e atëhershme mbërritën makinat e para, teknikët dhe inxhinierët e parë, me pak fjalë, stafi që do të realizonte projektin e dritës së munguar. Ulëza nisi të përmendej në ato çaste si një burim që do të bënte të mundur elektrifikimin e zonës përreth. Kësisoj, ditët nisën të rridhnin më shpejt, madje, se edhe vetë rrjedha e Matit. Banorët nisën të shpërngulen me bagëti, sende, orendi e gjithçka tjetër që mund të merrej me vete. Ngadalë, ngadalë, çdo ditë e nga pak. Ndërtimi i digës po shkonte drejt fundit. Ajo po i ngjante çuditërisht një ore që kish nisur të numëronte së prapthi për fundekzistencën e fshatit Kokërdhok.

NË EMËR TË DRITËS...

Në çastet kur liqeni kish nisur të krijonte basenin e tij prej prurjeve të Matit, banorët nga dita në ditë, kundronin dhimbshëm se si gjithçka po humbiste nën ujë. Bahçet me pemë që vinin deri në bregun e Matit nisën të përmbyteshin... Disa ditë më pas edhe rrugicat po përjetonin drithmën e një bote të re nënujore. Fëmijëria, kujtimet dhe lodrat e saj, do të ishin tashmë thjesht, një vegim... Banorët stoikë ishin dëshmitarë të një fakti që sot ka mbetur në kujtesë. Ata më të moshuarit thonë se një burrë me një aparat në dorë e çonte shpeshherë tek sytë atë... Filmonte apo fotografonte? Askush nuk e di nëse burri ka pasur me vete një kamera apo thjesht një aparat fotografik rus. Sidoqoftë, në arkivat e shtetit gjenden edhe pamje që tregojnë dinamikën e procesit liqenformues. Megjithatë, askush nuk ka mundur dot që të ruajë në film emocionet e forta, dridhmat e shpirtit të banorëve. Pas pak ditësh, edhe kullat kreshnike nisën të mbuloheshin nga uji. Kati i parë, i dytë, i tretë... më pas edhe oxhakët... Në këto momente, një burrë i moshuar, Gjoni, që ka vdekur para rreth 35 vjetëve, ka qëndruar i fundit në kundrimin spektakolar, majë një shkëmbi, pasi pa se si kulla ku kishte lindur, “nisi jetën” nën ujë, thithi fort llullën dhe lëshoi këto fjalë të paharruara: “Meqë bëhet fjalë për dritën, atëherë edhe unë ia kam ba hallall kullën time, e cila që sot e tutje do të jetë thjesht një kujtim!”.

QYTEZA MIKSE

Qyteza e Ulëzës është ndërtuar në një kohë rekord. Vetëm tre muaj janë dashur që nga hedhja e themeleve e deri tek popullimi i pallateve. Ulëza u ndërtua nga sovjetikët sipas arkitekturës së tyre. Pallatet e ndërtuara krijojnë një shesh të denjë për një qytet të vogël. Sheshi sot mban emrin e gjeneral Gjin Markut. Edhe kjo një pjesë e krenarisë së kësaj krahine. Ndërtesat e Ulëzës janë dykatëshe. Vetë qyteza është e vendosur hijshëm sipër një kodre që shërben edhe si një ballkon fantastik i liqenit. Që atëherë, qyteza ishte projektuar në atë mënyrë që ujërat e saj të mos derdheshin në liqen. Arkitektura sovjetike të çon në kohërat e “miqësisë” së madhe. Megjithatë, merret lehtë me mend se sa inferiore qëndronin pallatet ruse midis peizazhit mirditor me kulla mahnitëse 200 a më shumëvjeçare, që i ndesh edhe sot gjithandej maleve ku shtrihet popullsia mirditore. Sidoqoftë, Ulëza si çdo qytezë tjetër pati jetën e vet. Në apartamentet e ngritura nisën të jetojnë së bashku, rusë, mirditorë, skraparllinj, tiranas etj. Këta të fundit ishin personel inxhiniero-teknik i hidrocentralit. Banorët e vjetër tregojnë se si qyteza po shndërrohej në një vend ku ndërthureshin kulturat e ndryshme të të jetuarit dhe të punuarit. Mund të ndodhte në ato vite të largëta, që fare pranë në rrugë, të ndeshje një grua fisnike mirditore të ngarkuar me dru, ndërkohë që bri saj kalonte një tjetër grua ruse me emrin Svetllana, duke tymosur cigare dhe e veshur me një minifund që i shkonte diku një pëllëmbë sipër gjurit të bukur... Peizazhi urban i Ulëzës asokohe ka pasur një ndërthurje të jashtëzakonshme me peizazhin, disi të trishtë, por krenar, të zonave rurale.

JETA URBANE

Qyteza e Ulëzës sot, ka pothuajse atë pamjen e dikurshme, me një ndryshim të vogël. Ndërtesat e vjetra kanë nisur të bjerrin diçka nga bukuria e tyre. Kryetari i komunës, Pal Çoku, një inxhinier i talentuar pyjesh, thotë se ekziston një plan për të bërë një rikonstruksion të përgjithshëm të qytetit, në mënyrë që të ruhet identiteti i tij, pasi kjo përbën një pjesë të historisë së zonës. Banorët merren me bujqësi, peshkim dhe blegtori. Ajo që të bën përshtypje në këtë qytezë është sjellja urbane e banorëve të saj. Në mëngjes mund të shohësh sesi njerëzit lexojnë shtypin e ditës, sesi shkojnë në kafene dhe diskutojnë për sportin, politikën e gjithçka tjetër. Në orët e paradites, mund të shohësh edhe autobusë me ekskursionistë që kanë zgjedhur Ulëzën për të kaluar një ditë të bukur. Në qytet është gjallëruar agro-turizmi. Aty janë disa lokale që servirin prodhime të blegtorisë vendase dhe peshkut të liqenit, ku më i preferuari është krapi. Kamerierët janë të veshur me rroba elegante, për të qenë sa më pranë shijes së klientëve që vijnë nga qytete të ndryshme. Kryetari i komunës thotë që në master-planin që po përgatitet, është planifikuar që bregu i liqenit në të gjitha anët e tij, të popullohet me vila të qytetarëve nga Shqipëria, të cilët kanë dëshirë të blejnë një copë tokë, për të pasur në të ardhmen, një banesë për fundjavë.

VOZITËSJA

Njëra nga historitë që ne e ndeshëm gjatë qëndrimit tonë në Ulëz, lidhet me një grua nga fshati Ndrelalaj, matanë liqenit, që për të siguruar jetesën bënte një punë jo të zakontë. Ajo vinte çdo ditë në qytezë, nga bregu tjetër, për të shitur prodhimet blegtorale dhe peshkun që burri i saj e kapte në liqen. Deri këtu, sigurisht që nuk ka ndonjë gjë që të çuditur, por fakti se ajo vinte mes liqenit duke e vozitur me duart e saj, varkën e drunjtë, është vërtet mbresëlënëse. Dy orë rrugë në ditë, vajtje-ardhje përmes liqenit, sigurisht që nuk janë pak për një grua. Një punë e jashtëzakonshme për mbijetesë. Një histori që nuk të shqitet lehtë nga mendja.

ÇIFTI ANGLEZ DHE KULLA E VOKRRAJVE

Në anë të liqenit, thuajse mbi të, më ka tërhequr vëmendjen një kullë e bukur që sigurisht nuk do të ishte bërë pjesë e rrëfimit tone, nëse dikush nuk do më kish treguar një histori tejet të bukur. Një ditë, në Ulëz, shfaqet një çift anglez. Pasi mbetën të mahnitur nga bukuria që ata mundën të vëzhgonin, që në kontaktin e parë, u lindi dëshira për të blerë një banesë. Atyre u bëri shumë përshtypje kulla 200-vjeçare, e braktisur, për të cilën po flasim. Pamja e kullës kishte formën e një katedraleje. Një ndërtesë mjaft elegante në stilin dhe arkitekturën e saj. Çifti i ofron të zotit të saj, jo pak, por 80 mijë euro. I zoti i shtëpisë nuk e jep. Çifti ikën. Banorët e pyesin të zotin, përse nuk e dha. Përgjigjja është brilante: “Nuk e dhashë sepse ai ma kërkoi shumë shtrenjtë, 80 mijë euro. Po të ma kishte kërkuar 8 mijë, edhe mund të ia kisha dhënë. Mendova se anglezi ishte më i aftë se unë të kuptonte se kulla kishte vlera shumë të mëdha. Në këtë moment, shuma e ofruar prej tij, nuk më është dukur asgjë”. Tani, i zoti i shtëpisë, nuk jeton më, por nga pas ka mbetur kjo histori, si për të na treguar se turizmi rural do të jetë mbase e ardhmja e kësaj zone të bukur.

MARASH MIRASHI : Gazeta Standard
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama