EkspozitaKthehu/Luaj/ Perpara ne “Zeta”

Ekspozita
Në galerinë “Zeta” në Tiranë është hapur një ekspozitë, e cila kurorëzon kërkimet dy mujore të artistëve të rinj Ledia Kostandini, Marlene Hausegger dhe Enkelejd Zonja.
Ledia Kostandini vjen me një numër pikturash, të cilat shfaqen si pjesë e një instalacioni.
Marlene Hausegger erdhi në Tiranë në momentin kur lajmi i liberalizimit të vizave zuri qendrën e skenës së shoqërisë shqiptare. E befasuar nga ky lajm, por edhe nga histeria e retorikës politike, Hausegger vendosi të zhvillojë një kërkim, duke krijuar një pyetësor me pyetje të thjeshta për njerëzit, si: ku dëshiron të shkosh, përse dëshiron të shkosh atje, si dhe çfarë mendimi ke për vendin ku dëshiron të shkosh.
Enkelejd Zonja vjen me dy punë të reja gjatë periudhës së rezidencës. “Tështima e së kuqes” është një seri e gjatë vizatimesh delikate.

"Kthehu/Luaj/Përpara" paraqitet si një reflektim mbi gjendjen aktuale në Shqipëri dhe shënon përpjekjet e para për të ndërtuar një marrëdhënie me të shkuarën tonë të afërt, nga një këndvështrim i dinamikës së sotme mes globales dhe lokales, me vëmendje në zhvillimet e ditës në shoqërinë dhe politikën shqiptare.
Kjo ekspozitë dëshmon për një lëvizje të re në ndjeshmërinë e artistëve shqiptarë të brezit të ri, të cilët duket se dalëngadalë po i largohen habitjes me ndryshimet e dukshme në peizazhin e qytetit, dhe po përqendrohen në domosdoshmërinë e një të kuptuari më të thellë të dikotomisë mes të shkuarës dhe të tashmes.
Kërkimi dhe ekspozimi i tre të rinjve u mundësua prej programit të Rezidencës për Artistë të TICA-s, me mbështetjen e FAVA - Fondacioni Për Arte Pamore dhe Ambasadës Austriake në Tiranë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama